16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Rëndësia e Akides – Dr. Abdul Aziz El-Keri

Më të lexuarat

I Dërguari e këshilloi Muadh bin Xhebelin, kur ai ishte duke shkuar në Jemen. “Ti je duke shkuar te disa njerëz prej Njerëzve të Librit. Gjëja e parë në të cilën do t’i thërrasësh le të jetë adhurimi i Allahut. Nëse ata e pranojnë Allahun, atëherë informoi ata se Allahu i ka bërë  obligim për ta pesë namaze gjatë ditës dhe natës.” [Buhari, Muslim]Ky hadith është i qartë dhe nuk kërkon edhe aq shumë sqarim. Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selam) e zbatoi këtë parim në thirrjen praktike të tij në Islam. Ai qëndroi në Meke për trembëdhjetë vite që t’ua mësojë njerëzve imanin dhe t’i edukojë Shoqëruesit e tij në këtë çështje, dhe të përmirësojë besimet e njerëzve. Ky është modeli sipas të cilit qenë edukuar Shoqëruesit (sahabët).
Xhundub ibn Abdullah el-Bexheli tha, “Ne e mësuam imanin (besimin) pastaj e mësuam Kur’anin dhe kjo na e shtoi imanin.” Abdullah ibn Umer ka thënë, “Ne jetuam në një periudhë në të cilën njëri prej nesh e pranonte besimin para se ta lexonte Kur’anin, dhe kur shpalleshin uret ne e mësonim atë çka ato lejonin dhe ndalonin, atë në çka ato urdhëronin si dhe çfarë qëndrimi duhej të kishim ndaj tyre. Por unë kam parë shumë njerëz të cilëve u është dhënë Kur’ani para imanit, dhe ai e lexonte atë prej hapjes së Librit deri në përfundim të tij duke mos e ditur se çka urdhëron dhe në çka ndalon, dhe çfarë duhet të jetë qëndrimi i tij ndaj asaj. Ai është sikurse dikush i cili i gjuan (humb) hurmat [d.m.th. nuk përfiton aspak nga recitimi i tij].”Kjo është mënyra me të cilën Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) i ngriti shoqëruesit e tij: Së pari imani pastaj Kur’ani. Kjo është e ngjashme me atë çka Ebu Hanife theksoi: Të kuptuarit e fesë së pari (d.m.th. teuhidi) pastaj të kuptuarit e shkencës (d.m.th. sheriatit).
Së pari duhet të përmirësohen besimet, pastaj pasojnë të gjitha aspektet tjera të fesë.
Imam Esh-Shafi’i ka thënë, “Që robi ta takojë Allahun me çdo mëkat përveç shirkut, është më mirë se ta takojë Atë me ndonjë besim të shpikur (risi).”
El-Akide gjuhësisht është e derivuar nga termi akade. Në Arabisht, thuhet ‘litari Akede’ kur litari është i lidhur fort.
Dhe, ‘shitja Akade’ apo ‘Ai vendosi shitjen’ kur personi nënshkruan dhe kontrakton ndonjë shitje apo marrëveshje. Allahu thotë në Kur’an, “Sa i përket atyre ndaj të cilëve duart tuaja të djathta kanë bërë marrëveshje (Ar. Akade)” [El-Nise 33]. Allahu po ashtu thotë, “Por Ai do t’ju merr në përgjegjësi për betimet që i bëni me gjithë zemër (Ar. akadtum) [ElMaide, 89] që do të thotë pohim dhe besnikëri, siç dëshmohet në vargun.
“Mos i theni betimet pasi që i keni pohuar ato” [En-Nehl, 91]. Nëse personi thotë, “Akedtu atë dhe atë”, kjo do të thotë se zemra e tij është e qëndrueshme mbi atë dhe atë.
Prandaj, el-akide apo el-itikad sipas Dijetarëve të Islamit është: Besimi i fortë mbi të cilin zemra e njeriut është e vendosur pa lëkundje apo dyshim. Kjo përjashton çfarëdo supozimi, dyshim apo pasiguri.
