18.2 C
Pristina
Monday, June 17, 2024

Spanja kthen mbrapsht anijen e dyshuar se mbante armë për në Izrael

Më të lexuarat

Anijes iu mohua hyrja pas presionit nga aktivistë dhe politikanë pro-palestinezë

Qeveria e Spanjës i refuzoi hyrjen një anijeje të dyshuar se po transportonte armë drejt Izraelit të enjten në mbrëmje, pas presionit të konsiderueshëm nga aktivistë dhe politikanë pro-palestinezë, raporton Anadolu.

Masa erdhi pasi anëtarët e qeverisë spanjolle, përfshirë ministrin e Transportit, thanë të enjten se anija kishte leje për t’u ankoruar dhe të gjitha dokumentet e saj ishin në rregull.

Por, pas presionit nga aktivistët dhe veprimeve ligjore nga partia Podemos, anija, e quajtur “Borkum”, u kthye përfundimisht. Mëngjesin e sotëm, anija ishte rrugës për në Slloveni, sipas platformës gjurmuese “Vessel Finder”.

Kjo është hera e parë që Spanja i refuzon hyrjen një anijeje me armë që dyshohet se ishte nisur për në Izrael.

Sot në mëngjes, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares i tha transmetuesit RTVE se kjo do të bëhet një “politikë e vazhdueshme” për Spanjën. “Ne nuk do të kontribuojmë për të sjellë më shumë armë në Lindjen e Mesme. Lindja e Mesme nuk ka nevojë për më shumë armë, ka nevojë për paqe”, vazhdoi ai.

Por, Albares ishte gjithashtu kritik ndaj përçarjes që hapi anija midis partnerëve të koalicionit të Spanjës – Sumar dhe Partisë Socialiste. Në vend të kësaj, ai u kërkoi atyre të përqendrohen në paqe. Në fakt, anëtarët e partisë së vogël të koalicionit të Spanjës, Sumar, kritikuan hapur vendimin e qeverisë për të lejuar ankorimin e anijes pa asnjë inspektim.

Ministri socialist i Transportit, Oscar Puente tha se ishte “e papërgjegjshme” nga ana e politikanëve të krahut të majtë që ta bënin atë akuzë “pa prova” dhe siguroi gazetarët se anija kishte të gjitha dokumentet e saj në rregull dhe nuk po transportonte armë në Izrael.

Po ashtu sot në mëngjes, Puente ndau një postim nga një gazetar spanjoll i cili tha se anija nuk po transportonte armë në Izrael sepse “kishte municione për armët sovjetike që Izraeli nuk i përdor”.

Të enjten, anëtarët e partisë Podemos njoftuan se kishin paraqitur një ankesë në Gjykatën Kombëtare të Spanjës për të ndaluar anijen “Borkum” të largohej nga porti i Kartagjenës dhe të inspektonte ngarkesën e saj.

Në një intervistë me transmetuesin RTVE, Ione Belarra nga partia Podemos këmbënguli sot se largimi i anijes nga porti nuk ishte “një fitore”. Ajo tha se anija duhej të ishte sjellë në port dhe të inspektohej fillimisht. “Dhe nëse do të kishte konfirmim se armët do të përfundonin në Izrael për të kryer gjenocid, ngarkesa duhet të ishte mbajtur”, tha ajo.

Megjithatë, aktivistë nga Rrjeti i Solidaritetit Kundër Okupimit të Palestinës përshëndetën rolin që presioni social kishte në detyrimin e qeverisë të bënte një hap. Ata mbajtën një protestë kundër anijes në portin e Kartegjenës mbrëmjen e së enjtes.

Ndërkohë, sot, Irene Montero e Podemos postoi në X se aktivistët kanë zbuluar tri anije në tri ditë të dyshuara se mbanin armë për në Izrael. “A është Spanja vend tranziti për armët e përdorura në gjenocid?”, pyeti ajo.

Pas 7 tetorit, qeveria spanjolle ka ndaluar efektivisht kompanitë spanjolle të eksportojnë armë në Izrael.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit