Presidenti grek akuzon Turqinë se po ndihmon trafikantët

0
69

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, ka deklaruar sot se Turqia nuk ka bërë mjaftueshëm që të zvogëlojë fluksin e refugjatëve në Evropë, ai madje ka akuzuar edhe zyrtarët e portit të këtij vendi se po i ndihmojnë trafikantët.

“Kam frikë se trafikantët turq kanë mbështetjen e qeverisë”, ka deklaruar Pavlopoulos, gjatë një interviste dhënë të përditshmes gjermane “Sueddeutsche Zeitung”.

Ai ka shtuar duke thënë se, zyrtarët e portit të Turqisë po sillen thuajse nuk po vërejnë asgjë çfarë po ndodhë para syve të tyre.

“Ka raste kur trafikantëve u ofrohet ndihmë. Kemi dëshmi për këtë”, ka shtuar Pavlopoulos, duke pranuar se Greqia është e gatshme të japë kontributin e saj brenda tre miliardë eurove që BE-ja i ka premtuar Turqisë, për ta ndihmuar në menaxhimin e fluksit të refugjatëve, derisa Ankaraja përmbush pjesën e saj të detyrimeve.
Megjithatë, sipas tij Turqia deri më sot nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.