9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Pas mësimit, nxënësit në bastore e kazino! Urgjentisht ndryshimi i ligjit për lojërat e fatit

Më të lexuarat

Nxënësit pas orëve të mësimit ndalen të provojnë fatin edhe në lojërat e ndaluara për ta. Këto fotografi të dërguara në redaksinë tonë, përcjellin shqetësimin e prindërve dhe arsimtarëve, se pikat e kazinove dhe bastoreve sportive po shtohen çdo ditë nëpër vendet më të frekuentuara të qyteteve. Ky fenomen përveç të rriturve, ka “infektuar” edhe fëmijët dhe adoleshentët. Qytetarët thonë se gjendja e rënduar ekonomike e sociale ka bërë që ky biznes të lulëzojë, me që në rrethana të vështira për të fituar para, ata provojnë rrugën më të shkurtër për prekur jetën e luksit.

“Ku ka vende të fukarallëkut, aty ka bastore dha kazino, për atë shkak edhe hapen ato. Meqenëse, duhet të fitojnë në këtë fukarallëkun e vet, mundohen njerëzit që të kenë diçka dobi. Por, kot e kanë se nuk mund të fitojnë prej atyre. Shteti ju jep hapësirë se popullatën e ka lënë shumë mbrapa, sidomos rininë. Pa shkollë, e gjithë rinia në kazino e bastore”, tha Agim Azemi, qytetar.

Në Kumanovë, po përgatitet të hapet edhe një kazino tek tregu i gjelbër, në bulevardin kryesor të qytetit, pak metra larg Gjimnazit “Sami Frashëri” dhe po aq afër shkollës fillore “Bajram Shabani”. Me që ligji aktual nuk i kufizon në lokacione, bastore e kazino ka gjithandej. Kjo situatë ka bërë që Shoqata e arsimtarëve të ndërmarrë një iniciativë për ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit. Veterani i arsimit shqip, Etem Xheladini kërkon përmes rrugës ligjore që të dislokohen këto pika nga afërsia e institucioneve të arsimit dhe propozon që të vendosen në periferi të qytetit ose në objektet hotelierike.

“Ne kemi menduar se kjo dukuri duhet të luftohet në mënyrë transparente, të mbështetemi të gjithë ata që ndërmorëm këtë iniciativë dhe të rregullohet njëherë e përgjithmonë që rinia jonë mos tu drejtohen dyerve të kazinove apo lojërave tjera të fatit, por t’u drejtohen klubeve sportive, bibliotekave dhe institucioneve tjera edukativo-arsimore, për të cilat kanë shumë nevojë”, u shpreh Etem Xheladini, Shoqata e arsimtarëve.

Sipas tij, iniciativës për të ndryshuar këtë ligj i është bashkangjitur edhe shoqëria civile, dhe një kërkesë më shkrim e kanë drejtuar tek Kuvendi tek Qeveria, përkatësisht te Ministria e Financave, e cila jep licencën e këtyre bizneseve. Xheladini thotë se ligji aktual nuk është në favor të shoqërisë së shëndoshë, por stimulon hapjet e pikave të reja meqë përfitimet janë marramendëse në dëm të xhepave të siç i quan të leckosura të qytetarëve.

LIGJI PËR LOJËRAT E FATIT NË RM:

“Sipas Nenit 58, licenca për organizimin e lojërave të fatit në kazino jepet për periudhë kohore prej gjashtë vjetësh dhe për marrjen e kësaj licence paguhet kompensim në shumë prej 600.000 eurove.

Kurse neni 73 thotë se për organizimin e lojërave të fatit në bastoret sportive, licencë për periudhën tre vjeçare mund të merr çdo firmë afariste, e cila paguan shumën prej 500.000 eurove.”

Sipas të dhënave të Drejtorisë për të hyra publike, për vitin e kaluar vetëm një kompani e bastoreve sportive ka deklaruar fitim mbi 50 milion euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit