5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Sot protestojnë politikanët e këqij që ta bien ujkun n’torishtë

Më të lexuarat

Zeqirija Ibrahimi

Sot protestojnë politikanët e këqij që ta bien ujkun n’torishtë, ndërsa ne do të protestojmë në zgjedhjet e ardhshme kundër tyre

Lexova dje se këta të partisë shqiptare që po bie nga pushteti paskan bërë thirrje për protestë sot para Komunës së Butelit dhe kjo më bëri përshtypje që ta bëj këtë postim.

Sot protestojnë ata që kanë marrë leje nga VMRO-ja që të protestojnë, që kështu të krijojnë ndonjë incident ndëretnik dhe ashtu ta shpërlajnë veten nga plehu ku kanë rënë, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që duam paqe dhe bashkëjetesë të njëmendtë në këtë vend.

Sot protestojnë ata që janë në koalicion gjithkund me VMRO-DPMNE, pra edhe në Komunën e Butelit, ku u votua vendosja e Kryqit të Ali Ahmetit, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që nuk do të bëjmë koalicion me ata që ngrenë kryqe për të dëshmuar se janë pronarë të këtij trualli.

Sot protestojnë ata që për 7 vite me radhë i kanë votuar buxhetet për projektin “Skopje 2014”, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që do ta ofrojmë projektin “Shqiptari i suksesshëm”.

Sot protestojnë ata që kanë votuar që me paratë tona të ngrihet Pallati i Oficerëve Serbë mbi themelet e xhamisë “Burmali”, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që e kemi kërkuar gjithnjë këtë xhami dhe kemi qenë kundër Pallatit të Oficerëve Serbë.

Sot protestojnë ata që e kanë votuar vendosjen e Car Dushanit, po ashtu me paratë tona, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që e mbuluam me vellon e turpit atë.

Sot protestojnë ata që e fortifikuan Car Dushanin, duke ia thyer shkopin, por duke ia siguruar qëndrimin aty, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që i zbuluam se çekiçët mbi Car Dushanin ishin çekiçë të “Shefit” mbi popullin shqiptar në Maqedoni.

Sot protestojnë ata që e kanë sharë nënën shqiptare si mos më keq, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që kemi respektin më të madh për nënën shqiptare.

Sot protestojnë ata që në parti i shalojnë si kuaj, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që dinjitetin e njeriut nuk e krahasojmë me asgjë që e nëpërkëmbë atë.

Sot protestojnë ata që të rinjtë shqiptarë i kërcënojnë me përjashtim nga puna vetëm pse pinë kafe me mua, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që do t’u themi të rinjve shqiptarë: “Pini kafe me kë t’ua dojë qejfi – jeni të lirë!”

Sot protestojnë ata mbi të cilët ka hetime për korrupsion, krime, vrasje, skandale amoraliteti, ryshfet dhe manipulim zgjedhor, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që jemi kundër korrupsionit, krimit, vrasjeve, skandaleve dhe ryshfetit.

Sot protestojnë ata që i detyrojnë njerëzit edhe në protestë të dalin me forcë, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të protestojmë ne që vullnetarisht do të dalim në kutitë e votimit që ta vulosim përjashtimin e tyre nga skena.

Prandaj, shqiptar i dashur, është mirë të mendosh se me kë je sot ti. Këshilla ime është: “Largohu prej horrave të mbetur në TITANIK, sepse ata po fundosen, prandaj duan të të përmbytin edhe ty!”

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit