Serbët,me pemë e perime rrahin EULEX-in

0
44

Një automjet zyrtar, me shenja të dukshme të komponentës policore të EULEX-it, është sulmuar me gurë, mjete të forta, e me gjësende të ndryshme, në qendër të Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Rasti i sulmit dhe i dëmtimit të veturës është regjistruar rreth orës 11:20 min, ndërsa zyrtarët e komponentës policore të EULEX-it, kanë njoftuar Policinë e Kosovës, lidhur me rrethanat e paraqitura.

“Të njëjtit kanë deklaruar se ishin ndaluar gjatë qarkullimit të tyre në qendër të Zubin Potokut, të bllokuar nga një grup i papërcaktuar i personave, të cilët fillimisht kishin ngjyrosur veturën e tyre me sprej ngjyrë, më pas grupi i personave kanë filluar që të hedhin gjësende të ndryshme, çfarë u ka rënë në dorë, përfshirë edhe pemë e perime të ndryshme nga shitoret afër vendit të ngjarjes, për të vazhduar me gjësende më të forta, si gurë dhe shufra prej druri, me qëllim të dëmtimit të veturës së tyre”.

Janë regjistruar dëme materiale në xhamin e pasmë, derën e pasme, retrovizorët dhe pjesët anësore të automjetit zyrtar të EULEX-it, si rezultat i sulmit dhe goditjeve me gjësende të forta.

Deri më tani, nuk është raportuar për identifikim dhe arrestim të personave të dyshimtë të përfshirë në këtë akt kriminal. Nuk është raportuar as për lëndime të shkaktuara ndaj zyrtarëve të EULEX-it.

Rasti i sulmit është regjistruar në stacionin policor në Zubin Potok, ndërsa pas kontaktit me prokurorin publik të prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, rasti është kualifikuar si vepër penale “rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare” të paraparë sipas nenit 141 të Kodit Penal të Kosovës.