Rikthimi i “strategut” të Tanushës dhe pse Zaev afron njeriun që i frikësohet Ali Ahmeti

0

Ka bërë lajm hyrja në Shkup e Xhezair Shaqirit, i cili nga të gjithë njihet me nofën “Komandant Hoxha”, pasi është kreu i formaconit të parë ushtarak që luftoi në vitin 2001 që shqiptarët të jenë faktor shtetformues.

U thirr me këtë nofkë pasi para se të merrte pushkën ai kishte studiuar në medresë për klerik musliman.

Xhezair Shaqiri, është lidhur herët në veprimtarinë ilegale të Kosovës dhe që në Zvicër ka qenë anëtar i strukturave të LPK-së e më pas të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Në vitin 1998, Shaqiri ishte një nga komandantët e rëndësishëm të luftës së zonës së Dukagjinit, duke shërbyer si drejtues i policisë ushtarake që mbante zonën strategjike të Tanushës, që të mos vinin nga prapa trupat serbe.

Tanusha është tmerrësisht shumë strategjike. Dhe Komandant Hoxha për mbi 20 vjet e ka ruajtur atë zonë si domen, duke mos lejuar depërtimin e trupave të Beogradit në fillim e të Shkupit pastaj.

Xhezair Shaqiri ka lindur në Tanushë, por familja e tij normalisht nuk mund të rrinte aq lart në male për të jetuar. Kur Xhezoja ishte 4 vjeç ata u transferuar në Shkup, ku dhe ka jetuar deri kur nisi lufta e madhe e 2001-shit. Aty ka studiuar, ka shtëpinë dhe të afërmit e tij.

Ai përfaqëson “pushkën” e parë të UÇK-së në vitin 2001 në fshatin Tanushë, ku u krijua zona e parë e çliruar nga forcat e Shkupit.

Tanusha ishte e rëndësishme, pasi duke qenë në kufi ne Kosovën ajo shërbente si një zonë strategjike “kuzhinetë” për të furnizuar UÇK-në por edhe për të mos lejuar trupat maqedonase të vendosnin kufi. Kjo veprimtari ja rriti famën shumë, çka dhe e bëri një prej figurave të rëndësishme politike të BDI-së në fillim, ku u zgjodh edhe deputet.

Por nuk zgjati shumë dhe u përplas me Ali Ahmetin, e sidomos me Nikolla Gruevskin, i cili prej dy vjetësh, pas ngjarjes në “Kodrën e Trimave” në Kumanovë i nxorri një mandat-arresti.

Komandant Hoxha u rikthye sërish në Tanushë, nga ku dilte në media e sulmonte ashpër Ali Ahmein dhe Gruevskin.

Por dje ai ka zbritur në Shkup dhe pasi ka falur xhumanë në xhaminë e Çairit, ka shpallur rikthimin në politikë dhe ka treguar për paqen me qeverinë e re.

“Zgjidhja jonë e vetme ishte strehimi në malet e Karadakut dhe sot qeveria e re reformuese ka premtuar shumë gjëra. Po kjo qeveri ka filluar të japë disa shenja të mira edhe për qytetarët. Ndër tjera kemi shpresa se ata do ta mbajnë fjalën ndaj dhe unë zbrita në Shkup”, tha Hoxha.

Duket se ka një marrëveshje të qartë dhe këtë ai e ka bërë me Muhamet Zekirin, një nga deputetët e LSDM-së nga pala shqiptare.

Kjo tregon qartë se Xhezair Shaqiri do të jetë një nga konkurentët politikë në zgjedhjet lokale dhe ka gjasa që të jetë një nga “asat nën mëngë” të ardhshëm të Zaevit, në zonën shqiptare.

Kryeministri maqedonas tashmë e ka të qartë që për të ndaluar rikthimin e Gruevskit në pushtet i duhet që të maksimalizojë votat e shqiptarëve.

Dhe Komandant Hoxha, një figurë mjaft popullore në zonën e Karadakut, por edhe rival i ashpër i Ali Ahmetit, mund të jetë një kartë e mirë elektorale.

Ndërkaq, për zgjedhjet vendore pritet që Shaqiri të zhvillojë negociata edhe me BESA-n, të cilën e ka përkrahur që në fillim, si një forcë politike që dha kontributin më real për të rrëzuar regjimin e Nikolla Gruevskit. /tesheshi.com/