Imam Ebu Hanife e quajti këtë lëndë madhështore el-Fikh El-Ekber (“Të kuptuarit më të madh”) dhe të kuptuarit e fesë. Ai e quajti shkencën e ligjit (Ar. sheriat) të kuptuarit e shkencës.
Shumë Dijetarë të Islamit e përdorin fjalën teuhid për të gjitha çështjet në të cilat njeriu duhet të besojë. Kjo është për atë se më e rëndësishmja prej këtyre çështjeve është teuhidi bazor që gjindet në frazën, “Askush s’është i denjë që të adhurohet përveç Allahut.”Teuhidi, sipas tyre, mund të ndahet në dy kategori: teuhidi i njohjes dhe vërtetimit, dhe teuhidi i qëllimit dhe i veprave.
Teuhidi i njohjes dhe i vërtetimit është teuhid i Njësisë së Krijuesit dhe teuhid i Emrave dhe Atributeve të Tija [d.m.th. Ai është unik në të qenit e Tij i vetmi Krijues dhe i vetmi me Emrat dhe Atributet e Tija]. Teuhidi i qëllimit dhe i veprave është teuhid i Zotërimit, apo se askush s’duhet të adhurohet përveç Allahut [d.m.th. Ai është i vetmi që vlen të adhurohet].
Teologët skolastik (Ar. kelamijun) – dhe ajo që do t’ua shpjegoj kush janë teologët skolastik – e quajnë këtë lëndë madhështore “rrënja e fesë” dhe ligjin e quajnë “degët e fesë”.
Kjo është terminologjia e tyre. Ne gjithashtu kemi një kontest me ta në këtë çështje, por ky nuk është vend që kjo të diskutohet. Të gjithë ata i japin emër apo mbiemër sipas nevojave të tyre.
Por çfarë emri i jep Kur’ani kësaj çështje?Kur’ani i jep kësaj çështje serioze emrin iman. Allahu thotë në Kur’an, “Dhe kështu Ne frymëzuam në ty (Muhamed) një Shpirt të urdhrit Tonë. Ti nuk e ke ditur se ç’ishte Shkresa (Libri, Shpallja), as ç’ishte Besimi. Por Ne e kemi bërë atë të lehtë, përmes së cilës Ne e udhëzojmë atë që duami Ne prej robërve Tanë… “ [El-Shura, 52].
Konceptet e përgjithshme për të cilat zemra e besimtarit duhet të jetë e vendosur fort, janë “shtyllat” e besimit të tij. Por njeriu s’do të quhet besimtar vetëm me njohjen dhe të kuptuarit e këtyre shtyllave por ai duhet të vjen në nivelin ku ai do të nënshtrohet dhe zbatojë atë çka është urdhëruar, në hadithin e Xhibrilit, si Islam. Imani, në këtë mënyrë, e inkorporon Islamin.
Nëse imani do të ishte thjesht të diturit e fakteve në zemrën e njeriut, atëherë shoqëruesi i tij do të ishte i barabartë me Shejtanin dhe Faraonin [Shënim: Shejtani ishte më i dituri për Zotin e tij por, megjithëkëtë, ai qe shkatërruar për shkak të kryelartësisë dhe inatit.
Faraoni, edhe pse pohoi të jetë zoti, e dinte se zot ishte Allahu dhe se askush s’ka të drejtë të adhurohet përveç Tij.
Allahu thotë, “Ai tha: Vërtet, ti e di se askush nuk i zbriti këto shenja përveç Zotit të qiejve dhe tokës si dëshmi…” [el-Isra, 102]. – ndonëse e dinin të vërtetën, ata nuk e zbatuan atë duke e kthyer në adhurim vetëm ndaj Allahut].
Në hadithin e Xhibrilit, Pejgamberi (sallallahu alejhi ue selam) shpjegoi shtyllat e besimi të tij në të cilat çdo njeri duhet të besojë, kur ai u pyet, “Ç’është imani?”, ai tha, “Të besosh në Allahun, engjëjt e Tij, Librat, të Dërguarit, Ditën e Fundit dhe parapërcaktimin e të mirës dhe të keqes.”
Është e domosdoshme për çdo person që t’i di këto shtylla dhe t’i mësojë ato me të kuptuar të shëndoshë, dhe të besojë në to në mënyrën të cilën stërgjyshërit i kuptuan dhe besuan në to, në mënyrë të njëjtë siç besuan dhe i kuptuan Shoqëruesit e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selam), si dhe Pasuesit e tyre dhe ata që ndoqën rrugën e tyre. Këtu përfshihen katër Imamët, Sufjan ElTheuri, Sufjan ibn Ujeine, Abdullah ibn el-Mubarek dhe të tjerë të ngjashëm me ta, si dhe Muhamed ibn Ismail el-Buhari, Muslim ibn El-Hexhexh, Shejh el-Islam ibn Tejmije dhe elHafidh ibn el-Kajjim; dhe dijetarët e ngjashëm me ta të cilët pasuan mënyrën e njëjtë të të kuptuarit dhe besimit në këto shtylla.
Ky është obligimi i parë mbi qenien e përgjegjëshme njerëzore. Nuk ka dallim në mendime në mesin e dijetarëve në këtë çështje, mendimet e të cilëve vlen të pasohen. Imam Ebu Hanife ka thënë, “Të kuptuarit e besimit është më i mirë se të kuptuarit e shkencës”.
Ajo çka ai mendoi me besim është teuhidi, ndërsa me shkencë ka menduar në sheriat. Ai e vendosi të kuptuarit e teuhidit para të kuptuarit e sheriatit.
Shejh el-Islam el-Herui el-Ensari (v. 481 p.h.) deklaroi në fillimin e librit të tij, itikad ehl el-suneh,“Obligimi i parë që i takon robit është dituria mbi Allahun. Kjo dëshmohet me hadithin e Muadhit, kur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) i tha atij, ‘Ti do të shkosh tek disa njerëz prej Njerëzve të Librit.
Gjëja e parë në të cilën do t’i thërrasësh ata është ta adhurojnë Allahun. Nëse e përvetësojnë diturinë për Allahun, atëherë thuaju se Allahu i ka bërë obligim për ta pesë namaze gjatë ditës dhe natës…”
Prej kësaj premise vazhduan dijetarët e mëdhenj të Islamit. Mendoni, për shembull, çfarë ka bërë Imam Muhamed ibn Ismail el-Buhari në librin e tij el-Xhami el-Sahih, i cili është libri më autentik pas Librit të Allahut; do të vërehet se prej diturisë së detajuar të tij të fesë, ky imam i madh e filloi librin e tij me “Fillimi i Shpalljes” dhe pastaj e vazhdoi atë me kaptina të besimit, pasuar me kaptinat mbi diturinë. Sikur të ketë menduar, Allahu e mëshiroftë, që ta theksojë atë se obligimi i parë mbi qeniet njerëzore është besimi apo imani, dhe mënyra për arritjen e besimit është dituria; dhe burimi i besimit dhe diturisë është shpallja. Kështu që ai filloi duke treguar si ndodhi shpallja dhe çfarë ishte. Pastaj, ai vazhdoi duke përmendur besimin dhe diturinë.
Kjo renditje s’është e rastësishme; me këtë ai cekë disa pika të rëndësishme.
Kjo është përmbledhje e asaj që duam të përmendim dhe për çka ne duam të ngrehim zërin.
Çështja e akidesë është prioriteti i parë. Besimi dhe dituria janë mënyra për arritjen e saj, ndërsa burimi i diturisë dhe i besimit është Libri dhe Suneti

Autor: Dr. Abdul Aziz El-Keri
Burimi: Akideja së pari…vetëm sikur ta dinin
Burimi: Mburoja.Net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit