RETRO-2015: BFI-ja qëndroi ballë dhe u forcua ende më shumë edhe përskaj tentimeve për ta lëkundur

0
73

BFI-ja qëndroi ballë dhe u forcua ende më shumë edhe përskaj tentimeve për ta lëkundur

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë kishte një vit përplot sfida, probleme dhe suksese në plane të ndryshme. Rroli, rëndësia dhe ndikimi i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, si gjatë viteve të kaluara, por edhe gjatë vitit 2015 ishte i pakontestueshëm në aspektin politik, ekonomik, shpirtëror dhe humanitar. Tentimi për të uzurpuar këtë Institucion ishte një paralajmërim i kobshëm i njerëzve që duan ta lëkundin nga vendi institucionin e vetëm fetar të muslimanëve të Republikës së Maqedonisë.

Por, nëse shohim një kronologji të ngjarjeve të vitit 2015, ky institucion mund që vitin 2015 ta vlerësoje si një vit të suksesshëm. U ndërtuan shumë xhami, u kthye një pjesë e pronës së muslimanëve, u kurorëzuan shumë hafizlerë dhe u realizuan shumë projekte me rëndësi për besimtarët mysliman të Republikës së Maqedonisë.

Me këtë rast, me 8 janar të vitit 2015, Reis Ulema-ja i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, Sulejman efendi Rexhepi, dekoroi me mirënjohje hafëz Xhemail Nuhiu, i cili në garat botërore kur`anore zurin vendin e katërt. Me këtë rast, Reis Ulemaja nxiti të rinjtë dhe të rejat që të përkushtohen ndaj kësaj shkathtësie e cila tek besimtarët mysliman të Republikës së Maqedonisë është zhvilluar me vite e me shekuj.

Po ashtu, Sulejman efendi Rexhepi në një takim lamtumirës me 8 janar të këtij viti, priti edhe ish ambasadorin amerikan në Republikën e Maqedonisë, Paul Volers. Ai falënderoi ambasadorin për kontributin e tij ndaj muslimanëve të Republikës së Maqedonisë, sidomos në ndihmën e SHBA-ve në rinovimin e objekteve kulturore dhe të kultit të besimit mysliman në Republikën e Maqedonisë.

Me 22 janar, selinë e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë e vizitoi ambasadorja e Egjiptit me seli në Sofje, zonja Manal Jehia Shinavi. Ky takim ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e bashkëpunimit dhe dialogut midis BFI-së dhe shtetit të Egjiptit si djep i dijes dhe kulturës islame.

Me 26 janar të këtij viti, Lorens Oer, ambasadorja e Francës në Republikën e Maqedonisë realizoi një takim pune në selinë e BFI-së në Shkup. Gjatë këtij takimi, reis ulemaja, Sulejman Efendi Rexhepi shprehi ngushëllimet e sinqerta për viktimat e aktit terrorist të realizuar në Paris si dhe gjykoi radikalizmin i cili po zhvillohet duke keqpërdorur vlerat e fesë islame.

Me 29 janar të këtij viti, ambasadori izraelit në R.M. Dan Oryan për herë të parë viziton BFI-në. Me këtë rast u vlerësua lart kontributi i madh që dhanë shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjve të përndjekur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me 18 shkurt të vitit 2015, Reis Ulemaja, Sulejman Efendi Rexhepi për herë të parë proklamohet për përgjimet e realizuara në formë të paligjshme e të dëgjuara në të ashtuquajturat bomba të liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev. Me këtë rast, Reis Ulemaja Sulejman Efendi Rexhepi, përkujtoi në mësimet kur`anore që kanë të bëjnë për sferën në fjalë si dhe gjykoi këtë akt të turpshëm i cili nuk i bën dobi shoqërisë.

Ambasadori i ri i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Xhes Bejli me 5 mars të vitit 2015 vizitoi selinë e BFI-së në Maqedoni, në këtë mënyrë duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni në jetën publike dhe private në Republikën e Maqedonisë.

“Bazuar në vendimin 12-23/3 të datës 01.04.2015, nga mbledhja e 39-të të mbajtur më 30.03.2015, Këshilli për Akreditim dhe Evaluim të Arsimimit të lartë të Republikës së Maqedonisë, ka marrë vendim për Akreditimin e Programit Studimor “Studime Islame”, me kohëzgjatje katër vjeçare, në ciklin e parë të studimeve- deridiplomike, pranë Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup.

Vendimin për akreditimin e Fakultetit, personalisht e sollën zv/nënkryetari i Këshillit për Akreditim dhe Evaluim të Arsimit të lartë, Prof. Dr. Mikolaj Kuzinovski dhe Prof. Dr. Agim Rushiti, udhëheqës i sektorit për arsim të lartë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Vendimi në fjalë iu dorëzua Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit.”, thuhet në njoftimin e BFI-së.

Akreditimi i Fakultetit të Shkencave Islame në Republikën e Maqedonisë është një e arritur historike për muslimanët shqiptar të Republikës së Maqedonisë.

Reis Ulemaja i Republikës së Maqedonisë, Sulejman Efendi Rexhepi, në opinion nxori idenë e risocializimit e të kthyerve nga betejat në Lindjen e Mesme. Sipas tij, ato persona kanë nevojë që të risocializohen dhe të ri edukohen më mesimet e paqes dhe tolerancës që jep feja islame. Idetë e Reis Ulemas në këtë plan patën jehonë dhe gjetën përkrahje nga të gjitha institucionet e shtetit në R.M., por edhe jashtë vendit.

Fillimi i muajit maj të vitit 2015 ishte i trishtë për BFI-në. Një grup puçistësh në krye me ish Muftiun e Shkupit, Ibrahim Shabani, uzurpuan selinë e BFI-së, ku pjesë e këtij grupi ishin edhe ish sekretari i BFI-së, Afrim Tahiri dhe Skender Buzaku. Ky grup u fut në selinë e BFI-së në mënyrë të dhunshme dhe disa ditë me radhë nuk e lëshoi objektin. Policia e Republikës së Maqedonisë edhe pse ishte prezent gjatë tërë kohës në vendngjarje, nuk reagoi për t`i penguar puçistët drejt idesë së tyre. Grupi në fjalë ishte edhe i armatosur dhe të punësuar në BFI u frikësuan dhe e pësuan shpirtërisht këtë tmerr i cili u shkaktua nga ky grup.

Grupi i Ibrahim Shabanit përfundimisht u shkarkua nga ana e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë në një mbledhje të mbajtur në Kondovë. Por, veprimtaria e tij ekziston edhe sot, dhe grupi është vetëquajtur Lëvizja për reforma në BFI.

“Gjykata Themelore Shkupi II, si gjykatë e shkallës së parë, ka vendosur në favor të paditësit, Bashkësisë Fetare Islame, duke lëshuar masën e përkohshme, e cila i obligon të paditurit Afrim Tahiri, Ibrahim Shabani dhe Skënder Buzaku, menjëherë pas pranimit të këtij vendimi, të kthejnë hapësirat zyrtare në rrugën “Samoilova 43” në Shkup, objektin e selisë së BFI-së, si dhe vulat e këtij institucioni, paditësit. Po ashtu, përmes këtij vendimit, personave të sipërpërmendur iu ndalohet të kryejnë ndonjë pengesë të ngjashme, në pronësinë e paditësit, kreut të BFI-së. Vendimin mban firmën e gjykatëses Keti Germanova.”, thuhet ndërmjet tjerash në njoftimin e BFI-së.

Me nëntë qershor të vitit 2015, BFI themeloi Mexhlisin e Fetvasë. Ky Mexhlis ka një rëndësi të veçantë për jetën fetare të muslimanëve të Republikës së Maqedonisë, ku përmes fetvave përgjigjeve të këtij institucioni zgjidhen shumë probleme të besimtarëve mysliman të këtij vendi.

Anëtarë të këtij Mexhlisi u zgjodhën: Prof. Dr. Fahrudin Ebibi, Dekan i FSHI-së (muhadith), H. Alifikri ef. Esati, ish-myfti i Myftinisë së Tetovës (jurist islam), Prof. Jusuf Zimeri, Drejtor i Sektorit fetaro-arsimor pranë BFI-së (jurist islam), H. Isa ef. Ismaili, Myfti i Maqedonisë Lindore (jurist islam), Prof. Rexhep Jusufi, Myfti i Myftinisë së Shkupit (arabollog).

Bashkësia Islame Fetare e Republikës së Maqedonisë gjithmonë është solidarizuar me popullatën e saj, e sidomos gjatë fatkeqësive të ndryshme. Kështu, me 15 qershor të vitit 2015, BFI-ja ndan ndihmat e saj të mbledhura nga Muftinitë në Maqedoni për banorët e Lagjes së trimave të cilët pësuan dëme materiale nga ngjarjet e nëntë dhe dhjetë majit.

Me katër gusht, Reis Ulemaja i BFI-së në R.M. realizoi një vizitë në Shipkovicë ku pa nga vendi dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore që kaploi këtë anë. Pas vizitës në vend ngjarje, Reis Ulemaja premtoi që do të realizoje një aksion humanitar për këtë rast, ku menjëherë në të premten e ardhshme në të gjitha xhamitë u vendit u realizua një aksion humanitar për t`u solidarizuar me banorët e Tetovës dhe Shipkovicës. Mjetet e tubuara iu janë dorëzuar familjeve të dëmtuara në bazë të kategorive të ndryshme.

Me dhjetë gusht, Reis Ulema, Sulejman Efendi Rexhepi shprehet haptas kundër ISIS duke theksuar se kjo organizatë terroriste nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin dhe muslimanët.

“Si kryetar i të gjithë myslimanëve të vendit, i ftoj të gjithë pjesëtarët e fesë sonë që të jenë të matur, të kujdesshëm dhe për asnjë çmim të mos pranojnë të bëhen pre e këtyre matrapazëve. Me garanci të plotë dëshirojmë që edhe një herë t’i dëshmojmë aleancës perëndimore se jemi miq dhe bashkëluftëtarë kundër kësaj të keqe që duhet të llogaritet si e keqja më e madhe e njerëzimit të ditëve të sotme.”, shkroi ndërmjet tjerash Sulejman efendi Rexhepi.

Me 28 gusht të vitit 2015, Reis Ulema, Sulejman efendi Rexhepi, dekoroi aktivistët qytetar Jasmin Rexhepin, Mersiha Smailoviq, Lençe Zdravkin dhe Aleksandra Davitkovska, për kontributin e tyre dhënë në ndihmë refugjatëve sirian.

Vlen të theksohet se BFI-ja përmes aksioneve të shumta ka përkrahur refugjatët sirian në Tabanoc dhe Gjevgjeli ku ka siguruar edhe transport falas të tyre. BFI ka ndarë edhe pako të ndryshme ushqimore si dhe rroba për të zbutur fatkeqësinë e tyre.

Me 30 nëntor të vitit 2015, selinë e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë e vizitoi edhe ambasadori i Indonezisë me seli në Sofje, Bunyan Saptomo. Me këtë rast, Reis Ulemaja Sulejman Rexhepi, ambasadorin në fjalë e informoi në lidhje me institucionin e BFI-së, mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj. U premtua se bashkëpunimi midis BFI-së dhe Indonezisë do të thellohet edhe më shumë në sferën e arsimit, kulturës, shkencës, artit si dhe financave dhe ekonomisë islame. Përvojat e Indonezisë në menaxhmentin mysliman iu janë të nevojshme Republikës së Maqedonisë.

Me shtatë dhjetor të vitit 2015, selinë e BFI-së në Shkup e vizitoi Ambasadori i Holandës Wouter Plomp. Ambasadori në fjalë u informua nga Reis Ulemaja i Republikës së Maqedonisë për problemet e BFI-së që i ka në lidhje me denacionalizimin e pronave. Ambasadori premtoi se Holanda do t`i ndihmoje BFI-së në tejkalimin e problemeve.

BFI-ja gjatë këtij viti ka pasur probleme të natyrave të ndryshme të krijuara nga faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Por, shikuar në tërësi ajo ka arritur që të ruaj unitetin e muslimanëve dhe të institucionit si dhe ka kultivuar vlerat e paqes, tolerancës dhe mirëqenies, vlera këto të nxjerra nga mësimet kur`anore dhe nga ato të Pejgamberit Muhamed alejhi selam.

Viti 2016 për BFI-në pritet që të jetë një vit përplot me befasi, vit i ndryshimeve pozitive që mund të ndodhin në truallin e këtij vendi, në vendosjen e rrolit që i takon këtij institucioni si institucion i paqes, mirëkuptimit dhe tolerancës në Republikën e Maqedonisë.