16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Raporti i intelektualit me pushtetarin

Më të lexuarat

Pejgamberi savs, ka thënë:
“Dijetarët më të këqij janë ata që i vizitojnë pushtetarët, kurse pushtetarët më të mirë janë ata që i vizitojnë dijetarët. Sa i mrekullueshëm është pushtetari i cili qëndron në derën e të varfrit, kurse sa i tmerrshëm është i varfri që qëndron në derën e pushtetarit.”
Njerëzit i kanë kuptuar këto fjalë, kinse një dijetar nuk duhet t’i vizitojë pushtetarët që të mos klasifikohet në radhën e dijetarëve më të këqij.
Megjithatë, kuptimi i këtyre fjalëve nuk është ashtu siç e kuptojnë, por ajo do të thotë, se dijetari më i keq është ai që merr mbështetje te pushtetari dhe të cilit pushtetarët i ndihmojnë për tu ngritur, ai i cili më parë nga frika prej tyre fiton dituri, duke menduar:
“Mua pushtetarët do të më shpërblejnë, respektojnë dhe do të më japin pozitë.” Pastaj, i tilli me ndihmën e pushtetarëve dëshmohet dhe nga injoranti shndërrohet në dijetar. Pasi të bëhet dijetar, nga frika prej tyre bëhet i dëgjueshëm dhe shkon vetëm rrugës së shkelur.
Nuk ka asnjë dyshim, sido që të jetë – nëse e viziton pushtetari atë apo ai e viziton pushtetarin – ai është vizitor, kurse pushtetari është i vizituar.
Ndërkaq, në qoftë se dijetari nuk e fiton diturinë për shkak të pushtetarit, por mësimet e tij në tërësi janë për Zotin, kurse puna e tij e vështirë dhe zelli në rrugën e drejtë, sepse ai nga natyra është i tillë – dhe ndryshe nuk mund të jetë, sepse peshku mund jetojë dhe banojë vetëm në ujë – dijetarët e tillë i udhëheq mendja e tyre dhe të tillët i drejtojnë edhe të tjerët.

 

Prej të tillëve në kohën e tyre e gjithë bota merr mësim, prej të tillëve merr dritë e cila ia tregon rrugën, pavarësisht a është ai i vetëdijshëm për këtë apo jo. Nëse një dijetar i tillë shkon te pushtetari, ai përsëri është i vizituar, kurse pushtetari është vizitor. Sepse, në çdo aspekt pushtetari prej tij merr dhe pranon ndihmë, kurse dijetari është i pavarur prej tij.
Ashtu sikur që dielli jep dritë, edhe dijetarët shërbejnë për tu dhënë dhe dhuruar të gjithëve, duke i kthyer gurët në rubinë dhe diamante të bukur, malet nga pluhuri në miniera të bakrit, arit, argjendit dhe hekurit, tokën duke e bërë pjellore dhe të gjelbër, kurse drunjtë në pemë me frute të llojllojshme.
Profesioni i tyre është që të japin dhe dhurojnë, e jo që të marrin, siç thotë një proverb arab: “Ne jemi mësuar që të japim, nuk jemi mësuar që të marrim.” Këta në çdo rast janë të vizituar, kurse pushtetarët janë vizitorët.

 

Xhelaludin Rumi
Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit