Ummetit nuk do t’ia sjellin krenarinë dhe fitoren ata që janë hezitues dhe të pavendosur, por besimtarët e ndershëm dhe të palëkundur

0
147

Të gjithë besimtarët e përmendur në tregimin e ‘Ashabul-uhdud’ (të zotët e hendeqeve), u vranë në mënyrë mizore duke u hedhur në hendek të mbushur me zjarr.

Pyetemi: a nuk mund ta gënjenin mbretin tiran, a nuk mundën ta fshehin besimin e tyre dhe të heshtnin për përfitimin të fesë dhe të da’ves (thirrjes në rrugë të Zotit)?

Çfarë përfitimi kishte feja nga vdekja e tyre?

Kush do t’ua përcjellë të vërtetën njerëzve pas tyre?

Përse nuk u dorëzuan, kur e kishin parasysh se ishin në një fazë dobësie dhe pafuqie, dhe pse nuk mbetën gjallë për të rritur breza fitues?

Për ç ‘arsye Ibrahimi alejhis selam, nuk i dorëzua dhe nuk u gjunjëzua para Nimrud Ibën Ken’anit, i cili e kishte fuqinë, forcën, ushtrinë, burgjet dhe mjetet për format më të këqija të torturës?

Për ç ‘arsye as’habi Abdullah Ibën Huzafa nuk u dorëzua dhe u gjunjëzua para perandorit bizantin, i cili u përpoq ta mashtrojë atë me kënaqësitë e kësaj bote, dhe i cili e detyroi atë t’i vëzhgojë shokët e tij të robëruar deri sa vdesin në vajin e vluar, në mënyrë që ta bëjnë atë të hezitojë?

Për ç ‘arsye Imam Ebu Hanife nuk u përkul para torturave dhe fshikullimeve nga Ibën Hubejra, guvernatori i Kufes dhe Basrës, dhe pse ai e pranoi të fshikullohet dhe torturohet në vend se ta pranojë pozicionin e kadiut kryesor në Kufa?

Për ç ‘arsye Imam Evzai nuk u dorëzua dhe nuk u gjunjëzua para halifes abasid, i cili brenda një dite vrau 1.800 muslimanë dhe nuk ngurroi ta vriste edhe Imam Evzaiun?

Për ç ‘arsye Ibën Tejmije nuk u dorëzua dhe nuk u tërhoq përballë padrejtësisë së sunduesit dhe dënimit me burg në të cilin kaloi shumë vite dhe ku e përfundoi jetën?

Për ç ‘arsye imami ehli sunnetit, Ahmed ibn Hanbel nuk u tërhoq përballë fitnes dhe intrigave që lindi nga imponimi i disa halifëve abasid rreth idesë dhe besimit mbi krijimin e Kuranit?!

Për ç ‘arsye Allahu e mundësoi foshnjën të fliste në momentin kur nëna e tij mendoj të hiqte dorë që djali i saj i mitur të mos hidhej në zjarr të përgatitur nga sundimtari jobesimtar dhe tiran?

Allahu bëri që foshnja të flasë dhe të thotë: “Qëndro, nënë, ti je me të vërtetën!” Për ç ‘arsye nëna e tij nuk zgjodhi të qëndrojë e gjallë dhe të ngrejë breza fitues të besimtarëve në suaza të aftësive të saj?

Besimtarët dhe besimtaret e lartpërmendur, gjigandët e fesë Islame, nuk nguruan dhe nuk hoqën dorë nga e vërteta dhe luftuan për të vërtetën edhe me çmimin të torturoheshin dhe vriteshin.

Ata e dinin se fitoren e fesë dhe krenarinë e Ummetit nuk do ta sjellin hezituesit e pavendosur, madje sikur të ishin shumë sikur shkuma e detit, por besimtarët e ndershëm dhe të palëkundur, të cilëve interesi i përgjithshëm u qëndron para interesit personal dhe të cilët për qëllim e kanë kënaqësinë e Allahut, dhe jo dynjallëkun dhe përfitimet afatshkurta të kësaj bote.

Ata e dinin që ngadhënjimi i së vërtetës domethënë përqendrimi në të vërtetën, pavarësisht nga pasojat. Këmbëngulja në të vërtetën në momentet kur heshtja dhe asnjanësia janë të ndaluara dhe kur nuk ka asgjë tjetër pos poshtërimit në to, të paktën na është dukur ndryshe.

Dhe a vdiq besimi dhe u zhduk besimi pas vdekjes së tyre?!

Jo! E vërteta për të cilën ata luftuan dhe për të cilën vdiqën, mbeti të jetojë dhe të arrijë deri tek ne, në mënyrë që të na e përcjellin mesazhin e qartë: “Qëndroni në të vërtetën dhe fitorja do të vijë sot apo nesër, në gjeneratën tuaj apo pas juve”.

Autor: Abdusamed Nasuf Bušatlić (Saff.ba)
Përktheu: Lutfi Muaremi