16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Teatër me teatrin

Më të lexuarat

REDI SHEHU 

Çështja e teatrit sot përfaqëson pikërisht atë moment të humbjes së transhendetes që përfaqëson arti dhe transformimit të saj në thjesht materie. Arti si bartës i këtij tipari krijues dhe frymëzues të njeriut, është shumë larg të qenurit “çështje”. Ai nuk mundet të jetë një dosje e lënduar nga pesha politike dhe babëzia ekonomike e disa ndaj disa të tjerëve. Arti është prova më domethënëse se njeriu është diçka më shumë është përtej një qenieje biologjike, se njeriu është diçka më shumë se një “çështje”.

Çështja e teatrit sot është ndoshta një rast tipik, ku arti si botëkuptim dhe si shprehje e njohjes së të bukurës përmes botës shqisore, nuk gjen rrugë për tek arti i komunikimit, negocimit dhe marrëveshjes. Në përgjithësi, artisti si lloj në morinë e tipologjive njerëzore është ai më pak i priruri drejt përkuptimshmërisë së të dhunshmes, manifestuar në jetën kolektive. Ai supozohet të jetë përçuesi dhe materializuesi i së bukurës ideale mbishqisore, në formën dhe shprehjen praktike të saj të paketuar të gatshme për t’u përthithur nga shqisat njerëzore. Në këtë retrospektivë të lëvizjeve politike mbi teatrin, shohim pikërisht këtë kundërshti mes tipologjisë së artistit shumëngjyrësh dhe politikanit gri monokromatik, të prirur drejt refuzimit dhe qëndrestarisë pa kompromis, brenda një romanticizmi pothuaj donkishotesk.

Prandaj, edhe përpjekja e teatrit nuk është thjesht një çështje, ajo është përpjekja pas dështimit të shëmtuar të klasës politike për t’iu kthyer së bukurës në politikë përmes së bukurës në art. Kryeministri Rama tani mendon ta bëjë këtë aspak me anë të ngjyrave, rrathëve apo edhe të mbathurave të pikturuara në ballkonet e pallateve të Tiranës, por përmes një PPPje, që në thelb nuk ndryshon nga formula Propagandë Publike dhe Private. Ndërsa kryeopozitari Basha kërkon t’i kthehet së bukurës në politikë, përmes së bukurës së një marrëveshje me artin. Por, kujdes, në momentin që e bukura kërkohet të shprehet përmes gjuhës së politikës, atëherë këtu rrezikshmëria për të mos ia arritur qëllimit është tejet e lartë. Kjo bëhet akoma më e vështirë në momentin kur pala tjetër, kundërshtari politik, nuk ka vullnetin apo thënë më mirë, ka një koncept tjetër për të bukurën në përgjithësi dhe të bukurën politike në veçanti. Është pikërisht këtu që hyn në lojë artisti, i cili, me botëkuptimin e tij, mund t’i japë politikës një sens, një hapësirë komunikimi. Por, siç edhe rëndom ndodh te ne, artisti, si një qenie mbipolitike që përshkohet më shumë nga transhendetja e artit, është po ashtu edhe një specie me reflekse të forta të një materializmi stoik.

Po të shohim të gjithë këtë periudhë komunikimi të zotit Rama dhe të sjelljes së tij politike dhe të gjithë detashmentit që e pason, karakterizohet nga vdekja e artistit dhe transformimit të tij në një bishë politike. Nga ana tjetër, shohim zotin Basha që po rrezikon të karakterizohet nga vdekja e politikanit dhe transformimin e tij në një bishë artistike. Në diagramin tatëpjetës të arritjeve politike, kryedemokrati e sheh veten të diskriminuar përmes një komploti politik të kundërshtarit, duke e pozuar veten në krahun tjetër të realitetit.

Kryeministri Rama duhet ta dijë mirë se nëse dëshiron të ndërtojë një vepër arti, për më tepër kombëtare, duhet ta bëjë këtë brenda konceptit të ndërtimit të një realiteti të ri politiko-ekonomik të këtij vendi, i cili duhet të përfaqësojë ekskluzivisht kryeveprën më të madhe të artit për shqiptarët. Dështimi për të ndërtuar realitetin e ri modern shqiptar si vepra më e përkryer e artit në përgjithësi nga ana e qeverisjes aktuale, nuk mund të kompensohet me ndërtimin e një vepre arti në veçanti, brenda një realiteti ku aferat dhe korrupsioni janë kthyer në të vetmen kryevepër vrastare të zhanrit degradues. Çështja e teatrit, siç është edhe realiteti i ri politik i një vendi, duhet të bëhet duke u nisur nga premisa të qarta gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi. Është njësoj sikur një piktor në kryeveprën e gjithë jetës së tij të përjashtojë elementët kryesorë të ngjyresës dhe këndit dhe në momentin që e bën këtë, ai nuk është më artist dhe vepra e tij nuk është më kryevepër.

Çështja e teatrit nuk është thjesht një çështje, ajo përmbledh në vetvete disa çështje. Ajo nuk dallon në thelb nga ajo që ndodh rëndom në Shqipëri, karakteristika kryesore e së cilës është zgjidhja e një problemi përmes një problemi tjetër akoma më të madh. Thelbi përmblidhet në atë se një teatër i ri i duhet kryeqytetit pa dyshim, edhe pse përpjekjet për ta profilizuar kompleksin aktual italian si kulmi i arkitekturës, më duken përpjekje që anojnë nga tifozllëku më shumë sesa profesionalizmi. Vërtet, ai kompleks është pjesë e një logjike urbanistike të qendrës, por kjo nuk heq argumentimin që atë e kanë projektuar brenda logjikës së kolonizatorit dhe jo logjikës së artistit për artin e vendit të tij. Besoj se asnjë nga qytetet italiane nuk do ta pranonte atë kompleks si piedestalin dhe shprehjen kulmore të kulturës së tyre vendase. Pra, teatër duhet, ndoshta edhe diku tjetër, por, sigurisht pa kulla. Kullat përfaqësojnë pikërisht atë çengelin material që kap për zverku artin dhe transhendenten e tij, duke e ftuar në banalitet dhe duke e tërhequr poshtë drejt nëntokës së tahmasë dhe zullumit.

Dështimi që Shqipëria të bëhej një vend normal me sektorët e vet të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, me sektorin terciar të ekonomisë, me diafragmë të investimeve të huaja si dhe me riqarkullim të kapitalit të brendshëm brenda suazave të ekonomisë formale, i kanë bërë forcat politike të tij prej dekadash, të ndodhen para presionin elektoral të zbatimit të premtimeve. Prandaj, edhe zgjidhjet ekonomike i kanë parë si zgjidhje në kushtet e shtrëngesave ku duhej bërë pakt me oligarkët të cilët i garantonin shtetit atë që i mungonte, fluiditetin e parave. Me qeverinë Rama, kjo mënyrë u kthye në sistem politiko-ekonomik duke menduar se do ta çlironte vendin nga prangat e dështimit ekonomik. Në fakt , kjo ishte forma më intensive e robërimit dhe kapjes, ku për të shpëtuar nga qarku që të ka zënë këmbën, duhej të fusësh medoemos kokën. Prandaj, teatri nuk është vetëm një çështje, ai është denoncimi se si nuk mund ta sjellësh të bukurën politike, përmes metodash, mjetesh, të cilat kanë pak ose aspak të bëjnë me artin politik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit