Varfëria mund ta rrisë rrezikun nga dëmtimi neurologjik gjatë fëmijërisë

0

Mjediset me të ardhura të ulëta mund ta rrisin rrezikun nga dëmtimi neurologjik gjatë fëmijërisë, gjë që është e ndarë nga vonesat kognitive dhe emocionale shpesh të pranishme me varfërinë herët në jetë, sipas një studimi nga Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA.

Studiuesit vërejnë se dëmtimi ka shumë të ngjarë të mos shihet nga një vëzhgues i rastësishëm, por e rrit rrezikun për vështirësi në të mësuar, çrregullime të deficitit të vëmendjes dhe çrregullime psikologjike si çrregullimet e anksiozës dhe skizofrenisë, transmeton koha.net.

“Madhësia e efektit që e pamë ishte modeste”, tha dr. Stephen Gilman, ushtrues detyre i shefit të Degës për Sjellje Shëndetësore në Institutin Kombëtar të Shëndetit të Fëmijëve dhe Zhvillimit Njerëzor, në një njoftim për shtyp. “Megjithatë, gjetjet tregojnë se një mjedis i varfër mund të përbëjë rrezik për zhvillimin e sistemit nervor të fëmijës”.

Studiuesit i analizuan të dhënat e mbi 36,443 pjesëmarrësve të mbledhura në mes vitit 1959 dhe 1974, si pjesë e United States Collaborative Perinatal Project për anomalitë neurologjike para lindjes, në moshën 4-mujore, si dhe 1 dhe 7-vjeçare.

Hulumtuesit i grupuan prindërit si disavantazh i ulët, i mesëm apo i lartë socio-ekonomik bazuar në arsim, punësim, nëse ishin dy prindër në shtëpi, dhe faktorë të tjerë. Duke i llogaritur shtatzënitë më të rrezikuara në mesin e femrave në varfëri, testimi në lindje tregoi pak dallim në mes të fëmijëve të grupeve të ndryshme socio-ekonomike. Duke filluar në moshën 4-mujore, megjithatë, fëmijët e lindur nga prindërit më të pafavorizuar socio-ekonomikisht, e kishin një shans 12.8 për qind që të kenë anomali neurologjike, krahasuar me 9.3 për qind të fëmijëve më pak të pafavorizuar.

Nga mosha 7-vjeçare, gjasat për anormalitet neurologjik ishin 20.2 për qind në mesin e fëmijëve më të pafavorizuar dhe 13.5 për qind në mesin e më pak të pafavorizuarve.

Hulumtuesit thanë se numrat mund të kenë ndryshuar gjatë viteve që nga studimi fillestar, duke vënë në dukje se qasjet e reja diagnostike për dëmtime neurologjike, përdorimi i alkoolit prej nënës apo përdorimi i drogës, si dhe rritja e numrit të fëmijëve që jetojnë nën pragun e varfërisë federale tani mund t’i rrisin shifrat.

“Këto rezultate e përforcojnë rëndësinë e mjedisit të hershëm për neurozhvillim në përgjithësi, dhe i zgjerojnë njohuritë në lidhje me fushat e neurozhvillimit të prekura nga kushtet mjedisore”, shkruajnë hulumtuesit në studim, të publikuar në International Journal of Epidemiology. “Puna e mëtejshme është e nevojshme për t’i përcaktuar mekanizmat që e lidhin disavantazhin socio-ekonomik me funksionimin nervor të fëmijës, kohën e mekanizmave të tillë dhe reversibilitetin e tyre të mundshëm”.