24.4 C
Pristina
Monday, June 17, 2024

Vdekja e papritur që mund të trazojë ujërat

Më të lexuarat

Ç’pritet në Iran dhe rajon pas ikjes nga kjo botë të presidentit Raisi

Nga Erika Solomon & Farnaz Fassihi, New York Times

Ebrahim Raisi, presidenti i Iranit dhe një nga pretendent kryesorë për të pasuar në detyrë Udhëheqësin Suprem, u vra të dielën gjatë një aksidenti të rëndë, ku u përfshi helikopteri presidencial. Ai ishte 63 vjeç. Një klerik konservator musliman shiit, Raisi ishte një aleat i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe një përkrahës i përkushtuar i sundimit fetar në vend.

Presidenca e tij u diktua nga dy ngjarje të mëdha: rebelimi mbarëkombëtar i vitit 2022, udhëhequr nga gratë dhe vajzat, që kërkonin fundin e sundimit të shtetit teologjik shiit, si dhe lufta aktuale e Lindjes së Mesme me Izraelin, me të cilin kishte një histori të gjatë sulmesh të fshehta.

Si president, Raisi nuk ndërhyri shumë në politikën bërthamore apo rajonale të vendit. Por ai trashëgoi një qeveri, e cila po zgjeronte në mënyrë të qëndrueshme ndikimin e saj rajonal, përmes një rrjeti grupesh milicësh dhe një programi bërthamor, që po përparonte me shpejtësi nivelet e pasurimit të uraniumit deri në prag të prodhimit të armëve bërthamore pas daljes nga pakti i vitit 2015 i Shteteve të Bashkuara.

Raisi i miratoi dhe mbështeti të dyja këto politika dhe i konsideroi ato si thelbësore për Iranin për të ruajtur ndikimin e tij në rajon, si dhe për të ushtruar ndikim mbi Perëndimin. Vdekja e tij ndodhi në një moment kur një luftë hije shumëvjeçare, u shndërrua në një konfrontim të drejtpërdrejtë pas sulmit ushtarak të Izraelit në Gaza, si një hakmarrje për sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Ebraim Raisi lindi në qytetin verilindor Mashhadi në një familje klerikësh. Ai studioi në seminarin e famshëm të vendit në Qum, përpara se të merrte pjesë si 18-vjeçar në revolucionin islamik të vitit 1979, i cili rrëzoi shahun e Iranit.

Vetëm dy vjet më vonë, u bë gjyqtar në Republikën Islamike të sapokrijuar, duke filluar ngjitjen e vazhdueshme deri në majat e politikës iraniane. Ashtu si Khamenei dhe paraardhësi i tij, Ayatollah Ruhollah Khomeini, themeluesi i revolucionit, Raisi mbante veshjen e zezë të një kleriku, që është e rezervuar për “sajidët”, apo njerëzit që e kanë prejardhjen e tyre nga Profeti Muhamed.

Çështja e trashëgimisë së pushtetit në Iran është bërë më urgjente, pasi Khamenei është 85 vjeç dhe me një shëndet të dobët. Përzgjedhja e udhëheqësit të ardhshëm, është një proces i errët rivalitetesh të forta politike. Sipas Kushtetutës, atë e zgjedh një organ i zgjedhur klerikësh i quajtur Asambleja e Ekspertëve.

Raisi shihej si një nga pretendentët kryesorë për atë rol, dhe mbështetej nga fraksioni i linjës së ashpër, siç ishte djali i Ayatollah Khameneit, Mojtaba, një klerik me ndikim që aktualisht ndihmon në drejtimin e institucionit të babait të tij. Tani vdekja e Raisit, i hap rrugën Khameneit më të ri për të pasuar në detyrë të atin.

Analistët politikë e konsideronin Raisin, si një zbatues besnik të politikave të Khameneit dhe si një lehtësues të fuqisë në rritje të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në politikën dhe ekonominë e Iranit. “Ai nuk ishte një politikan me shumë karizëm. Fjalimet e tij nuk i motivonin njerëzit të dilnin në rrugë. Ai thjesht zbatonte politikën zyrtare. Ishte një ideolog që punonte brenda sistemit dhe përmes sistemit”- thotë Sanam Vakil, drejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në think-tankun britanik Chatham House.

Mbështetësit e Raisit, duke përfshirë ekspertët konservatorë në mediat shtetërore, e vlerësonin atë për rivendosjen e rregullave të rrepta fetare dhe sociale, për intolerancën ndaj zërave kundër dhe për largimin e politikave të Iranit nga Perëndimi drejt një angazhimi më të madh me Rusinë dhe Kinën.

Ai e mori pushtetin tre vjet pasi presidenti i SHBA-së Donald J.Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore. Pas atij akti, Trump rivendosi sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit, duke goditur eksportet iraniane të naftës dhe bankat e vendit.

Një vit më vonë, Irani iu rikthye pasurimit të uraniumit në pragun e prodhimit të armës bërthamore. Raisi e mori detyrën e presidentit duke premtuar se do të ndiqte një “diplomaci rezistence”, pra një sfidë ndaj fuqive perëndimore. Por kjo bashkë me të qënit i hapur ndaj negociatave, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, për t’iu rikthyer marrëveshjes bërthamore dhe për të kërkuar heqjen e sanksioneve.

Negociatat disa mujore dështuan në vjeshtën e vitit 2021, dhe deri më sot nuk është arritur asnjë marrëveshje me administratën Biden. Një nga arritjet më të rëndësishme të politikës së jashtme të presidentit të ndjerë, ishte ajo ku kishin dështuar prej kohësh paraardhësve të tij:rivendosja e lidhjeve me kundërshtaren e vjetër rajonale të Iranit, Arabinë Saudite.

Në vitin 2023, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje në Pekin për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike. Edhe pse kryesisht simbolike, marrëveshja u pa si çelësi për të zbutur rivalitetin e tyre rajonal. Po ashtu Raisi, i dha përparësi krijimit të marrëdhënieve më të ngushta me Rusinë dhe Kinën dhe largimin nga Perëndimi, duke thënë se Irani nuk mund t’u besonte Shteteve të Bashkuara dhe Evropës pas rrëzimit të marrëveshjes bërthamore.

Qeveria e tij arriti një marrëveshje gjithëpërfshirëse 25-vjeçare ekonomike, të sigurisë dhe ushtarake me Kinën.  Irani ra dakord t’i shiste Pekinit naftë me një çmim më të ulët se të tregut, në këmbim të investimeve prej 400 miliardë dollarësh në Iran nga kompanitë kineze në një gamë të gjerë sektorësh.

Po ashtu, ai shkoi shpesh në Moskë për t’u takuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, me të cilin i thelloi marrëdhëniet në fushën e sigurisë dhe atë ushtarake. Irani i ka shitur dronë Rusisë, e cila i ka përdorur në luftën e saj në Ukrainë, edhe pse ish-presidenti iranian i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Ndikimi i tij në politikën e brendshme është ndjerë shumë më thellë, dhe trashëgimia e tij ka të ngjarë të jetë e kontestuar. Gjatë sundimit të tij, vendi pësoi një rënie të madhe ekonomike, e nxitur nga sanksionet ndërkombëtare dhe një papunësi në nivele të larta.

Raisi la pas gruan e tij, Jamileh Alamolhoda, një profesoreshë e filozofisë dhe arsimit në universitet, dhe vajza e një kleriku me ndikim të vijës së ashpër, Ahmad Alamolhoda.

Çifti ka dy vajza dhe të paktën një nip.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit