4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

TIKA Turke pajis Qendrën e Shoqatës Autizmi në Prishtinë

Më të lexuarat

“Ne me TIKA-n dhe institucionet tjera do të vazhdojmë që me projekte në fusha të ndryshme të jemi pranë dhe t’i përqafojmë edhe pjesët tjera të shoqërisë të cilët presin mbështetje”, tha ambasadorja Kılıç

 

 Në kuadër të programit për përmirësimin e infrastrukturës fizike të organizatave të autizmit në Kosovë, në Prishtinë sot u inaugurua “Projekti i Pajisjes me Inventar dhe Instalimi i Dhomës Senzorike në Qendrën e Shoqatës Autizmi”, të realizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e përurimit të këtij projekti u realizua në praninë e ambasadores së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, koordinatorit të TIKA-s në Kosovë Hasan Burak Ceran, kryetarit të shoqatës Autizmi, Cenë Krasniqi si dhe mësuesve, prindërve e nxënësve.

Ambasadorja Kılıç në një fjalë rasti shprehu gëzimin për të qenë e pranishme në hapjen e një projekti shumë të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë dhe atë të arsimit.

Ajo theksoi se me këtë projekt të realizuar nga TIKA ndjejnë krenari për të kontribuar në arsimimin e fëmijëve që marrin shërbime nga kjo qendër. “I gjithë qëllimi ynë është të ofrojmë kontribut dhe të japim mbështetje edhe ne, në mënyrë që kosovarët, duke filluar nga fëmijët dhe të rinjtë si individë të përfaqësohen dhe të jenë pjesë e shoqërisë në të cilën jetojnë. Ne me TIKA-n dhe institucionet tjera do të vazhdojmë që me projekte në fusha të ndryshme të jemi pranë dhe t’i përqafojmë edhe pjesët tjera të shoqërisë të cilët po presin mbështetje”, u shpreh ambasadorja Kılıç.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti duke falënderuar shtetin e Turqisë dhe TIKA-n për ndihmën e vazhdueshme që ofrojnë për zgjidhjen e problemeve sociale në Kosovë, tha se kjo qendër “është vetëm një paralajmërim” për financimin e përbashkët që do ta realizojnë me TIKA-n, për një qendër të komunës për fëmijët me autizëm dhe sindromën down.

“Kjo qendër do të jetë bashkëfinancim i Komunës së Prishtinës, TIKA-s, shoqatave për sindromën Down dhe shoqatave të autizmit dhe do të ofrojë shërbime të cilat në shumicën e rasteve po e quaj prindërit nuk kanë mundësi ose që të paguajnë ose të gjejnë shërbime të tilla në institucionet tona publike dhe shtetërore”, tha Ahmeti.

Kryetari i Shoqatës Autizmi, Krasniqi falënderoi TIKA-n dhe popullin turk për këtë kontribut, duke thënë se për prindërit e fëmijëve me autizëm është shumë domethënëse çdo ndihmë, qoftë nga aspekti material, qoftë nga aspekti psiqik.

“Këtu ka ardhur menjëherë në ndihmë edhe TIKA me ndihmën e popullit turk dhe i kanë financuar me një buxhet mjaft të lartë pajisjet specifike duke e pasur edhe dhomën integruese ku thjeshtë iu ndihmon shumë këtyre fëmijëve”, tha ai.

Pjesëmarrësit me këtë rast vizituan qendrën e Shoqatës Autizmi dhe panë nga afër pajisjet e ofruara nga TIKA.

Kujtojmë se në Qendrën e Shoqatës Autizmi e cila shërben në një kat të Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëri të Prishtinës marrin shërbim 50 fëmijë dhe aty punojnë 18 terapistë. Organizata është themeluar me qëllim të zhvillimit të shkathtësive dhe potencialeve të fëmijëve me autizëm, integrimin e tyre në shoqëri dhe rritjen e vetëdijes në nivel qeveritar dhe joqeveritar lidhur me autizmin dhe shërbimet e nevojshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit