4.7 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

20 këshilla në prag të provimeve

Më të lexuarat

Shejh Muhamed Salih El Munexhid

Falenderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira qoftë për Profetin (alejhi salatu ue selam), familjen dhe shokët e tij.
Studenti musliman gjithmonë i mbështetet dhe i kërkon ndihmë Allahut me qëllim që t’i përballojë sprovat e kësaj bote. Ai bën shkaqet që ka mundësi duke u nisur nga thënia e Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur (tek Allahu) se besimtari i dobët, por tek secili ka mirësi. Kushtoji rëndësi asaj që të bën dobi dhe kërkoji ndihmë Allahut dhe mos u demoralizo.” (Muslimi)
Prej këtyre shkaqeve përmendim:

1. Drejtimi i plotë tek Allahu me dua në çfarëdo lloj forme të lejuar si p.sh: (O Allahu im, ma hap gjoksin tim dhe ma lehtëso mua çështjen time).
2. Të flejë herët, me qëllim që të paraqitet në provim në orarin e caktuar.
3. Të bëjë gati të gjitha mjetet e nevojshme dhe të lejuara si: stilolapsat, mjetet shkollore (kompas, raportor), makinë llogaritëse, orë etj, sepse parapërgatitja e mirë të ndihmon në përgjigje.
4. Thënia e duasë kur del nga shtëpia: “Bismilah teuekeltu alallah ue la haule ue la kuete il-la bil-lah. Allahume ini eudhu bike en udile eu udal, eu ezile eu uzel, eu adhlime eu udhlem, eu exhhel eu juxhhel alej”. (Në emër të Allahut! Jam mbështetur tek Allahu! S’mund të bëhet asnjë lëvizje dhe s’ka fuqi për asgjë veçse me ndihmën e Allahut. O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde që mos të humb (devijoj) dhe askush të mos më shpjer në humbje, të mos gaboj dhe që askush të mos më shpjer në gabim, të mos i bëj ndokujt padrejtësi dhe askush mos të më bëj padrejtësi mua dhe të mos sillem keq ndaj ndokujt dhe askush të mos sillet keq me mua). Dhe mos harro kurrë që prindërit tuaj të jenë të kënaqur prej teje, sepse duaja e tyre është e pranuar tek Allahu.
5. Të thuash “Bismilah” para se të dalësh nga shtëpia, sepse ajo lejohet në çdo punë të lejuar dhe ka bereqet, gjithashtu të ndihmon Allahu dhe është një nga shkaqet e suksesit.
6. Ki frikë Allahun dhe mos i streso apo tmerro shokët para se të futen në provim, sepse stresi ndikon negativisht tek ata, por duhet t’i bësh optimistë me fjalë të mira e të lejuara. Profeti (alejhi salatu ue selam) ishte optimist me emrin Suhejl (d.m.th i thjeshë, i lehtë) dhe tha: “Çështja juaj u lehtësua.” Atij i pëlqente që kur dilte në udhëtim të dëgjonte emrat: Rashid (i udhëzuar), Nuxhejh (i sukseshëm). Pra, ji optimist për vete dhe vellezërit e tu, duke shpresuar se do të mbaroni provimet me sukses.
7. Përmendja e Allahut largon stresin dhe shqetësimin dhe nëse e shikon që s’po zgjidh dot një pyetje, lutju Allahut që ta lehtësojë.
Shejhul Islam Ibn Tejmije sa herë që i vështirësohej një çështje thoshte: “O Mësuesi i Ibrahimit më mëso mua, o Ti që i ke mundësuar Sulejmanit të kuptojë, më bëj që të kuptoj”.
8. Zgjidh një vend të përshtatshëm ku të ulesh për dhënien e provimit dhe mundohu që ta mbash shpinën drejt dhe të ulesh mirë mbi karrige.
9. Puna e parë që duhet të bësh është shfletimi me vëmendje i pyetjeve të provimit. Nga analizat që janë bërë tregohet se 10% e kohës së provimit duhet t’i kushtohet leximit të pyetjeve duke u përqëndruar me vëmendje, nënvizimi i fjalëve me rëndësi pastaj, caktimi i kohës për secilën pyetje.
10. Programimi i kohës. Zgjidh pyetjet e lehta në fillim, pastaj ato të vështirat. Gjatë leximit të pyetjeve mos harro të shkruash mendimet që të kujtohen në çast me qëllim që t’i përdorësh kur t’i zgjidhësh ato.
11. Çdo pyetjeje përgjigju sipas rëndësisë që ka.
12. Fillo me zgjidhjen e pyetjeve që di, pastaj me ato që janë pak më të vështira, pastaj me ato që të marrin më shumë kohë, apo që s’të kujtohen mirë ose që kanë më pak pikë.
13. Pyetjet zgjidhi me qetësi (ngadalë), sepse Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Qetësia është prej Allahut, kurse nxitimi është prej shejtanit.”
14. Mendoje mirë përgjigjen e saktë në pyetjet që kanë disa alternativa dhe vepro me to si më poshtë:
Nëse je i sigurtë për përgjigjen e saktë, mos u bëj me vesvese, por nëse nuk je i sigurtë, fillo me heqjen e alternativave të gabuara pastaj përzgjidh përgjigjen që mendon se është e saktë. Kurrë mos e ndrysho përzgjedhjen e përgjigjes së saktë derisa të sigurohesh plotësisht se është e gabuar, sidomos kur humbet shumë pikë në përgjigjen e gabuar. Analizat e bëra tregojnë se në shumicën e rasteve përgjigja e saktë është ajo që i kujtohet studentit që në fillim.
15. Në provimet me shkrim, para se të fillosh me përgjigje, përqëndrohu dhe shkruaj disa fjalë të cilat të kujtohen nga përgjigja, pastaj vendos numrat për çdo fjalë sipas rradhës së pyetjeve.
16. Gjërat kryesore shkruaji në fillim të rreshtit, pasi profesori këtë kërkon, sepse nëse e shkruan në mes të rrjeshtave ndoshta nuk e shikon, sidomos nëse profesori që korrigjon provimin është me nxitim.
17. Kushtoji 10% të kohës për rishikimin e përgjigjeve me qetësi sidomos kur janë ushtrime matematikore. Mundohu që t’i rezistosh dëshirës për dorëzimin e fletës sa më shpejt dhe mos u merakos kur shikon se disa nga studentët dalin shpejt nga salla e provimit.
18. Nëse e shikon pas provimit se ke gabuar në disa përgjigje, merr mësim për herë të tjera se duhet t’i kushtosh më shumë rëndësi përgatijes dhe të mos nxitohesh në dhënien e përgjigjeve. Ji i kënaqur me caktimin e Allahut dhe mos bjer pre e stresit dhe mërzitjes dhe kujto hadithin e Profetit (alejhi salatu ue selam) kur thotë: “Dhe nëse të godet diçka kurrë mos thuaj sikur të veproja kështu do ndodhte kështu, por thuaj: Ky është caktimi i Allahut dhe Ai bën çfarë të dojë sepse “sikur” është prej shejtanit.”
19. Dije se kopjimi në provim është i ndaluar (haram) sepse Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: ”Kush mashtron (dhe kopjimi është mashtrim) nuk është prej nesh.” Kopjimi është padrejtësi dhe rrugë e ndaluar për të arritur tek ajo që s’është e drejta jote; pikët, notat dhe dëshmia. Po kështu të biesh dakord me një nga shokët e tu për kopjim është bashkpunim në mëkat. Pra, largoju haramit që të të japë Allahu nga mirësia e Tij dhe refuzo çdo lloj mënyre të ndaluar që të ofrohet nga të tjerët. Kush lë diçka për hir të Allahut, i zëvendësohet me diçka më të mirë se ajo që ka lënë. Duhet që t’i këshillosh ata që bëjnë gjëra jo të lejuara dhe të lajmërosh për kopjimet që ndodhin gjatë provimit, para dhe pas tij, dhe kjo nuk është nga thashethemet e ndaluara, por është ndalim nga e keqja i cili është obligim. Këshilloje atë person i cili shpërndan ose shet pyetjet që vijnë në provim apo ata që përgatisin letrat e kopjeve dhe thuaju që të kenë frikë Allahun dhe lajmëroji se kjo gjë nuk lejohet dhe fitimet që nxjerrin janë haram. Po kështu kohën që kalojnë në përgatitjen e këtyre gjërave të ndaluara sikur ta kishin kaluar në përsëritje, zgjidhjen e provimeve të mëparëshme, ndihmën e njëri-tjetrit para provimit do të ishte më e mirë dhe më e dobishme për ta.
20. Kujto ahiretin dhe çfarë ke përgatitur për të, pyetjet e sprovës së varrit dhe rrugët e shpëtimit Ditën e ringjalljes: Kush largohet nga zjarri dhe hyn në Xhenet me të vërtetë ai ka fituar.
I lutemi Allahut që të na japë sukses në këtë botë dhe të na bëjë prej të fituarve dhe shpëtuarve në ahiret. Me të vërtetë Ai është Dëgjuesi që e pranon lutjen.

 

Përktheu: Hoxhë Irfan Tota
/lidhjaehoxhallareve.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit