Policia maqedonase vazhdon t’iu thyej hundët shqiptarëve, ligjet nuk funksionojnë

0
72

Për dhunën policore Maqedonia do të paguajë 11.700 euro. Ky incident ka ndodhur në një bukëpjekës në Prespë kur policia ka ushtruar kontrollë ndaj të punësuarve duke kërkuar leje pune dhe leje për qëndrim në vend. Rreth orës 01.30 min pas mesnate personi është dërguar në stacionin policorë me cka sipas gjykatësve të Strazburgut ai është dhunuar pamëshirë deri në orën 4 të mëngjesit. Nga kjo ngjarje policia i ka thyer hundën derisa spitali i Ohrit i ka dhënë edhe vërtetim mjekësorë ndërsa përgjegjësi për rastin e kryer akoma nuk ka.

A duhet ndaluar kjo me ligj, rrahjet brutale të policëve ndaj të arestuarve pavarësisht lartësisë së krimit. Sipas të drejtave të njeriut kjo në shtetet europiane nuk guxon të ndodh, pse tek ne nuk ka një ligj apo rregullore të tillë. Agjencia e lajmeve Zhurnal për këtë temë të ndieshme ka realizuar një bisedë me ekspert në kësaj lëmie të cilët theksojnë se ligjet europiane ndoshta ekzistojnë por me praktikë ballkanike.

Është një cështje mjaft e kompleksuar pasiqë nuk ka shtet në botë që nuk ekziston brutaliteti dhe tortura e autoriteteve. ‘’Bëhet fjalë për një çështje mjaft komplekse sepse nuk ka shtet në botë ku nuk ka raste të brutalitetit dhe torturës policore, edhe pse, tortura policore me akte ndërkombëtare dhe evropiane si dhe me ligje, është e ndaluar si mënyrë e luftimit të krimit. Mirëpo, shtetet dallohen për nga mekanizmat efikase të sanksionimit të rasteve të torturës dhe brutalitetit policor’’, thekson për Zhurnal Dr. Jeton Shasivari (Profesor i të drejtës kushtetuese dhe administrative).

Sipas tij, në Maqedoni është rregulluar me ligj dhe në hollësi autorizimet policore dhe detyrat e saj. ‘’Në vendin tonë, për shembull, me ligjin për policinë në hollësi rregullohen autorizimet policore dhe detyrat e policisë.  Mjafton vetëm dispozita ligjore ku përcaktohet se, në ushtrimin e autorizimeve dhe detyrave policore, nëpunësi policor është i detyruar të veprojë në mënyrë humane dhe të respektojë dinjitetin dhe nderin e personave si dhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit. Mirëpo, problemi qëndron në praktikën e kryerjes së autorizimeve policore, ku mjaft shpesh paraqiten edhe raste të brutalitetit dhe torturës policore, të cilat shpesh mbeten të pa sanksionuara, qoftë si pasojë e të metave të kontrollit të brendshëm policor ose mungesës së hetimeve të pavarura, qoftë si pasojë e presioneve ndaj qytetarëve dhe të huajve që janë viktima, por, edhe si pasojë e mosbesimit të qytetarëve në institucionet përkatëse’’, shton më tej profesori Shasivari.

Por a ekzistojnë këto ligje tek vendi jonë dhe sa zbatohen ato! ‘’Pra, edhe në vendin tonë ka ligje europiane që rregullojnë punët e brendshme policore, mirëpo, zbatimi i tyre bëhet sipas standardeve dhe praktikës ballkanike’’, shton më tej profesori i të drejtës kushtetuese dhe administrative.  ‘’Problematika e këtillë ka të bëjë me përdorimin e dhunës nga ana e forcave policore që e tejkalon atë cka është e “domosdoshme” për rastin konkret’’, tregon për Zhurnal Doc Dr. Bekim Kadriu (Profesor i të drejtës ndërkombëtare).

Kjo formë e dhunës sipas tij ushtrohet më së shumti tek të privuarit nga liria, të akuzuarit dhe të dënuarit. ‘’Më shpesh kjo formë e dhunës paraqitet ndaj të privuarve nga liria (të dyshuar, të akuzuar, të dënuar) të cilët janë objekt i torturës ose trajtimit tjetër jo njerëzor dhe degradues. Raste të këtilla janë të evidentuara edhe nga Avokati i popullit edhe nga OJQ-të, pra raste të ushtrimit tëtorturës nga ana e forcave policore’’, thekson në bisedën për Zhurnal, profesori Kadriu.

Edhe në vendin tonë janë të ndaluara këto forma të dhunës madje edhe me kushtetutën e vendit. ‘’Edhe me legjislacionin e RM-së edhe me konventat nderkombëtare forma të këtilla të përdorimit të dhunës janë të ndaluara. Në Republikën e Maqedonisë, kushtetuta e ndalon torturën, ligjet që kanë të bejnë me policinë si dhe standardet e sjelljes sëpolicisë. Ndërsa në të drejtën nderkombëtare, mjafton të permendim nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, megjithatë edhe pse legjislacioni i këtillë ekziston, paraqiten shkelje të këtij legjislacioni. Shkeljet paraqiten në dy forma: së pari, perdorimi i panevojshëm i dhunës ndaj të privuarve nga liria paraqet shkelje në vete; dhe së dyti shkelje paraqitet edhe për shkak se personat që bëjnë shkelje të këtilla, mbeten imun nga pergjegjesia. Pra nuk ekzistojnë procedura efikase që garantojnëhetim të pavarur që do të rezultonte me pergjegjësi të caktuar (penale, civile, disciplinore) të personave që ushtrojnë dhunë të këtillë. Këtë gjë e konstaton edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut edhe Komisioni Evropian’’, shton më tej profesori i të drejtës ndërkombëtare Bekim Kadriu.

Mosrespektimi i sundimit të ligjit në republikën e Maqedonisë dhe të gjitha elementet e ndërlidhura me sundimin e ligjit janë arsye që të ndodhin këto lloj dhunime. ‘’Arsyeja pse ndodh një gjë e këtillë është mosrespektimi i parimit të sundimit të ligjit në RM dhe të gjithë elementet të ndërlidhura me parimin e sundimit të ligjit (pavarësia e gjyqësorit, ndikimi i pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, korrupsioni,  nevoja për trajnime të vecanta të pjesëtarëve të forcave policore dhe të ngjajshme)’’, thekson për fund profesori Kadriu.