5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Parada e përvitshme e shqiptarëve në SHBA, këtë vit iu kushtua Çamërisë

Më të lexuarat

Komuniteti shqiptar i Nju Jorkut shpalosi ngjyrat e tij edhe një herë këtë të shtunë, me paradën që organizon tashmë çdo vit në Manhatan. Mes mijëra njerëzve që morën pjesë kishte shqiptarë edhe nga shtete të tjera. Këtë vit parada shqiptare kishte si temë Çamërinë.

Një det flamujsh të kuq në qendër të Manhatanit, me shqiptarët që këndonin dhe kërcenin këngë popullore nga krahina të ndryshme shqiptarët e Nju Yorkut morën pjesë në paradën e tyre, që këtë vit i kushtohej Çamërisë.

Organizatorët u shprehën se qëllimi i kësaj parade ishte që qeveria greke të njohë masakrat ndaj popullsisë çame dhe dëbimin e tyre nga trojet 75 vjet më parë, në vitin 1944.

Marko Kepi, drejtues i shoqatës “Rrënjët Shqiptare” dhe bashkëpunëtor në organizmin e parades tha: “Ne kërkojmë nga Greqia thjesht një falje, nuk duam hakmarrje. Gjithashtu duam që t’i lejojnë viktimat, t’i lejojnë të mbijetuarit të kthehen në shtëpitë e tyre, aty ku janë me shekuj.”

Vera Cosgrove Xhafo mori pjesë në paradë për t’i bërë një homazh të atit që arriti në Nju Jork nga fshati Filat i Çamërisë mbi një shekull më parë:

“Im atë erdhi këtu në vitin 1917 kur ishte 18 vjeç. Mbiemri i tij ishte Xhafo. Ai u largua nga Filati për shkak të gjenocit. Grekët erdhën dhe i vranë të gjithë. E gjithë familja u largua dhe përfundoi në Tiranë, ndërsa ai erdhi i vetëm në Shtetet e Bashkuara,” thotë Vera.

Sali Bollati, një pjesëtar aktiv i komuniteti, i lindur në Paramithi theksoi:

“Ne kemi ardhur të falenderojmë Amerikën për këtë mundësi që na ka dhënë që këtu të ngrejmë flamurin shqiptar dhe të kërkojmë të drejtën e Çamërisë, e cila pas 75 vjetësh, mbasi na masakruan dhe dëbuan, vuan për të drejtën e saj.”

“Unë jam nga Paramithia, kam lindur atje, isha 7 vjeç kur më vranë 7 njerëz të familjes. Si Rolling Stones përfundova këtu në Amerikë dhe është me të vërtetë vend i bekuar për mua.”

Si çdo vit në paradë mori pjesë edhe ish-kongresmeni me origjinë arbëreshe, Joe Dioguardi, që tha: “Jam shumë krenar që jam shqiptar arbëresh amerikan. Jam shumë i lumtur që jam me ju sot”.

Ilir Ademi, i organizatës Çamëria, duke theksuar se familja e tij është nga Filati, shtoi:

“Në vitin 1944 familja jonë u dëbua nga trojet tona amtare për shkak të dhunës që u krye ndaj saj dhe u vendos në Sarandë. Por do të theksoja gjithashtu që edhe gjatë kohës së komunizmit, komuniteti shqiptar i Çamërisë u përndoq për arsye të origjinës së tyre dhe për arsye të atij sistemi, siç e dini edhe ju.”

Parada nisi me një flamur të madh shqiptar në Avenunë 6, e cila ishte zbrazur nga trafiku.

Sipas të dhënave të policisë, në paradë morën pjesë të paktën gjashtë mijë vetë.

Ndër paradat e komuniteteve të ndryshme që organizohen në Manhatan në muajin qershor, ajo e shqiptarëve dallohet nga pjesëmarrja e madhe dhe nga dinamizmi që krijojnë këngët e vallet popullore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit