4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

3. SFIDA E TËRHEQJES NË JETË

Më të lexuarat

“Përqendrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar.” (Hud: 112)

Gjëja më e shtrenjtë që posedon njeriu, pasuria më e madhe në këtë jetë janë vlerat, morali në të cilin është edukuar dhe fisnikëruar.

Çdonjëri nga ne dëshiron t’i përmbushë ëndrrat e tij në jetë. E rëndësishme është kur këto kërkesa bëhen duke ruajtur krenarinë, dinjitetin dhe vlerat e tona, duke mos dashur që të heqim dorë prej tyre për asnjë çmim. Jeta është e tillë që nganjëherë njeriu përballet me provime që kërkojnë nga ai të heqë dorë nga këto vlera.

Nxënësi në ditën e provimit përballet me harresën e përgjigjes dhe ka përballë një sfidë: a të lërë provimin apo të kopjojë?

Dikush në vendin e punës është vonuar, ka munguar në punë pa arsye dhe kur pyetet apo rrezikohet për t’u përzënë nga puna është përballë sfidës a të gënjejë apo të tregojë të vërtetën, edhe nëse i kushton shtrenjtë.

Kujtdo që i është vonuar martesa për arsye të ndryshme përballet me provimin mes asaj që të jetojë me nder ashtu siç e ka edukuar familja dhe e do Zoti apo të kërkojë rrugët e haramit.

Kujtdo që i është vonuar furnizimi dhe për momentin nuk mund t’i realizojë ëndrrat, dëshirat e tij janë përballë sfidës a të durojë dhe të jetojë me ndershmëri apo të shkojë dhe të kërkojë rrugët e ndaluara për të përfituar pasuri, ose të trokasë në dyert e bankave për t’u zhytur në kamatë.

Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) u përball shpesh në jetën e tij me sfidën e negocimit të së vërtetës për përfitime materiale. Shembuj të tillë të paharruar kemi shumë në jetën e tij.

Atij iu ofrua pasuri, martesë dhe pozitë vetëm që të tërhiqej nga thirrja hyjnore, por përgjigjja e tij ishte e lehtë: “Sikur Dielli të më vendoset në anën e djathtë dhe Hëna në anën e majtë, nuk do të heq dorë nga rruga e Zotit tim.”

Ditën kur iu ofrua mundësia për të bërë kompromis që mushrikët një vit të adhuronin Allahun, ndërsa muslimanët të adhuronin zotat e rrejshëm, përgjigjja ishte shumë e qartë: “O ju mohues, ne nuk do të adhurojmë atë që adhuroni ju e as ju nuk do të adhuroni Atë që adhurojmë ne.”

Bilali, muezini i parë i Pejgamberit tonë, mban mbi gjoks gurë, i kthyer nga rrezet përvëluese të shkretëtirës dhe nuk tërhiqet nga parimet, bindja dhe besimi i tij.

  • Çfarë është sfida e heqjes dorë?

Është një ndër sfidat e vështira kur njeriu gjendet përballë dallgëve të jetës për të ruajtur vlerat, moralin, besimin, parimet e tij apo për t’i shitur ato me çmimin e epshit, të egos dhe gjërave të ulëta të kësaj dynjaje kalimtare.

Me këtë sfidë përballemi edhe kur heqim dorë nga ajo që kemi të drejtë për të ruajtur interesin më madhor të familjes, shoqërisë apo për të vendosur  paqe mes njerëzve.

 

  • Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?

Kjo sfidë nxjerr në shesh çmimin e lartë që kanë vlerat tona, imani, parimet, identiteti ynë. Kjo sfidë tregon forcën e imanit tënd. Aq sa litari është i fortë, aq do të ketë mundësi të tërheqë gjëra të rënda.

 

  • Dëmet dhe pasojat në jetën tonë:

 Kjo sfidë tregon dobësinë tonë.

  • Njeriu mbetet pa identitet kur dështon në këtë provim.
  • Humb të dyja botët.
  • Njeriu humb besimin te njerëzit, kalon në shkallën e hipokritit.
  • Shet vlerat për një çmim të ulët.

 

  • Dobitë në jetën tonë:
  • E ndihmon njeriun në ruajtjen e identitetit të vet.
  • Tregon vlerën e njeriut dhe çmimin e tij.
  • Lumturia e jetës është në ruajtjen e parimeve dhe vlerave njerëzore e jo në shitjen e tyre.
  • Njeriu me kalimin e kësaj sfide arrin kënaqësinë dhe shpërblimin e Zotit.
  • Muslimanin e kalitë dhe e bën më të fortë në parimet e veta.
  • Njeriu kupton dhe dallon të vërtetën prej të pavërtetës.

 

  • Si të veprojmë në momentet kur na kërkohet të tërhiqemi nga vlerat tona?

Jusufi a.s. është sfiduar me këtë sfidë në ditën kur refuzoi të bjerë në mëkatin e shëmtuar ku u ftua. Me gjithë kërcënimet që iu bënë dhe gjendjes së dobët të tij, ai nuk ra pre e presioneve dhe nuk hoqi dorë nga vlerat e tij.

Allahu na tregon për këtë shembull në Kur’an:
“Përnjëmend desha ta mashtroj, por ai kundërshtoi. Nëse nuk e bën atë çka i urdhëroj unë atij, pa dyshim, do të burgoset dhe do të jetë i poshtëruar. O Zoti im, tha ai, më tepër e dëshiroj burgun sesa atë ku më shpien ato!”(Jusuf: 32-33) Kur ne sfidohemi nga ky provim i jetës, atëherë do të gjendemi përballë tri alternativave:

  • Heqja dorë nga vlerat tona për shkak të epshit dhe kënaqësive të kësaj bote.
  • Heqja dorë për interes madhor, bashkim, tolerancë, afrim, dashuri.
  • Kapja për vlerat tona dhe mosnegocimi i tyre me çmimin e ulët të kësaj bote.

 

Lutja përmbyllëse

Zoti im, bota është e mbushur me provime, na dhuro forcë t’i tejkalojmë ato! Mos lejo që të heqim dorë nga ajo që Ti je i kënaqur. Dhurona dritë ta shohim të vërtetën dhe ta pasojmë atë, ta shohim të kotën dhe të largohemi nga ajo!

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit