Tërmeti do të vazhdojë nëse…

0
169

AGIM BAÇI 

Edhe një jetë e humbur nga tërmeti do të ishte dhimbje e madhe. Edhe një shtëpi e vetme e shembur sërish duhet të na trishtonte, sepse shtëpia për shumë shqiptarë është e gjithë lodhja e jetës.

Por, a ka qenë ky tërmeti i vërtetë për ne? Nuk e kam fjalën këtu për lëkundjet e tokës, sepse nuk jam sizmolog e as inxhinier ndërtimi, ndaj për ato lëkundje na mbetet veçse t’i lutemi Zotit të na ruajë nga fatkeqësi të tjera. Unë flas për një tërmet tjetër, atë të besimit tonë te shteti, te politika, te institucionet, te profesionistët, që, për hir të së vërtetës, ka marrë një goditje të madhe dhe që përbën ndoshta konstruksionin më të vështirë për t’u rindërtuar.

Pavarësisht përgjegjësive që duhet të mbajë gjithkush për punën e tij, unë nuk mendoj se gjendja aktuale zgjidhet me burgosje. Në këtë vend ka pasur burgosje në emër të ligjit, që në realitet nuk kanë zgjidhur ndonjë gjë të madhe. Ka pasur ndëshkime në emër të vendosjes së shtetit ligjor, ama, ky model veçse e ktheu shtetin vetëm pjesë të forcës dhe terrorit e jo të dhënies së ideve për zgjidhje. Por shteti nuk është e nuk mund të jetë thjesht superndëshkuesi, por më së pari ruajtësi i qetësisë dhe sigurisë së jetës së qytetarëve dhe dhënies së besimit se në këtë vend ia vlen të jetosh, punosh dhe investosh.

Ka shumë thirrje emocionale të njerëzve të dëmtuar, që kanë humbur të afërmit e tyre apo shtëpitë, për të ndëshkuar inxhinierë, arkitektë, kolaudues, ish-kryebashkiakë, drejtues vendorë apo edhe përfaqësues të institucioneve që duhet të garantojnë përmes parashikimeve shkencore ndërtimet. Të gjitha këto thirrje, edhe pse të drejta, kanë të bëjnë vetëm me të djeshmen tonë, me atë që bëmë gabim. Ndërkohë që e nesërmja është përpara nesh dhe ajo ka nevojë që të shihet në sy, edhe pe ndëshkimi ka pjesën e vet të rëndësishme për të parandaluar atë që njeriu mundet ta parandalojë.

Ne duhet ta lexojmë të shkuarën me fakte. Ne duhet të pranojmë hapur se në këto 30 vite nuk e kemi marrë shtetin seriozisht, e as ai nuk na ka marrë për të tillë. Shumë hapa kanë qenë formalë, qoftë në dhënie lejesh shfrytëzimi, ndërtimi apo të situatës sizmologjike. Ne si popull kemi preferuar të kalojmë shpesh nën dorë atë që duhet ta bënim më mirë. Të korruptojmë një zyrtar dhe të mbyllim sytë se shkelet prona dhe e drejta. Për këtë, profesionistët më shumë kanë heshtur sesa kanë folur. Dhe kjo duhet të na bëjë të gjithëve të ndihemi bashkëfajtorë, edhe sikur të kemi heshtur vetëm përpara fakteve që i kemi parë apo ditur, e nuk i kemi thënë. Sepse shumë nga ajo që ndodhi mund të ishte shmangur, të paktën për jetën e njerëzve, të cilët në Thumanë apo Kombinat nuk duhej të ishin më në ato banesa pas tërmetit të shtatorit 2019. Por formalizmi ka triumfuar sërish dhe ne sot jemi përballë një mosbesimi që herë e kemi mbështetur e herë e kemi miratuar në heshtje, sepse kemi dashur të shohim rehatinë tonë.

Ne sot kemi nevojë pa dyshim për shumë investime. Por asnjë investim nuk do të ishte aq i dobishëm nëse nuk nisim me dhënien e besimit për ata që dinë t’i bëjnë punët. E tregoi këto ditë media, që është e aftë ta japë Shqipërinë realisht kur dolën nga studio dhe kasetat e përgatitura dhe dhanë njerëzit nga terreni, bashkë me të vërtetat që na dhembin. Por ne kemi nevojë ta dimë dhembjen tonë, si i sëmuri që duhet të dijë diagnozën. Dhe ky duhet të ishte një moment i mirë edhe për politikën, për të pranuar disa të vërteta, pasi tërmeti ua bëri të ditur se sa të limituar janë si qenie njerëzore. Politikanët e zyrtarët, që në këto vite kanë ngritur grushtet, duke e konsideruar veten të plotfuqishëm, kanë shansin këto ditë, ashtu si shumë bashkëqytetarë, të kuptojnë limitet e mendjes dhe forcës së tyre. Ndoshta edhe shansin se disa gjëra, kur bëhen për atdheun, kanë nevojë për çdo ngjyrë. Sepse ne duhet të duam këtë vend, më parë se të duam partinë që votojmë. Nëse mbetemi këtu, tërmeti i mosbesimit do vijojë vetëm të shkatërrojë më shumë sesa banesat, sepse për mosbesimin nuk ka trarë që mund ta ringrejnë, që mund ta rindërtojnë. Sepse mosbesimi është tërmeti që na shemb edhe atë që nuk kemi ndërtuar akoma.

Natyrisht, që organizmat qeveritare do bëjnë atë që është më emergjente, që t’u japin strehim dhe ushqim atyre që kanë pësuar dëme. Por, edhe më emergjente është zgjidhja e rikthimit në shinat e një politike që ka në qendër të saj këtë vend dhe jo bashkëpartiakët e as propagandën. Të paktën, media e bëri hapin e saj, duke iu rikthyer qytetarit dhe së vërtetës. Le të shpresojmë se edhe politika ta kapë trenin e duhur për të udhëtuar përmes shinave të besimit, duke e parë çdo qytetar në sy. Sot nuk kemi nevojë për ngritje gishti për ata që duhet të dënohen, edhe pse duhet të jemi të gjithë mbështetës të së drejtës dhe të pronës. Por, sot, më parë se gjithçka, ne kemi nevojë për duar që bashkohen për t’i dhënë besim kujtdo që e do këtë vend.