6.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

“Skënderbeu i mbuluar”, Arben Ramkaj nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar: pse heroi ynë nuk duhet të na përçajë, aq më pak fetarisht

Më të lexuarat

Opinioni shqiptar kaloi së fundi ditë të trazuara, buruar në fakt nga një “fake news” në ditë pushimi – Kurban Bajram – si për ta cenuar atmosferën e asaj dite, ku një mendje djallëzore sajoi një kinse mbulim të Skënderbeut në sheshin me emrin e tij, në kryeqendrën shqiptare, Tiranë.

Kaq u desh që një furi komentesh të shpërthenin në rrjete sociale, ku ajo që u godit më së shumti, ishte pikërisht e shumëproklamuara si harmoni e tolerancë fetare mes shqiptarësh.

Për këtë arsye, pati një reagim nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar, një prej organizmave më shembullorë dhe mishërues të kësaj harmonie, tolerance dhe bashkëjetese, e cila e gjen shprehjen e vete lapidare në një qytet si Elbasani, pikërisht aty ku është themeluar kjo qendër dhe ku e ka bazën e saj.

Arben Ramkaj është një prej emrave të kësaj qendre, i cili në një intervistë për tesheshi.com, tenton të daravisë të gjithë atë tymnajë të ngritur nga mendje të mangëta, spekullatore e keqdashëse…

 

Bisedoi: Ylli Pata

Në  një deklaratë të para disa ditëve, ju si Qendër e Bashkëpunimit Ndërfetar keni dënuar një gjuhë urrejtje të përhapur së fundi me kontekst fetar, e njëherësh iu keni kërkuar instancave shtetërore e qeveritare që të ndikojnë në ruajtjen e tolerancës. Si duhet të ndodhte kjo për rastin konkret?

Si Qendër e Bashkëpunimit Ndërfetar ne  gjykojmë se shteti dhe qeveria së bashku me institucionet përkatëse duhet të tregohen më të vëmendshme dhe më aktive në ndërmarrjen e një sërë aktivitetesh dhe iniciativash kulturore, studimore dhe edukative në kuadër të një programi dhe strategjie për mbrojtjen dhe gjallërimin e harmonisë ndër fetare, duke nxjerrë në pah e promovuar traditën e mrekullueshme të popullit shqiptar.

Në raste të tilla, prezenca e shtetit është e domosdoshme për të mos lënë që një debat të ulët të cenojë figurën kombëtare shqiptare.

Duket që elita jonë drejtuese e cila e ka për gjoksrrahje tolerancën e fetare, madje dhe e promovon atë si vlerë, pak ose aspak kanë ndërhyrë në këtë rast. Nuk kemi të paktën një deklarim publik as nga presdenti e as nga kryeministri ku të dënohet gjuha e urrejtjes. Jeni dakort me këtë konstatim?

Shumë shpesh flasim për tolerancën fetare në Shqipëri, një vlerë e jona e trashëguar brez pas brezi. Por një vlerë e tillë nuk mund të qëndrojë gjithnjë aty e të përdoret sa herë që ne dëshirojmë të mburremi me një fakt të tillë. Këtë tolerancë duhet ta ushqejmë, duhet të punojmë mbi të, jo të gëzohemi vetëm më faktin se në vendin tonë ekziston një tolerancë e tillë.

Padyshim që një deklaratë zyrtare nga Kryeministri apo Presidenti në këtë rast do të ishte shumë e nevojshme, për të mos i lënë vend pseudoanalistëve të vijonin me komentet e tyre. Drejtuesit  e vendit duhet të kujdesen për harmonin fetare edhe brenda kufijve të vendit tonë, e jo vetëm kur duhet t’u tregojmë të huajve që Shqipëria gëzon një harmoni mjaft të mirë fetare.

Po t’i shkohet dhe njëherë në rrënjë asaj se çfarë ndodhi gjatë këtyre ditëve, duket vërtet se kemi të bëjme më një shkak ta sajuar, një budallallëk në vetvete. Mirëpo ajo që u konsumua në rrjete sociale ishte vërtet e frikshme. A mendoni se toleranca aq e proklamuar fetare, është tejet e brishtë, e thyeshme në një moment dhe jo rezistente ndaj realiteteve të caktuara?    

Problemi këtu nuk qëndron në pranimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut si hero kombëtar, për sa kohë sa flasim për aspektet kombëtare të tij. Por në qoftë se grupet fetare fillojnë të nisin diskursin e tyre mbi pretendimi se ai ishte luftëtar i Krishtit, atëherë rrjedhimisht edhe muslimanët do të thonë se edhe Ismail Qemali ishte luftëtar i Islamit.

Një fakt i papërmendur në histori është se Skënderbeu ka luftuar gjithashtu kundër të krishterëve. Shumë pak ose aspak përmendet në historinë tonë se Skënderbeu ka luftuar kundër Venedikut apo të krishterëve të tjerë. Në një moment të caktuar të historisë, bota perëndimore e ka quajtur atë “Kalorës të Krishtërimit” për shkak të zhgënjimit të madh që kishte bota e krishterë ku një pjesë e tyre ishin në aleancë me Mehmet Fatiun. Ky lloj epiteti, “Kalorësi i Krishtërimit”, ishte pikërisht për të ngritur vlerat e asaj kohe.

Skënderbeu ngriti shtetin e tij, por duhet ta kemi të qartë se ky shtet nuk kishte natyrë të njëjtë me shtetet e sotme moderne, zanafilla e të cilave  i takon shekullit të 19-të mbështetur tek ideologjia e shtetit-komb. Dhe po ashtu duhet ta dimë që shtetet-kombe të shekujve 19-20 promovuan nacionalizmin si vizion mbi botën dhe është një mendim pothuajse unanim i dijetarëve të historisë dhe shoqërisë se ky botëkuptim ishte që në origjinë agresiv dhe përjashtues e për pasojë shkaktues indoktrinimi, fanatizmi, dhune, gjenocidi, masakrash, në shkallë të pakrahasueshme me shtetin paramodern.

Ky indoktrinim dhe agresivitet u shfaq edhe në rastin në fjalë nga ajo pjesë e opinionit shqiptar që me fanatizmin laik të nacionalizmit u bënë një kopje banale e fanatizmit fetar prej të cilin pretendojnë të distancohen.

Vlen për t’u ktheksuar se Gjergj Kastrioti, në popullsinë shqiptare, që në atë kohë  i përkiste besimit te krishter dhe ishte e ndarë në principata, pati meritën në bashkimin e këtyre principatave në një të vetme. Në atë kohë edhe vendet europaine ishin të përçara në dhjetra shtete. Kemi shembullin e shtetit të Napolit, të Vendikut, të Milanos. Këto shtete përfaqësonin realitetet të ndryshme shtetërore.

Skënderbeu jo vetëm se luftoi dhe bashkoi shqiptarët në një shtet të vetëm, por iu desh të përplasej me sundimtarin më të madh turk të kohërave, Mehmet Fatihun ose ndryshe Mehmetin e Dytë. Ai ishte i vetmi që i rezistoi betejave të mëdha të ushtrive osmane të asaj kohe.

Dhe kjo ndodhi në një kohë kur heronjtë e tjerë kombëtarë të Europës, si Huniadi, humbën përpara kësaj perandorie të re që po ngrihej në Ballkanin Perëndimor, në themelet e Bizantit të Vjetër. Në këtë kohë Mehmet Fatihu luftonte në shumë fronte; ai kishte marrë Lindjen e Mesme, tërë qendrën e Kaukazit, Greqinë, Hungarinë, Bullgarinë, Serbinë dhe Rumaninë. Në momentin  kur kishte marrë gjithë këto vende, ai ngeci në një betejë për 25 vite në një vend të vogël, pa emër, të varfër, pa një histori të pasur, përballë Gjergj Kastriot Skëndrebeut dhe shqiptarëve të asaj kohe. Të gjitha këto fakte nuk mund të injorohen nga shqiptarët, qoftë për arsye fetare apo të tjera që vijnë si rrjedhojë e injorancës.

