7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Vallë, ti je Abdul-Mexhidi?! Tregim Madhështor!

Më të lexuarat

Dr. Muhamedel-Hudejri

Një student imi studionte në Fakultetin e Mjekësisë dhe merrte pjesë edhe në mësimet që i mbaja në xhami. Ishte shumë i zellshëm, si në mësimet e fakultetit, ashtu edhe në mësimet që i merrte nga unë, saqë nganjëherë vinte me rroba të punës në xhami, për të mësuar. Pas përfundimit të fakultetit, shkoi në Kanada për t’i vazhduar studimet. Në një nga pushimet e tij erdhi dhe më vizitoi. Kërkova prej tij të më tregojë diçka nga ajo që kishte parë. Më tha: “Do të ta tregoj një ngjarje të çuditshme.” Pastaj, nisi të rrëfejë: “Me mua në spital punojnë dy mjekë kanadezë muslimanë. Një ditë prej ditësh i ftova në shtëpinë time dhe filluam të bënim muhabet. U kërkova të më tregonin se si e kishin pranuar Islamin. Njëri nga ata e filloi tregimin e tij, duke thënë: “Ngjarja si e kam përqafuar Islamin është e çuditshme! Një ditë, ndërsa isha duke ecur në një rrugë të mbushur përplot me dyqane dhe me njerëz të shumtë, pashë një zezak, që mbante ca libra në dorë dhe i shpërndante në një mënyrë të çuditshme. Gjithsecilit që kalonte pranë tij ia lëshonte si me forcë ndonjë libër në dorë dhe në mënyrë paksa të ashpër i thoshte: “Merre! Merre! Mëso! Njihe të vërtetën! Kjo është feja e Allahut!” Edhe mua, në të njëjtën mënyrë, ma la një libër në dorë. Posa e mora librin, e flaka në shportën më të afërt që pata. Por, para se ta hidhja, e lexova titullin “The Holy Quran (Kurani i shenjtë)”. Më pas, u ktheva në shtëpi. Në mbrëmje, kur rashë për të fjetur, thashë me vete: “Ai njeri pretendonte diçka, pos kësaj më paraqiti edhe dëshmi, duke thënë se ai ishte libri i së vërtetës, ndërsa unë jam njeri që di të logjikojë. Përse nuk e mora atë libër ta lexoj?! Në qoftë se do të kisha gjetur diçka të mirë në të, do ta kisha marrë, e në qoftë se do të kisha gjetur diçka të keqe, do ta kisha lënë. Unë jam i aftë ta dalloj të vërtetën nga e kota. Vërtet ai nuk u soll mirë me mua, por një gjë e tillë nuk do të duhej të më shtynte ta bëja atë gabim.” Atë natë mezi e prita mëngjesin që ta gjeja atë njeri dhe t’ia merrja një kopje të atij libri. Kur zbardhi mëngjesi, dola në atë vend dhe po e kërkoja njeriun që shpërndante libra. Por, për fat të keq, nuk e gjeta. E kërkova librin në shportë, por shporta ishte zbrazur. Pastaj vazhdova ta kërkoj atë njeri në të gjitha rrugët e asaj lagjeje, por nuk e gjeta askund. E kërkova të nesërmen, por më kot. Të pasnesërmen gjithashtu, por prapë nuk e gjeta. Kureshtja për ta lexuar atë libër më shtohej gjithnjë e më tepër. Prandaj, së paku dy herë në javë kaloja asaj rruge, me shpresë se do ta takoja. Kjo zgjati plot tre muaj. Pas tre muajsh, prej së largu, e pashë një njeri duke shpërndarë libra. Vajta me shpejtësi tek ai, dhe pashë se ishte bash ai që po e kërkoja. Por, kësaj radhe në dorë kishte ca fletushka. Ai i shpërndante si herën e kaluar, duke ua lëshuar njerëzve furishëm në duar, duke u thënë: “Merre! Merre! Lexo! Njihe të vërtetën. Kjo është e vërteta! Kjo është feja e Zotit!” Madje, hynte edhe nëpër dyqane dhe ua shpërndante në po atë mënyrë dhe me plot vullnet, mburrje e krenari. E ndala dhe i thashë: “Ma pate dhënë një libër të titulluar “The holy Quran”, por më ka humbur. A ke mundësi të ma japësh një të atillë? I thashë ashtu, ngaqë nuk doja ta merrte vesh se e kisha hedhur në shportë. Më tha: “Nuk më kanë mbetur më! Po deshe, merre këtë fletushkë. Nuk kam tjetër gjë.” Por, unë i thashë se patjetër më duhej ai libër. Më tha: “Mirë, meqë po ngul këmbë, atëherë pritmë sa t’i kryej këto fletushka, pastaj shkojmë së bashku në shtëpi dhe ta jap kopjen time personale.” Kur e mbaroi shpërndarjen e fletushkave, shkuam në shtëpinë e tij. Ma solli librin dhe më tha: “Kjo është kopja ime personale, megjithatë po ta jap ty!” E mora me kujdesin më të madh që kisha. Menjëherë shkova në shtëpi dhe gjëja e vetme me të cilën u angazhova ishte leximi i këtij libri. Fillova ta lexoja që nga faqja e parë. Një javë të tërë nuk lexova tjetër, pos këtij libri. Kur e mbarova leximin, kuptova se vërtet kjo është feja e drejtë! Atëherë, shkova në Qendrën Islame që gjendej në qytetin tim, Toronto dhe ua tregova ngjarjen time. Ata më sqaruan si të hyj në fenë islame dhe falë Allahut u bëra musliman.” Tashti, dëgjojeni çështjen më të çuditshme! Kur përfundoi së treguari ngjarjen si e kishte pranuar Islamin, mjeku tjetër e pyeti atë: “Njeriu në fjalë, mos quhej AbdulMexhid?!” Tha: “Po! Abdul-Mexhid!” Tha: “SubhanAllah! I njëjti njeri ishte shkaktar edhe për udhëzimin tim!” Por, miku im (mjeku apo ish-studenti nga Arabia Saudite) nuk më tregoi si e kishte përqafuar fenë islame ky i fundit. Mbase mund ta ketë marrë prej tij ndonjë libër a fletushkë dhe ajo të jetë bërë shkak për ta pranuar Islamin. Tregimi ende nuk ka mbaruar! Përkundrazi, sapo ka filluar! Në vitin 2005, bashkë me një grup njerëzish të tjerë, shkuam në haxh nëpërmjet një shoqate humanitare. Të gjithë pjesëtarët e grupit ishin sauditë. Por, në ditën e Arafatit, ndërsa qëndronim nën tenda, në mesin tonë vërejta një zezak të veshur me ihram. Atë e kisha parë në ditët e mëparshme të haxhit. Nuk e kisha vënë re, ngaqë isha i zënë me dhikër (përmendje të Allahut), se ishte ditë Arafati, ditë kjo të cilën që të gjithë haxhilerët e kalojnë duke e përmendur dhe duke e lutur Allahun sa më shumë. Kur erdhi mbrëmja dhe deshëm të largoheshim nga Arafati, i bëmë gati ushqimet dhe gjësendet për t’u nisur drejt Muzdelifës. Por, mjaft gjatë e pritëm autobusin. Pastaj, me të parë se autobusi po vonohej së tepërmi dhe nuk dihej edhe sa do të duhej të pritnim, u kthyem dhe u ulëm në formë rrethi në tendë. Zezaku u ul përballë meje. Unë, meqë doja ta heqja mërzinë që mbretëronte aty, pyeta: “Prej nga është ai vëllai atje?” Njëri nga fqinjët e mi ia përktheu, ngase nuk dinte arabisht. Më tha: “Jam nga Kanadaja.” Thashë: “Më vjen mirë!” Mandej e pyeta si po ecte misioni i thirrjes islame në Kanada? Ai m’i dha ca përgjigje të shkurtra. I thashë: “Do të ta tregoj një ngjarje që i ka ndodhur një njeriu në Kanada, dhe ia tregova në mënyrë të plotë, madje edhe e imitoja shpërndarësin e librave, ndonëse nuk e njihja njeriun që po më qëndronte përballë. Por, subhanAllah… me të treguar se mjeku, pasi që e kishte lexuar librin, kishte shkuar në Qendrën Islame dhe ishte bërë musliman, zezaku që më qëndronte përballë e uli kokën dhe filloi të qante! Papritmas, m’u duk sikur dikush më zgjoi nga gjumi dhe po më thoshte: “Vallë, të jetë ky njeri ai për të cilin po flet!” Në atë moment e pyeta: “Vallë, ti je AbdulMexhidi?!” “Po, unë jam Abdul-Mexhidi!!!” – ma ktheu ai. Thashë: “Ti je burri nga Kanadaja, që i fton njerëzit në Islam?!” Tha: “Po, unë jam ai!” Mjeku saudit më kishte treguar se ky njeri rregullisht i veçon nga tri orë në ditë vetëm për t’i thirrur njerëzit në fenë e Allahut. Ia thashë këto fjalë dhe e pyeta nëse ishte e vërtetë kjo gjë. Ai e pohoi. Pastaj vazhdoi, duke thënë: “Unë nuk di arabisht, madje as që kam shumë njohuri fetare. As Kuranin nuk e kam mësuar, sepse nuk kam pasur dhe aq mundësi. Por, vazhdimisht shpërndaj libra dhe fletushka rrugëve dhe nuk e di kush bëhet musliman, e kush jo. Ja, tani e mora vesh nga ti që dy mjekë qenkan bërë muslimanë, duke qenë unë shkaktari!” Kështu pra, tregimi u bë aktual. Dikur thashë me vete: SubhanAllah! Ndoshta Allahu deshi ta nderojë këtë njeri në ditën e Arafatit e ta gëzonte duke e përgëzuar rreth asaj që kishte bërë Ai nëpërmjet këtij. Ky njeri mund të mendonte se puna që po bënte është e vogël, por kush e di se sa e sa njerëz mund ta kenë pranuar Islamin, duke qenë ky shkaktar! Prandaj, vëllezër të nderuar! Ftojini njerëzit në rrugën e Allahut, në fenë e Krijuesit, në fenë e vërtetë! Shikojeni këtë vëlla! Edhe pse i mungonin disa nga metodat e thirrjes, si: butësia, buzëqeshja dhe fjalët e ëmbla, por, meqë qëllimin e kishte të pastër dhe të çiltër, Allahu bëri që prej punës së tij të rezultojnë këto fryte madhështore! Përktheu: Jusuf Kastrati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit