9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Varret e mesjetës së hershme: muslimanët mbërritën në Francë që në shekullin e tetë

Më të lexuarat

Tre skelete të nxjerrë nga toka në Nimë të Francës kanë nxjerrë në pah praninë më të hershme të muslimanëve në territorin francez, sikundër edhe janë një tregues për ritet dhe vendet e varrimit që datojnë në shekullin e tetë të erës sonë.  Deri më tani, vendvarrimet më të hershme muslimane në Francë mendohej të ishin ato në Marsejë, e që i përkisnin shekullit të 13-të.

Një ekip shkencëtarësh përdorën teknikën e AND-së, nxjerrjen e kohës me anë të radiokarbonit dhe analizën arkeologjike për të treguar se individët e zbuluar mund të jenë ushtarë afrikanoveriorë nga koha e një pushtimi të shkurtër të jugut të Francës nga një ushtri islamike.

Detajet e analizës janë publikuar në revistën “Plos One”. Në secilin nga tre varret e studiuara, trupat ishin vendosur mbi krahun e djathtë me kokë në drejtim të juglindjes – në drejtimin e Mekës. Mënyra e hapjes së gropës së varrit, me një kamare anësore të mbyllur me gurë gjithashtu i korrespondon praktikës tradicionale islamike.

varre

Analizimi i skeletëve tregoi se dy nga tre burrat ishin në fund të të njëzetave ose në fillim të të tridhjetave, ndërsa personi tjetër ishte rreth 50 vjeç.

Metoda e gjetjes së kohës me radikarbon në të treja varret tregoi se koha varion në shekujt e shtatë dhe të tetë. Shkencëtarët gjithashtu, gjetën se kromozomi Y në AND e tre burrave i përket një tipit të zakonshëm mes fiseve berbere nga Afrika e Veriut, por që pothuajse mungon në Europë dhe në Francë.

AND mitokondriale që kalohet nga nëna tek fëmija, tek një prej të rinjve i përkiste gjithashtu një linje gjaku specifike afrikane. Por tek dy të tjerët i përkiste tipeve që gjenden si në Europë ashtu edhe në Afrikën e Veriut.

Të dhënat e publikuara në revistën “Plos One” nga ekipi i qendrës arkeologjike të universitetit të Bordosë sugjerojnë se individët e parë muslimanë erdhën në jug të Francës pikërisht në këtë kohë.

nime

Në fillim të shekullit të tetë, Nima ishte pjesë e mbretërisë vizigote që përfshinte territore të Spanjës së sotme, Portugalisë dhe juglindjes së Francës (Septimania).

Por në vitin 711, trupat muslimane pushtuan gadishullin Iberik dhe shpejt fituan territoret e mbajtura nga vizigotët , duke kaluar në lindje të Pirenejve në atë që është sot Franca, në vitin 719.

Kjo ushtri që përfaqësonte kalifatin mesjetar Umayyad mund të ketë vendosur aleanca me popullsinë lokale kundër një armiku të përbashkët që vinte nga veriu: frankët, një popull gjermanik që më pas i dha edhe emrin e vet Francës.

Bashkëautori i studimit, Yves Gleize dhe kolegë të tij sugjerojnë se tre individët e zbuluar ishin trupa të ushtrisë Umayyad, me gjasa pjesë e një garnizoni lokal.

“Analizimi i përbashkët arkeologjik, antropologjik dhe gjenetik i tre varreve të mesjetës së hershme në Nimë nxjerr të dhëna se vendvarrimet lidhen me pushtimin musliman gjatë shekullit të tetë”, përfundon Dr. Gleize. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit