4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Turqia në ndihmë të besimtarëve shqiptarë

Më të lexuarat

Fondacioni i Dijanetit turk (TDV) në ndihmë të besimtarëve shqiptarë gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë(TDV), ka shpërndarë ndihma në Shqipëri, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Krahas ndihmave për shtresa dhe vende të ndryshme, TDV ka dhënë ndihma edhe për anëtarët e shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë.

Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, kryetari i kësaj shoqate, Shefqet Taku, ka falënderuar për ndihmat Fondacionin e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë dhe ka vënë theksin tek miqësia shekullore shqiptaro-turke, që sipas tij ka qenë “dy popuj një shpirt, dy popuj një mendje dhe dy popuj një familje.”

Ndërsa në fjalën e tij, zv. Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Cem Baş ka thënë se muaji i Ramazanit është muaji i unitetit, ndihmës reciproke dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.

“Është muaji kur ne ndahemi nga gjërat dhe veset e këqija. Është muaji ku ne përjetojmë vlerat dhe mirësinë më të larta të sjellura nga feja Islame. Për këtë arsye unë jam shumë i lumtur që jam sot këtu midis jush”, ka thënë ai dhe më pas ka shtuar se Turqia është një vend mik i vërtetë i Shqipërisë.

“Të gjithë ne si shtetas turq që ndodhemi në Shqipëri jemi gjithmonë pranë këtij vendi. Shqipëria dhe shqiptarët kanë një vend të veçantë tek ne. Nuk e kemi ndjerë kurrë veten si në një vend të huaj këtu. Dhe në Turqi ka të njëjtat mendime në lidhje me këtë”, ka thënë Baş.

TDV ka shpërndarë në qytetet Tiranë dhe Shkodër 880 pako ushqimore me rastin e muajit të Ramazanit, si dhe ka organizuar iftare për rreth 1000 persona.

Nga ana tjetër shoqata “Istanbul” me mbështetjen e fondacionit turk “Hydaye” organizon çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit iftare me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë të qytetit të Shkodrës dhe më gjërë.

-Në një prononcim radiofonik për “Zëri e Turqisë”, TRT në Shqip, përfaqësuesi i Dijaneti turk, Ali Karça tha:

“…Komuniteti Myslimanë i Turqisë (Dijaneti) prej shumë e shumë vitesh përpiqet që në mbarë botën ti qëndroj afër njerëzve në nevojë sidomos gjatë muajit të Ramazanit. Një prej ndihmesave të tjera është në fushën e studimit, ku studentë të huaj që vijnë nga shtetet e ndryshme me studime në Turqi u ofrojmë bursa apo shërbime të ndryshme për arsimimin e tyre. Gjithashtu gjatë muajit të Ramazanit ofrojmë edhe shpërndarjen e pakove të ndihmave të ushqimeve për njerëzit në nevojë, ndërsa në ditët e Kurban Bajramin shpërndajmë  mishin e kurbanit. Aktualisht Komuniteti Myslimanë i Turqisë ofron në 110 shtete të ndryshme të botës kontribute humanitare pa dallim feje, race, kombi ejt. E rëndësishme është që të gjithë të jenë të përfshirë…”.

Ndërsa, kryetari i shoqatës “Istanbul”, Ridvan Seferaj në një intervitë të shkurtër për TRT në Shqip në lidhje  me bashkëpunimin e shoqatës me Dijanetin turk ai tha:

“Shoqata “Istanbul” që nga fillimet e saj ka afro 17 vite që në vitin 2000 në ambientet e saj shtron në mënyrë tradicionale yftare, normalisht nga viti në vit ka ardhur duke u shtuar dhe zgjeruar. Kohët e fundit kemi patur dhe partëneritete me shoqata dhe fondacione të ndryshme me të cilat ka disa vite që kemi një bashkëpunim të rëndësishëm dhe të frytshëm si p.sh me; Fondacionin e Dijanetit turk.

Bashkëpunimi jonë insiston në shtrimin e yftareve dhe shpërndarjen e ndihmave. Për Ramazanin e 2017 bëhet fjalë për shpërndarjen e ndihmave, ku kanë përfituar afro 300 familje nëpërmjet Dijanetit të Turqisë dhe gjithashtu u ofrohen yftare rreth 1000 personave këtu nw ambientet e shoqatës “Istanbul”. Normalisht bashkëpunimi i shoqatës nuk është vetëm me Dijanetin turk, por kemi dhe bashkëpunim shumë të mirëfilltë dhe shumë të fuqishëm me fondacionin “Hydaye”, me qendër në Stamboll, me të cilin shpresojmë që këto bashkëpunime të japin frytet e të vazhdojnë edhe vitet e ardhshme…”

-Por si funksionon shpërndarja e ndihmave humanitare, z. Seferaj u shpreh:

“…Shoqata “Istanbul” prej vitesh ka përcaktuar disa familje, nuk është se ne e bëjmë këtë ndihmë vetëm në muajin e Ramazanit, janë të përcaktuara disa familje që marrin vazhdimisht ndihma ushqimore, mirëpo ne raste të veçanta siç është muaji i Ramazanit, Kurban Bajrami  kemi disa familje që i kemi përcaktuar më përpara, kemi një grup pune që e dinë vendndodhjet e tyre, numrin e personave të famljies dhe në bazë të këtyre në momentin që vjen një ndihmë nga Turqia apo nga vende të tjera nga donatorë të ndryshëm bëjmë përcaktimin e atyre  familjeve që e kanë më të nevojshëm. Kjo është një procedurë që ka vite që e vazhdojmë, siç e thashë edhe më përpara ka kohë që bashkëpunojmë me Dijanetin turk dhe që në fillimet tona funksionojmë si një degë e fondacionit “Hydaye”, e cila në një farë mënyre  janë nismëtarët dhe motori i misionit tonë humanitar, arsimor dhe kulturor. Kjo ndihmë është pak a shumë për ta ndierë edhe shtresa në nevojë harmoninë dhe atmosferën e  Ramazanit, si muaj i mëshirës dhe i bamirësisë…”

-Cila është logoja që ju shoqëron gjatë këtij misioni shumë human, jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit, por edhe në vazhdimësi, inspirimi që keni dhe vullnetarët që ju shoqërojnë?

“…Një ndër objektivat dhe ndër aktivitetet më kryesore të shoqatës “Istanbul” janë në fushën e arsimit dhe të kulturës, mirëpo nuk na kanë munguar edhe aktivitetet sociale ose aktivitetet në përkrahje sociale. Ajo që na motivon më shumë është fryma ose mesazhi islam për t’i ardhë në ndihmë  njerëzve në nevojë, sepse një nga  porositë profetike është që t’i ndihmojmë nevojtarët : “Më i miri prej jush është ai, i cili është më i dobishmi për njerëzit”. Në njëfarë mënyre kjo ka qënë dhe është frymëzim për të ndihmuar njerëzit të varfër dhe nevojtarë…” 

-Në fund, kryetari shoqatës “Istanbul”, Ridvan Seferaj dha këtë mesazh-urimi për besimtarët shkodranë, shqiptarë por edhe gjerë?

“…Më lejoni që nëpërmjet radios tuaj t’u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë botës islame agjërim të lehtë dhe të pranuar, qoftë ky muaj i paqes, i harmonisë dhe i dashurisë mes njeri-tjetrit, duke shpresuar që në të ardhmen ky popull të shohin ditë edhe më të bukura  gjithmonë, duke i ardhur në ndihmë njeri-tjetrit, duke qenë më afër njëri-tjetrit, duke i ndarë dhimbjet po me njeri-tjetrin, ashtu siç i ndajmë ndjenjat e bukura, pse jo edhe kafshatën e bukës ta ndajmë me njeri-tjetrin. Besoj se gjërat kur ndahen bashkë jeta bëhet më e bukur dhe më interesante. Qytetarët e Shkodrës historikisht e kanë pasur bashkëpunimin, bashkëjetesën, harmoninë, tolerancën mes njëri-tjetrit, duke shpresuar dhe dëshiruar që ky bashkëpunim dhe mirëkuptim të rritet, të zgjerohet edhe në këtë muaj të shenjtë. Ndërkohë, ftoj të gjithë besimtarët myslimanë të japin mesazhe paqeje dhe harmonie, të jenë sa më tolerantë mes njeri-tjetrit , duke përfshi edhe popullatën  jomyslimane që jetojnë këtu në Shkodër, siç ka qenë më parë historikisht me shekuj…”

***

-Autoritetet e larta të shtetit shqiptar dënojnë aktet e fundit terrosite në Londër.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për sulmin e fundit terrorist në Londër.

Në një letër ngushëllimi dërguar Kryetarit të Parlamentit Britanik, John Bercow shkruan se “…Jam thellësisht i trishtuar që brenda 3 muajve dënojmë një tjetër sulm terrorist në Britani”.

Meta shprehet se shqiptarët përkrahin popullin britanik në luftën kundër terrorizmit.

“Ngushëllime familjeve të viktimave dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Së bashku me qytetarët e Londrës qëndrojmë kundër akteve të tilla ekstremiste e barbare”, shprehet kryetari i kuvendit shqiptar.

Ndërsa, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka shprehur ngushëllime për sulmin terrorist në Londër.

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Bushati shkruan se:

“Jemi të gjithë të shokuar nga sulmet terroriste të përsëritura në kryeqytetet e Europës. Londrës iu desh të përballej mbrëmë me një tjetër sulm barbar. Ngushëllimet tona popullit britanik. Shqipëria do të vijojë të mbështesë Mbretërinë e Bashkuar në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, shkruan Bushati.

***

-Presidenti Nishani në Takimin e Berlinit: Marrëdhëniet mes njerëzve po cënohen nga terrorizmi…

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit, i organizuar nga Bundestagu dhe Shoqata gjermane për Bashkëpunim e Mirëkuptim mes Njerëzve. 

Në këtë edicion të 22-të, morën pjesë liderë e personalitete të shumta gjermane dhe të huaja, të politikës, besimeve të ndryshme fetare, botës akademike etj.

Presidenti Nishani theksoi ndër të tjera në fjalën e tij se marrëdhëniet ndërnjerëzore, me gjithë arritjet e paimagjinueshme në intensifikimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit, si dhe në fushën e të drejtave të njeriut, po cënohen nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, populizmi, fuqizimi i rrymave anarkiste, ndërsa shtoi se, “vëmendja kryesore e politikës dhe e shoqërive tona sot është tërësisht e përqendruar në gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit e koordinimit për një botë më të sigurt, si për shoqërinë aktuale ashtu edhe brezat që vijnë pas”.

Kreu i shtetit i njohu të pranishmit edhe mbi eksperiencën e veçantë të Shqipërisë, jo vetëm sa i përket pranisë së disa besimeve kryesore fetare, por për traditën e madhe e shumëshekullore të bashkëjetesës, harmonisë dhe respektit reciprok mes këtyre besimeve, duke i konsideruar si shtyllat e qëndrueshmërisë së shtetit dhe vlera të patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare në tërësi. Si shembull të tolerancës, Presidenti Nishani përmendi strehimin dhe mikpritjen që shqiptarët i ofruan gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë hebrenjve që ndjeheshin të kërcënuar në vende të tjera të Evropës.
Ai evidentoi edhe rolin e madh që luajnë komunitetet fetare dhe krerët e përfaqësuesit e tyre në Shqipëri për adresimin e fenomenit të terrorizmit dhe të ektremizmit të dhunshëm, si dhe bashkëpunimit të strukturave shtetërore me këto komunitete për ç’kurajimin e elementëve te radikalizuar.

Në këtë forum ndërkombëtar Shqipëria u përfaqësua dhe me anëtarë të komunitetit mysliman, të Kishës Katolike, Kishës Ortodokse, të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, si dhe të Vëllazërisë Ungjillore.

***

– Ul siparin Festivali Mbarëkombëtar shqiptar i Këngës për Fëmijë, shpallen fituesit.

Pas dy netëve të prezantimit të këngëve konkuruese, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë uli mbrëmjen të shtunës siparin e edicionit të tij të 55-të, që u zhvillua si çdo vit në qytetin e Shkodrës.

“Mos ma prekni pemën” një këngë e kompozuar dhe orkestruar nga Kristi Popa, me tekst të Jorgo Papingjit, kënduar nga Ana Kodra është fituesja e çmimit të parë në edicionin e 55-të të Festivalit.

Ana Kodra do të përfaqësojë zyrtarisht Shqipërinë në Eurovision “Junior Contest”, i cili do të mbahet më 26 nëntor 2017 në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë është cilësuar si festivali i vlerave ku fëmijët me apo pa çmime kalojnë eksperienca të jashtëzakonshme që mbeten gjatë në memorie si rezultat i një pune të jashtëzakonshme të Kujtim Alija, i cili u nderua në këtë festival me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. 

“…Më vjen mirë kur të vlerësojnë për punën, por këto vlerësime i kam marrë në rradhë të parë nga bashkëqytetarët e mi në çdo cep të Shkodrës dhe ndihem shumë i lumtur nga istitucionet e qytetit si dhe nga instuticionet kombëtare. Do të përpiqem që akoma më shumë që qytetit, por edhe më gjërë t’i ofrojmë shfaqje cilësore si dhe Shkodrës dhe Shqipërisë t’i shtojmë zëra të bukura dhe zëra interesantë…”.

Ky festival tashmë që prej vitit 1993 është bërë një skenë multikulturore, duke përcjellë vlerat shqiptare edhe të trevave përreth.

Festivali mbarëkombëtar këtë vit erdhi nën organizimin e Bashkisë Shkodër me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të tjera. Në këtë festival morën pjesë rreth 200 fëmijë nga të gjitha trevat shqipfolëse, si dhe interpretuesit e vegjël më të spikatur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit