Udhëtarët: 18 orë pa drita, në traget me Bamir Topin

0
51

I ka kushtuar plot 18 orë vonesë në det Presidentit të Republikës Bamir Topi kthimi nga Italia pas vizitës zyrtare në vendin fqinj. Në vend të avionit ai kishte zgjedhur të udhëtonte në det me traget, gjë që sipas punonjësve të portit e kishte aplikuar edhe herë të tjera. Por teksa anija po përgatitej të hynte në ujërat tona territoriale ka pësuar avari në sistemin e tubave të ajrimit si dhe në filtrat e motorit. Në këto kushte trageti “Adriatika 1” ka qenë i detyruar të ndalonte për të riparuar defektin. Janë dashur disa orë derisa është bërë e mundur që mjeti lundrues të riniste lundrimin, por ndërkohë në krah të tij janë vënë 2 mjete emergjencash të nisura nga kapiteneria e portit të Durrësit, njëri rimorkiator dhe tjetri motovedetë e kufirit.

Ndërkohë burime pranë presidencës në Tiranë dje deklaruan se kreu i shtetit udhëtoi me traget dy ditë më parë për në Itali dhe jo me avion për shkak të financave. Po sipas këtyre burimeve autoritetet më të larta të vendit tonë kanë kontaktuar gjatë gjithë kohës me Topin dhe i kanë ofruar ndihmë që të kthehej me avion, por presidenti i Republikës në shenjë solidariteti ka qëndruar në traget ku ndodheshin 290 persona. Gjithashtu, ndihmë kanë ofruar dhe autoritetet italiane pas njoftimit për defektin në tragetin “Adriatika 1”. NGJARJA Dje, rreth orës 08:00, teksa trageti “Adriatika 1” lundronte nga porti Italian i Barit në drejtim të Durrësit ka pësuar avari e për këtë arsye ka qenë i detyruar që të ndërpresë lundrimin.
Në këtë traget po udhëtonte edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili po kthehej nga një vizitë zyrtare që kishte realizuar në Itali.

Sipas Kapitenerisë së Portit të Durrësit, distanca nga vendi i ndalimit të mjetit deri në port ishte 24 milje, ndërsa sipas agjencisë që ka në pronësi tragetin, kjo distancë ishte 15 milje. Ekuipazhit të tragetit i janë dashur më tepër se 4 orë punë për të riparuar disi defektin dhe për të rindezur motorët e mjetit. Por gjërat nuk shkuan si më parë, pasi shpejtësia e tragetit ishte mjaft e ulët, vetëm 2 milje në orë. Trageti u rinis në lundrim pas orës 12:00. MASAT Ndërkohë, Kapiteneria e Portit të Durrësit e sinjalizuar nga drejtuesit e tragetit për avarinë mori masat e saj për t’u vënë në ndihmë të mjetit lundrues, në të cilin po udhëtonte edhe kreu i shtetit, Bamir Topi.

Një rimorkiator dhe një motovedetë e policisë kufitare arritën tragetin dhe u vunë në ndihmë të tij. Më pas trageti u lidh me litar me rimorkiatorin dhe së bashku lundruan për orë e orë të tëra derisa hynë në portin e Durrësit. Teksa trageti po i afrohej portit detar në ndihmë shkoi edhe një rimorkiator tjetër, pasi një erë e fortë që nisi të fryjë nga veriu e pengonte lëvizjen e tij. Pas shumë mundimesh trageti “Adriatika 1” arriti që të hyjë në akuatorium ku nisi edhe faza më e vështirë e këtij operacioni ajo e akostimit të tragetit në kalatë. Janë dashur plot 2 orë që trageti të mund të lidhej me kalatën dhe kjo ndodhi në orën 22:00. Ndërkohë Garda Kombëtare kishte rrethuar terminalin e trageteve duke mos lënë askënd të futej brenda tij. Përpara tragetit kishin zënë vend pjesëtarët e eskortës së presidentit së bashku me mjetet e tyre. I pari që zbarkoi nga trageti ishte vetë presidenti Topi, i cili menjëherë hipi në automjetin e tij dhe nën sirenat e mjeteve shoqëruese doli me shpejtësi nga porti dhe u nis në drejtim të Tiranës. Më pas nisën të zbarkojnë edhe udhëtarët, të cilët të lodhur e të irrituar nga kjo vonesë e stërzgjatur. Ata deklaruan se nuk e kishin besuar kur pjesëtarë të ekuipazhit ju kishin thënë se në traget ndodhej edhe presidenti Topi. “Kujtuam se kjo ishte një taktikë për të na qetësuar gjatë orëve të gjata të qëndrimit në det kanë thënë pasagjerët e lodhur të ‘Adriatika 1′”.

Udhëtimi me tragetin “Adriatika 1″ na kushtoi jo pak, por afro 24 orë. Në traget nuk kishte as drita, dhe për pasojë as ushqim. Të gjithë jemi të pa ngrënë. Ekuipazhi na dha vetëm ujë për të pirë”. Kështu pohoi dje Gjikë Kroni nga Shkodra, njëri nga udhëtarët e tragetit “Adriatika 1”, i cili pësoi defekt në det. Ndërkohë, Kroni thotë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se fillimisht nuk e besuan se në këtë traget ndodhej dhe presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Si ju quajnë?
Jam Gjikë Kroni nga Shkodra.
Sa orë keni që lundroni?
Jemi imbarkuar në traget në orën 21:00 të ditës së martë dhe kemi mbërritur pothuajse 24 orë më vonë.
Kur e morët vesh për avarinë në tragetin “Adriatika 1?
Na njoftuan në orën 08:00 të mëngjesit dhe na thanë se për çerek ore gjithçka do të jetë gati dhe do të nisemi për lundrim. Por kaluan disa orë derisa trageti u nis për rrugë, por me një shpejtësi fare të vogël.
Çfarë ndodhi më pas?
Në traget nuk kishte furnizim me energji elektrike, ndaj nëpër dhoma nuk kishte drita.
Cili ishte trajtimi nga ana e ekuipazhit?
Na dhanë ujë, por ushqimi për mungesë të energjisë mungoi, pra jemi të pa ngrënë.
Po fëmijë a kishte në traget?
Po, ata ishin shumica në traget. Edhe ata kaluan vështirësi njëlloj si ne të rriturit, por më në fund mbërritëm shëndoshë, dhe kjo është kryesorja. A e dinit që në traget ndodhej edhe presidenti Topi?
Na thanë pjesëtarët e ekuipazhit, por unë nuk e besova dhe kujtova se mos kjo ishte taktikë për të na qetësuar. Por, më vonë e pashë presidentin madje u përshëndeta me të.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)kohaislame