Si muslimanë, ne të gjithë e dimë rëndësinë e namazit. Është gjëja e parë për të cilën do të merremi në llogari para Allahut (xh.sh), dhe është shtylla më e rëndësishme e Islamit pas Shehadetit (Dëshmisë islame).
Ndaj është kaq e rëndësishme që, ne t’i inkurajojmë fëmijët tanë të formojnë zakonin e faljes së namazit dhe të kenë dashurinë për ta falur atë (namazin). Ne duam që ata të ndiejnë brenda vetes dëshirën për t’u falur dhe që të flasin me Zotin e tyre, pa qenë të detyruar ta bëjnë këtë nga prindërit. Sidoqoftë, ata duhet të kuptojnë se, falja është një obligim dhe jo një zgjedhje.
Këtu janë dhjetë mënyra se si mund ta inkurajoni fëmijën tuaj që të falet:
1. Mësojini përmes shembullit
Fëmijëve iu pëlqen të imitojnë prindërit e tyre. Lërini ata t’ju shohin se po merrni abdes dhe se po merrni sexhaden e faljes kur thërret ezani.
Si prind, ju jeni shembulli kryesor për fëmijën tuaj, se çfarë do të thotë të jesh musliman. Nëse i jepni përparësi namazit gjatë ditës dhe nuk e vononi ose e humbni atë, atëherë fëmija juaj do të rritet duke e ditur rëndësinë e tij.
Ju mund t’u thoni atyre: “Unë kam takim me Allahun. Nuk mund të vonohem!”
2. Filloni që në fëmijërinë e hershme
Transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:
“Mësojini fëmijët tuaj që të falen kur janë shtatë vjeç, dhe goditini (lehtë) nëse nuk falen kur janë 10 vjeç dhe i ndani në shtretërit e tyre.”
[Ebu Daudi (459) dhe Ahmedi (6650)]
Edhe pse nuk është e nevojshme që fëmijët të falen para moshës shtatë vjeç, është një veprim i mençur të krijoni një atmosferë në shtëpi, që i inkurajon ata të falen kur janë të vegjël.
3. Le të kenë vendin e tyre të faljes
Nëse keni hapësirë, caktoni një dhomë të veçantë si vendfalje. Nëse nuk keni mundësi ta bëni këtë, atëherë përpiquni të gjeni një cep të një dhome që të përdoret enkas për faljen e namazit.
Fëmijët do të kuptojnë se sa i rëndësishëm është namazi, që madje i është caktuar një vend i posaçëm në shtëpi. Mësojuni fëmijëve se, ai vend është vetëm për namaz dhe duhet të mbahet i pastër dhe i rregullt.
4. Bëjeni sa më interactive
Fëmijët reagojnë pozitivisht ndaj shenjave vizive dhe tabelave të shpërblimeve.
Tabelat dhe kalendarët islamikë do t’i inkurajojnë fëmijët tuaj të falen në kohë. Vareni atë diku në shtëpi; kjo do të shërbejë si një kujtesë vizuale për fëmijën tuaj, duke i kujtuar atij kohët e pesë namazeve.
Gjithashtu, ju mund të bëni një pemë faljeje. Për çdo namaz që fëmija juaj e fal në kohë, ata ngjyrosin në gjethe jeshile dhe kuptojnë që Allahu është i kënaqur me ta. Nëse falen me vonesë, ata ngjyrosin një gjethe portokalli dhe paralajmërohen se Allahu nuk e pëlqen vonimin e namazit, ndaj dhe ata duhet të përpiqen më shumë. Nëse atyre u ikën një namaz pa falur, atëherë gjethja ngjyroset me ngjyrë të kuqe, dhe paralajmërohen se Allahu mund të mos jetë i kënaqur me ta, ndaj duhet t’i kërkojnë falje Atij e të pendohen.
5. Koha e festës
Kur fëmijët tuaj të mbushin shtatë vjeç, organizojini atyre “Festën e Namazit!” Ftoni të gjithë miqtë e tyre të marrin pjesë në gëzimin e ardhjes së kësaj faze të re të jetës së tyre.
Jepuni sexhaden e tyre të faljes, shaminë (hixhabin) ose orë me zilen e ezanit. Ata do të jenë aq të ngazëllyer dhe krenarë, sa mund të fillojnë ta praktikojnë vetë namazin.
6. Mësojini atij rreth Allahut
Pa e kuptuar Allahun, namazi bëhet thjesht si një ritual, të cilit i mungon lidhja shpirtërore dhe emocionale me Zotin (xh.sh.).
Që në fëmijërinë e hershme, bisedoni me fëmijët tuaj se si Allahu ka krijuar gjithçka, që i mbron dhe u jep siguri. Kjo do të ngjallë një dashuri të thellë për Allahun në zemrat e tyre.
7. Bëjeni Profetin (a.s.) heroin e tyre!
Flisni për Profetin a.s. në shtëpinë tuaj. Lexoni histori dhe flisni për jetën e Profetit a.s., duke e bërë pjesë të rutinës suaj ditore. Kur profeti Muhamed a.s. të bëhet më i dashur për ta, ata do ta marrin atë si model dhe do duan të veprojnë sikurse ai. Ata do të kenë dëshirë të falen, sepse edhe ai a.s. e ka falur namazin.
8. Hapa të vegjël
Mund të jetë një kapërcim shumë dramatik për fëmijën, kalimi nga mosfalja e asnjë vakti në faljen e pesë kohëve të namazit. Prandaj filloni me hapa të vegjël.
9. Ji këmbëngulës!
Edhe pse ne kemi dëshirë që fëmijët tanë ta duan faljen e namazit, do të ketë raste kur ata do të përtojnë ose nuk do të duan të falen.
Si prindër është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ata të falen, veçanërisht në kohën kur ata kanë mbushur dhjetë vjeç. Mos lejoni atyre t’iu ikë koha e namazit. Për të vendosur një zakon, ju duhet të jeni këmbëngulës, çfarëdo që të ndodhë!
10. Koha e familjes
Një mënyrë për të inkurajuar një qëndrim pozitiv ndaj namazit, është ta bëni atë një praktikë kolektive.
Mundohuni të faleni në familje, të paktën një herë në ditë të gjithë së bashku, me babain që udhëheq namazin. Nëse fëmija juaj mundet, jepini atij përgjegjësinë e thirrjes së ezanit dhe ikametit.
Merrini fëmijët tuaj në faljen e namazit të Xhumasë dhe në faljet e Bajrameve, sa më shpesh që të mundeni. Shikimi i një bashkësie të tërë (xhemati) që falen së bashku është kaq e rëndësishme për fëmijët dhe do t’u japë atyre një ndjenjë të fortë identiteti.
Përktheu: Armida Plumbi