6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

DHUNA NË FAMILJE DHE SHOQËRIA MUSLIMANE

Më të lexuarat

Dhuna në familje është një mostër i aktiviteteve të vazhdueshme lënduese, manipuluese ose kontrolluese duke përfshirë abuzimin fizik, seksual, emocional dhe verbal.

Abuzimi fizik: përfshin lëndimin ose përpjekjen për të lënduar bashkëshorten (in) duke goditur, shkelmuar, djegur, rrëmbyer, shtrënguar, shtyrë, goditur me shuplakë, tërheqje flokësh, kafshuar, duke mohuar kujdesin mjekësor ose duke përdorur forcë tjetër fizike.

Abuzimi psikologjik: përfshin shkaktimin e frikës me anë të frikësimit duke kërcënuar për dëmtim fizik ndaj vetes, bashkëshortes ose fëmijëve, kërcënimin për braktisje , shkatërrim i pronës, presioni psikologjik, ose detyrimi i izolimit nga miqtë, familja, shkolla ose puna.

Dhuna në familje ekziston si në shoqëritë jomuslimane ashtu edhe ne ato muslimane, nuk është specifike për nje grup të ndonjë përkatësie.

Kush mund të jetë viktimë e dhunës në familje?

Secili mund të jetë viktimë e dhunës në familje. Dhuna është një fenomen që mund t’i ndodh çdokujt pamarrë parasysh moshën, kombin, përkatsinë fetare apo gjendjen ekonomike. Rreziku mund t’ju kërcënohet të gjithë anëtarëve të familjes.

Megjithatë  është një fenomen që ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social, sidomos pjesës më të ndijshme të shoqërisë: grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Megjithatë, në trojet tona kanë prirje ta konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private, familjare, dhe si një pjesë normale të jetës bashkëshortore. Duke qenë se dhuna në familje shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur në shoqërinë tonë, viktimat përgjithsisht vuajnë në heshtje.

Çfarë thotë Islami për dhunën në familje?

Qëndrimi i Islamit për dhunën në familje është nxjerrë nga Kurani, praktika profetike (suneti) dhe verdiktet ligjore-juridike historike dhe bashkëkohore.

“All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (Sure en Nahl  90)
“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja…”.  (Sure et Teube 71)

Marëdhëniet bashkëshortore

Kurani dhe jetesa e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ilustrojnë qartë marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve.
Allahu ka porosituar ne Kuran :

“Çoni jetë të mirë me to!”. (en Nisaa 19)

Goditja e gruas në fytyrën e saj është e ndaluar dhe haram. Fytyra është pjesë e lartësuar e njeriut. Ajo përfshin shqisa të ndjeshme. Nëse e godet në të, mund t’ia dëmtosh syrin apo t’ia humbasësh dëgjimin. Goditja në fytyrë është poshtërim dhe nënçmim i madh. Nuk lejohet që bashkëshortes tënde t’ia bësh këtë poshtërim e nënçmim, edhe nëse dëgjon fjalë shqetësuese dhe të papëlqyera prej saj.

Është pyetur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se çka është i obliguar burri ndaj gruas . Është përgjigjur: ”Kur të hajë t’i jep  edhe asaj edhe fëmijëve , kur të vishet edhe atë ta veshë , të mos e godet nëpër fytyrë dhe të mos e shajë dhe rrahë…” ( Ahmedi )

Burri i mirë nuk duhet t’i flasë gruas fjalë që e nënçmojnë atë dhe e rëndojnë psiqikën e saj, sikurse: Ti je e shëmtuar, familja yte është e keqe, nuk je e zoja, je grua e ulët, nuk ke vlerë etj. Besimtari me besimin më të plotë është ai që e ka sjelljen dhe moralin më të mirë. Me të dalluar janë ata që e kanë sjelljen dhe moralin më të mirë me bashkëshortet e tyre.

Ibn Uthejmini ka thënë : “Disa burra i trajtojnë gratë si një shërbëtor i tyre, pra i shfrytëzojnë  ato  vetëm për marrëdhënie ( intime ) dhe shërbime ( të ndryshme ) dhe ju flasin atyre ( grave ) në një mënyrë të keqe duke i shikuar poshtë tyre ( dhe veten lartë ) , pastaj ata ( burra ) presin që gratë të jenë të mira me ta”. (Burimi : el Likaa esh Shehri 39; 40)

Një pasyrim i karakterit të mirë të një muslimani është mënyra e mirë e trajtimit të gruas së tij, e cila gjithashtu është reflektim i besimit të tij. Karakteri i Pejgamberit ka treguar së si duhet një musliman të sillet me gruan e tij, të mos e lëndoj emocionalisht apo fizikisht, të komunikoj duke e përfshirë në vendimarrje dhe ta mbështes atë në kohë të vështira.

Prej porosive të fundit të të Dërguarit të Allahut ishte porosia për mirësjellje ndaj grave. Këtë gjë e thekson edhe në hutben e tij në ditën e Arafatit ku ndër tjerash ka thënë : “Ju këshilloj që të silleni mirë ndaj grave sepse ato u janë besuar juve.“

Raportet me fëmijët

Aishja (radijAllahu anha) transmeton se erdhën disa njerëz nga beduinët tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)  dhe i thanë: “A i puthni ju fëmijët tuaj?” Tha: “Po.” (Ata) Thanë: “Ne, pasha Allahun, nuk i puthim!” I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)  tha: “Ç’mund t’ju bëj nëse Allahu e ka shkëputur mëshirën nga zemrat tuaja. ( Buhariu, Muslimi).

“Kush përkujdeset dhe rrit tre fëmijë vajza, i edukon mirë ato, i marton dhe e vazhdon mirësinë e tij ndaj tyre, ai është prej banorëve të xhenetit.” (Ebu Davudi)

Përgatiti: Hamide Mustafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit