14.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Rreth qëndrimit të Ehli Sunetit ndaj Ehli Bejtit

Më të lexuarat

Pyetja:

Desha të më informoni pak rreth qëndrimit të Ehli Sunetit ndaj Ehli Bejtit-familjes së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Qëndrimi i Ehlu Sunetit ndaj Ehlu Bejtit është e sqaruar shumë qartë në librat e Akides (librat që flasin rreth çështjeve të besimit), prandaj edhe kjo konsiderohet si temë e Akides.

Ata thonë se dashuria ndaj familjes së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) është pjesë e fesë dhe kjo konsiderohet adhurim. Allahu i Lartësuar e urdhëron Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) të kërkoj nga muslimanët mirësjellje ndaj Ehlu Bejtit të tij, Ai thotë: “Thuaj (o Muhamed)! Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim vetëm se respekt dhe dashuri ndaj të afërmve (Ehli Bejtin).” Shura, 23. Seid ibën Xhubejri kur komenton këtë ajet thotë se është për qëllim që muslimanët ta duan familjen e tij, ta respektojnë dhe t`u bëjnë mirë.

Edhe Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) në disa hadithe na ka porositur në këtë. Imam Muslimi ne koleksionin e tij shënon se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Unë u kam lënë juve dy gjëra të vlefshme, librin e Allahut (Kuranin) dhe Ehli Bejtin, u përkujtoj Allahun (të keni mirësjellje) me Ehli Bejtin tim.”

Ndërsa Imam Buhariu shënon se Ebu Bekri ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit gjendet shpirti im, për mua më e dashur është që të mbaj lidhjet me familjen e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) se sa me familjen time.”

Kurse, dijetarët tanë të nderuar, kur flasin për këtë temë, tregojnë se respektimi i Ehli Bejtit të Muhamedit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) dhe madhërimi i tyre (duke mos kaluar në ekstremizëm) është prej akides sonë. Ibën Tejmije në librin “Akidetu uasitije”, kur shtjellon qëndrimin e Ehli Sunetit për Ehlu Bejtin thotë: “Dhe ata (Ehlu Suneti) e duan Ehlu Bejtin e të Dërguarit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!), u afrohen atyre dhe e ruajnë vasietin (porosinë) e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) për ta…”

Ehlu Suneti beson se më të mirët nga Ehlu Bejti janë: imam Aliu, Fatimja (e bija e Profetit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të)) dhe dy nipat e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) Hasani dhe Husejni, pastaj e tërë familja e tij që e kanë besuar në Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) për të dërguar.

Por, gjithashtu, ata nuk kalojnë në ekstremizëm ashtu si kanë kaluar disa grupacione islame ndaj Ehlu Bejtit. Shitët të cilët mundohen të identifikohen si ruajtës të të drejtave të Ehlu Bejtit nga injoranca që kishin, kanë kaluar në ekstremizëm, kështu që ata mendojnë se nga familja e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) ekzistojnë “imamë të pagabuar” të cilët kanë arritur gradën e shenjtërisë dhe se ata janë veçuar me njohuri drejtpërdrejtë nga Allahu i Lartësuar, e kanë ditur të ardhmen dhe besime të tjera, ku u përshkruajnë atyre cilësi me të cilat veçohet vetëm Allahu i Lartësuar. Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) nuk ishte veçuar me tipare që ata ua përshkruajnë imamëve të tyre.

Allahu i Lartësuar e urdhëron të dërguarin e Tij t’u tregojë njerëzve se ai nuk ishte vetëm se një njeri i thjeshtë i cili ka përcjellë shpalljen. Ai thotë: “Thuaj (o Muhamed)! Unë nuk kam në dorë që t’ju largojë dëmin, as t’ju sjell dobi!” Xhin, 21. Pastaj thotë: Thuaj (o Muhamed)! Unë nuk mund t’i sjellë vetes sime as dëm as dobi, pos atë që dëshiron Allahu”. Junus, 49.

Prandaj Ehlu Suneti në çështjen e Ehlu Bejtit kanë qëndrim mesatar, në krahasim me ata që kanë tejkaluar kufirin (shitët) duke i madhëruar ata tej mase, sa i përshkruan atyre veti dhe cilësi me të cilat veçohet vetëm Allahu i Lartësuar. Gjithashtu, ata janë edhe kundër atyre që i kanë sharë dhe fyer familjen e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) e këta njihen në historinë islame si neuasib. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

26.01.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit