USAID ka lansuar të premten projektin për këshillat e fuqizimit të fuqisë punëtore në sektorin e agrobiznesit, teknologjisë informative dhe të përpunimit të drurit.
Drejtoresha e misionit te USAID në Kosovë, Zeinah Salahi, tha se sektori privat është fuqia transformuese dhe sociale që mund t’i ndihmojë Kosovës në zhvillimin ekonomik.
Ajo u shpreh e shqetësuar se në bazë të të dhënave, 40 për qind e të rinjve në Kosovë, që kanë marrë aftësitë në shkolla nuk janë të përgatitur për tregun e punës.
“Sektori privat është fuqia transformuese pozitive ekonomike dhe sociale që mund t’i ndihmojë Kosovës në mënyra kuptimplote për të përfituar gjitha komunitetet në vend. Zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës është partner kyç për një demokraci të gjallë dhe për një Kosovë shumetnike dhe demokratike që po vazhdon të zhvillohet. Por në mënyrë që sektori privat të lulëzojë si shtytësi kryesor i zhvillimit ekonomik, kompanitë tuaja kanë nevojë për punëtorë të specializuar dhe të aftë. Sipas të dhënave më të fundit, 42 për qind e të rinjve të anketuar që kanë marrë aftësitë në shkolla ka dal se nuk janë të përgatitur për tregun e punës”, tha ajo.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se arsimi dhe aftësimi profesional është shtyllë e Qeverisë së Kosovës.
“Arsimi dhe aftësimi profesional është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe konsiderohet me të drejtë si shtyllë kryesore e çdo shteti. Kontribuon në zhvillimin ekonomik, social të secilës shoqëri dhe të vendeve. Duke qenë si qeveri jemi zotuar në përafrim të kualifikime të arsimit dhe aftësimit profesional drejt nevojave të tregut të punës, përmes inicimit të arsimit dual që filluam sivjet në katër profile dhe besoj se do të jemi më të suksesshëm vitin e ardhshëm me profile të reja”, theksoi Nagavci.
Ndërkohë, Kujtim Tali nga kompania 3CIS, tha se teknologjia informative duhet të ketë barrën kryesore të zhvillimit të Kosovës.
“Nëse ne krijojmë shkolla profesionale të specializuara për një domen të caktuar, duhet edhe industria me përcjellë atë. Duhet me ditë ku po i dërgojmë ata njerëz, nëse nuk e kemi edhe atë pjesën tjetër të plasimit të këtyre kuadrove atëherë ne krijojmë kuadro për Gjermani. Nëse është qëllimi për të krijuar kuadro për Gjermani atëherë nuk do t’i ndihmojmë zhvillimit në Kosovë, por zhvillimit të Gjermanisë”, tha Tali.
Ndërsa udhëheqësja e aktivitetit, IREX, Valmira Haxhiaj-Gushlla, tha se këto iniciativa nxisin zhvillimet sektoriale në sektorin privat.
“Jemi përqendruar në tre sektorë që u cekën më herët, me potencial të lartë zhvillimor, si TIK, agrobiznesi dhe përpunimi i drurit. Kemi përzgjedhur partner strategjik, si Shoqatën e Teknologjisë, Informimit dhe Komunikimit të Kosovës, Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve në Kosovë dhe Shoqatën e përpunuesve të drurit që bashkërisht të udhëheqim diskutimit në sektorin privat, sektorin publik dhe shoqërinë civile për të arritur në zgjidhje të duhura që do të financohen nga aktiviteti i grandeve nga aktiviteti ynë”, shtoi ajo.
Mes tjerash, në aktivitetin e sotëm u tha se këshillat për fuqizimin e fuqisë punëtore do të vazhdojnë edhe në sektorë të tjerë./kp/