Për sa i përket figurës së Skënderbeut, ne duhet të shohim edhe rilindasit tanë të cilët në Beslidhjen e Prizrenit rikonfirmuan se Skënderbeu është heroi rreth të cilit shqiptarët do të ngrinin shtetin e tyre modern, siç e përmendëm më lart. Pjesa më e madhe e rilindasve i përkisnin besimit fetar mysliman, por ndërtimi i shtetit të ri nuk u bazua asnjë herë mbi religjionin, por mbi koncepte shtet-formimi që do të përgjigjeshin kërkesave të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine dhe besimi fetar.

Baballarët e kombit me vetëdije dhe me konshiencë të plotë thanë se Skënderbeu është simbol i bashkimit kombëtar jo dhe simbol i një besimi të caktuar.

Një argumenti mjaft i rëndësishëm është dhe Deklarata e Pavarësisë e hoxhallarëve shqiptarë dhe e klerikëve të besimeve të tjera, të cilët bashkë me Ismail Qemalin ndërtuan pikërisht atë që ne e quajmë  Konsensus Teologjik duke pranuar flamurin e Skënderbeut si simbolin dhe flamurin e mbarë shqiptarëve kudo në botë.

Cilit mendim i përkisni: që ajo që ndodhi, pra sajesa me heroin e mbuluar, ishte spontane, e rastësishme, apo e qëllimshme?

Për sa i përket diskutimeve dhe debatit rreth Gjergj Kastriot Skëndrebeut, i cili është heroi kombëtar i shqiptarëve, unë mendoj se është një debat i stisur me qëllimin e parë degradimin e figurisë së tij dhe qytetërimit shqipta; qytetërim ky i cili për hir të së vërtetës, ka pak vend për krenari gjatë rrjedhës së historisë.

Praktikisht, çdo debat i cili e cenon dhe e çmonton figurën e Skënderbeut, ka dëmtuar traditën dhe historinë e formimit të shtetit të ri shqiptar; dhe, para se të kërkohet tek muslimanët përgjegjësia e këtij cenimi, ajo duhet kërkuar tek provokimi i atyre që në një vend me shumicë muslimane ngulin këmbë ta paraqesin Skënderbeun si hero kristian.

Nuk ka nevojë për ndonjë formulë të re sepse ajo ekzistuesja  është funksionale: në një botë ku operatorët formalë të fuqisë janë shtetet-kombe, shqiptarët duhet të kujdesen për të forcuar shtetin-komb të tyre, gjë që është njëherazi në dobi të muslimanëve, ortdoksëve dhe katolikëve. Për këtë mjafton që asnjë grup përbërës i shoqërisë shqiptare të mos synojë ta përvetësojë Skënderbeun, dhe po ashtu të mos përdoret figura e tij për të intimiduar dhe inferiorizuar muslimanët shqiptarë.

Cila do ishte receta juaj, edhe fetare, karshi komunitetit të besimtarëve muslimanë –  gjersa keni dhe një shkollim e formim klerikal – mbi mënyrën e kundëreagimeve në situata ku ata shpotiten apo dhe sulmohen me një gjuhë të egër verbale?

Ajo që unë servir nuk është receta ime, por ajo e etikës islame që buron nga urdhëresat kur`anore dhe tradita profetike.

Nëse muslimanët do i referohen me kujdes dhe me vetëpërmbajtje, as nuk do i kaplojë dëshpërimi e as do kenë nevojë që të rëndojnë dhe ata gjuhën e tyre. Ata fort mirë e dinë se Profetët e Zotit, e mbi të gjitha Profeti Muhamed, janë ndeshur me sfida të ngjashme dhe shumë më të vështira, por kanë triumfuar mbi duke patur në themel të forcës, moralin.

Në asnjë moment, nga ndjenja e padrejtësisë, nuk është kostuar në moral dhe etikë, të cilat kanë qenë po ashtu dhe përbërës inteligjentë të zgjidhjeve. Mjafton bindja që je në të drejtën, ecja në udhën e të drejtës, durimi dhe mbështetja tek Zoti, dhe çdo gjë do shkojë me patjetër në vendin e vet. /tesheshi.com/    

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit