Thaçi: Dacici, si Sloba i vogël

0
49

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është i gatshëm për të biseduar me presidentin e ri serb Tomislav Nikolic dhe mandatarin për formimin e Qeverisë serbe, Ivica Dacic, por ky i fundit, sipas Thaçit, duhet të harrojë Kosovën dhe të mos sillet si “Sloba i vogël”.

Deklarimet e tij Thaçi i ka bërë në një intervistë për gazetën vjeneze „Die Presse“, duke shtuar se zgjedhja e Nikolicit dhe Dacicit në zgjedhjet e fundit në Serbi është një hap prapa, për shkak se emrat e tyre, siç ka thënë kryeministri i Kosovës, kanë qenë të lidhur me zhvillime të këqija.

Thaçi ka nënvizuar se Prishtina do të bashkëpunojë me autoritetet e reja serbe, kur një hap të tillë ta bëjnë Bashkimi Evropian dhe SHBA-të.

“Patjetër duhet të punojmë për një ardhmëri më të mirë për dy vendet. Nëse Brukseli dhe Uashingtoni bashkëpunojnë me ta, atëherë këtë do ta bëjmë edhe ne“, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij, Serbia dhe, sidomos Dacici nuk ka nevojë të sulmojë sovranitetin e Kosovës. “Ai duhet të harrojë Kosovën. Nuk është koha e Milosevicit. Ai duhet të tregojë se respekton normat dhe standardet ndërkombëtare. Ai shfaqet si një politikan proevropian, por vepron si një Sloba i vogël“, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Thaçi ka shtuar se Nikolici dhe Dacici e kuptojnë realitetin e Kosovës, por akoma nuk janë të gatshëm për njohjen. Kryeministri ka thënë se Prishtina do të prezantojë ofertën e re për veriun e Kosovës, e cila parasheh se si do të integrohet komuniteti serb në shoqërinë e Kosovës.kohaislame