4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Sekularizmi dhe feja

Më të lexuarat

02 Tetor 2011

Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi

Shumë herë ndalem e kujtohem, a thua janë duke e ditur këta njerëz se çka janë duke folur e vepruar, kur me tërë fuqinë e tyre e luftojnë çdo element të fesë, bile edhe vet fenë Islame, pse këta njerëz të jenë kaq kundërshtar të mëdhenj të Islamit, pastaj pse vetëm të Islamit e jo edhe të feve tjera, apo vallë janë duke i shërbyer dikujt tjetër?! A e kanë të qartë këta njerëz se me shkrimet dhe me debatet e tyre po fusin përçarje në shoqërinë tonë, po krijojnë probleme pa pasur nevojë fare?! Çka po ju pengon këtyre Islami, çka po ua zënë udhën muslimanët, apo mos vallë këta janë më patriotë dhe më atdhedashës sesa muslimanët – praktikuesit e Islamit?! Pse nuk e tregojnë haptazi realitetin e tyre, apo ndoshta edhe nuk ka nevojë ngase realiteti i tyre tashmë u kuptua, doli në pah. Ata laikë e ateistë mundohen të strehohen nën ombrellën e sekularizmit dhe laicizmit, kinse shteti ynë është laik, sekular dhe si i tillë nuk guxon të përzihet feja në shtet, apo duhet të jenë të ndara, feja veç, e shteti veç. Ani pse ata e dinë fort mirë se ne nuk jemi duke kërkuar diç pos krejt dynjasë, nuk jemi duke kërkuar që Kosova të bëhet shtet me sheriat, por jemi duke kërkuar të drejta tona elementare të cilat na i garanton kjo kushtetutë çfarë është, e që këta e dinë fortë mirë se ajo nuk na e ndalon praktikimin e fesë. Në nenin 38 shkruan: 2. “liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale”…. ashtu siç është e qartë në nenin 18 (Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut), dhe neni 9 (Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore dhe protokollet), liria e besimit dhe manifestimit të saj. E askush nuk dyshon se këtu nuk bënë pjesë vetëm liria e brendshme për të besuar ose jo, por edhe e drejta e secilit që ta orientoj gjithë sjelljen e vet sipas doktrinave të besimit të vet dhe të veproj në përputhje me bindjen e vet të brendshme të besimit. E kjo do të thotë që ta shpalli besimin e vet publik dhe ta praktikoj atë pa asnjë pengesë nga askush, natyrisht duke mos i penguar të tjerët.

Andaj bartja e shamisë nëpër shkolla aspak nuk bie në kundërshtim me këtë kushtetutë, përkundrazi imponimi i ndalimit të saj bie në kundërshtim me kushtetutën. Ani pse lirisht mund ta shtrojmë një pyetje: a kushtetuta është vendosur për t’i shërbyer qytetarëve, apo qytetarët kushtetutës? Andaj edhe sikur mos të përputhej kjo kushtetutë me nevojat dhe interesat e popullit tonë, do të duhej ndryshuar atë, e lëre më që ajo në këtë rast nuk kundërshton.

Pastaj thirrja e atyre ateistëve e laikëve në sekularizëm dhe shmangja e çfarëdo elementi të fesë jashtë shtëpisë dhe xhamisë na kthen neve në sistemin komunist, ateist, i cili fatmirësisht tashmë jo vetëm që ka kohë që ka mbaruar, por edhe luftohet nga Evropa, Amerika dhe të gjithë njerëzit e mençur në botë. Dhe jo vetëm kaq, por kjo ide e tyre bie në kundërshtim të madh me sekularzimin apo laicizmin e shteteve Evropiane dhe atë Amerikan, ngase ato shtete pavarësisht çfarë kushtetute kanë, që të gjitha kanë elemente të fesë, gjegjësisht feja ka ndikim në një apo në mënyrë tjetër gjithandej nëpër shtet deri tek instancat më të larta. P.sh presidenti amerikan posa të zgjidhet duhet të betohet në Bibël, duhet të shkoj në kishë. Më lejoni tua bëjë një pyetje këtyre ateistëve tanë shqiptarë kosovarë: çka ua merr mendja a ka mundësi që në Amerikë të vijë në pushtet një president ateist, i cili më pas do të refuzonte të betohej në Bibël dhe të shkoj në kishë?! Mu përgjigjni ju lutem. Pastaj a nuk shkruan në dollarin Amerikan “Ne besojmë në Zot”? A nuk e ka presidenti Obama një këshilltare të vetën muslimane me mbulesë? A nuk e përmendi Obama në fjalimin e tij “historik” në universitetin e Kajros në vitin 2009, se një grua e mbuluar në Amerikë ka paraqitur në gjyq organet të cilat e kanë ndaluar atë të vozisë me ferexhe (të mbuluar tërë fytyrën) dhe se ka fituar ajo femër gjyqin? Po në Evropë a nuk i kanë shumica e shteteve flamujt me simbole fetare, që nga Greqia e deri në shtetet skandinave? A nuk betohen që të gjithë presidentët dhe qeveritarët perëndimor në Bibël dhe jo vetëm ata, por edhe gjykatësit dhe të tjerët? A nuk e bëri trashëgimtari i fronit të mbretërisë së Bashkuar kurorën e martesës me prift, kur u martua para pak muajsh?! Dhe jo vetëm shtetet Evropiane, e që kurrë nuk janë deklaruar se janë ateiste, por edhe Rusia e cila ka qenë djep i ateizmit dhe komunizmit, tashmë presidenti dhe kryeministri i saj e vendosin dorën në Bibël dhe betohen, bile edhe ja puthin dorën priftit dhe japin përparësi më shumë se çdokujt tjetër. Lëre më për krerët serb të cilët mundohen ta mbrojnë Kosovën në emër të vendeve të shenjta dhe se tërë identitetin e tyre kombëtar e lidhin me atë fetar.

Nëse është kështu, e që të gjithë e dini se nuk është ndryshe, atëherë më thoni ju ateistë të nderuar të cilëve ju ka humbur rruga në oborr, kah po ja mbani ju?! Kah perëndimi i cili është i mbushur me fe, apo kah lindja që e urreni aq shumë, apo po ktheheni pas nga marksizmi e leninizmi? Zgjidheni një rrugë, e deklarohuni nga po shkoni, e manja nga te doni, por të tjerët mos i pengoni, sepse ne e kemi zgjedhur rrugën tanë, secili me identitetin e tij fetar, e të gjithë bashkë si shqiptar në Evropë me emër të Allahut.
Më thoni ju lutem, kush po e shkel laicitetin dhe sekularizmin e shtetit: ata perëndimorët e përmendur më lart, apo ateistët tonë?! Këta laikët tanë jo që po donë që mos ta lejojnë bartjen e shamisë nëpër shkolla publike dhe kaq, por këta kanë tentativa që ta çrrënjosin Islamin tërësisht nga sipërfaqja e dheut të tokës shqiptare. Këta ateist nuk i pengojnë fotot dhe posterët gjigantë të Gonxhe Bojaxhiut –Terezës, me shami në kokë, të cilat qëndrojnë nëpër muret e gati të gjitha ministrive të Kosovës, nëpër libra shkollor dhe nëpër klasë. Fëmijët kosovarë mësojnë sesi Tereza është shenjtore e kombit tonë. Edhe pse mban shami në kokë, ajo nuk dëbohet nga shkollat siç dëbohen vajzat tona muslimane. Ajo u bë e famshme në botë me shami në kokë. E pse të ndalohen vajzat muslimane me shami që edhe atu të bëhen të famshme si Tereza, bile ndoshta edhe më të famshme, ku ta dimë ne?! A vetëm pse janë muslimane dhe kanë shami?!

Shteti laik do të thotë që të jetë neutral ndaj fesë, e jo të ndërhyj në të drejta personale. Laicitet do të thotë që në muri të klasës në shkollë mos të ketë ndonjë simbol fetar, që mësuesi mos t’i mësojë fenë nxënësve, që mos të bëjë dallim me tyre për nga përkatësia fetare, apo religjione. Ndërsa laicitet nuk do të do thotë që ta ndaloj bartjen e shamisë nga ndonjë nxënëse apo studente ngase ajo automatikisht numërohet ndërhyrje në çështjen personale, e që është shkelje e të drejtës individuale dhe diskriminimin e femrës. Laicitet nuk do të thotë t’ia imponosh tjetrit idenë apo mendimin tënd, por ta lësh të lirë të zgjedh e të veproi si të do. Ngase ndalimi i shamisë i bie që: ti nuk mundë të veprosh e të dukesh siç do ti, qoftë edhe bindje fetare, apo fondament i fesë (siç është shamia), e që paraqet pjesë shumë të rëndësishme të identitetit të individit. Por ti do të veprosh dhe të dukesh siç dua unë. Jo, jo, kjo i bie imponim, kjo nuk është tolerancë, nuk është laicitet.
Pastaj me këtë tendencë për mos lejimin e bartjes së shamisë vije në pah një shkelje e tolerancës ndërfetare që është mbjell tek ne qe sa shekuj. Sepse këta po thonë: muslimania praktikante le të shkon në medrese, ajo protestante le të shkoj në shkollën e saj fetare, ajo katolike në shkollën katolike e kështu me radhë. E kjo pa tjetër se do të ndikonte që të humbë, apo minimumi të zbehet kjo tolerancë e mbjellë me shekuj. E ne – në veçanti- muslimanët nuk do të lejojmë asnjëherë që laiket e ateistët ta shkelin islamin, ta prishin e rrënojnë tolerancën fetare. Por do të punojmë pa ja nda që të drejtat tona ti gëzojmë, që toleranca të vazhdoj edhe më tej. Që Kosova jonë të ecë para me këtu fe, me këtë shoqëri multifetare, drejt asaj Evrope të madhe të mbushur me fe me kultura e ndikim fetarë. Allahu këta i udhëzoftë, e neve të gjithëve në punë të hairit na ndihmoftë, e vendin tonë para e çoftë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit