4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Optimizmi i Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem).

Më të lexuarat

Një ndër cilësitë fisnike dhe virtytet e lavdëruara që i dhuroi Allahu Pejgamberit dhe të të Dërguarit të Tij është edhe optimizmi. Pejgamberi ishte optimist në të gjitha çështjet dhe rrethanat, kur ishte në shtëpi dhe në udhëtim, në luftë dhe në paqe, në uri dhe mirëqenie. Transmetimet e sakta janë argument lidhur me këtë.

Pejgamberi i Zotit, në rrethanat edhe më të vështira, i përgëzonte shokët e tij me çlirim dhe ngadhënjim ndaj armiqve. Ditën e emigrimit të tij për në Medinë, duke ikur për shkak të fesë së tij dhe duke kërkuar një vend që do të mundte të përhapte misionin e tij, vërejmë se ai e përgëzon një armik, i cili po e ndiqte dhe dëshironte ta vriste atë. Pejgamberi e përgëzon me një thesar që do ta arrijë dhe byzylyk të sunduesit që do ta vishte, ndërsa më madhështore se e gjithë kjo është feja e vërtetë që do ta përqafojë armiku i tij.

Po, ky është optimizmi, sjellje kjo përmes së cilës burrat ndërtojnë lavdinë e tyre. Optimizmi është dritë në kohë errësirash të mëdha, përmes tij zgjidhen problemet, zbërthehen dilemat dhe kjo ka ndodhur me Pejgamberin kur u tregua optimist dhe u lidh me Zotin e Tokës dhe të qiejve. Allahu ia largoi dhe e çliroi nga kurthet dhe të këqijat.

Pejgamberi e donte optimizmin dhe e urrente pesimizmin.

Nëse i shikojmë qëndrimet e Pejgamberit në të gjitha situatat, do t’i gjejmë plot optimizëm, shpresë dhe mendim të mirë ndaj Allahut, larg pesimizmit, i cili asnjëherë nuk sjell të mira.

Prej këtyre qëndrimeve është edhe ai që i ndodhi atij dhe shokut të tij, Ebu Bekrit, (Allahu qoftë i kënaqur me të) gjatë emigrimit për në Medinë. Suraka i ndoqi ata, kurse Pejgamberi i thotë shokut të tij me plot bindje në Allahun dhe optimizëm:

“Mos u mërzit se Allahu është me ne.”

Pejgamberi u lut, kalit të Surakës i humbën këmbët në tokë, deri në gjunjë dhe Suraka ra nga kali. E tërhoqi kalin dhe ai u çua, por me vështirësi ia nxorri këmbët nga toka.

Prej rasteve është edhe ngjarja me shokun e tij, Ebu Bekrin, kur ishin strehuar në shpellë. Njerëzit që kërkonin, arritën deri te hyrja e shpellës. Ata u afruan aq pranë, saqë sikur ndonjëri prej tyre ta ulte kokën, do t’i shikonte ata të dy në shpellë. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i shikoi ata dhe u trondit shumë, sepse mendonte për të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Mirëpo, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha:

“O Ebu Bekër! Si shqetësohesh ti për dy veta, kur Allahu është i treti i tyre? Mos u tremb! Allahu është me ne.”

Prej rasteve të tjera është edhe optimizmi për fitoren në Betejën e Bedrit si dhe njoftimi i shokëve të tij për vendin e kufomave të kokave të kufrit (mosbesimit).

Si dhe raste të tjera të shumta që argumentojnë se Pejgamberi i Zotit ishte i stolisur me këtë cilësi dhe virtyt fisnik.

Lexues të nderuar!

Sa shumë kemi nevojë sot të ndjekim Pejgamberin tonë sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.”(Ahzabë, 21)

Gjendja e Umetit islam sot, me sprova dhe fatkeqësi, pa dyshim që kërkon ringjallje të cilësisë së optimizmit, e cila e rikthen ambicien tek muslimanët si dhe ua ndriçon rrugën atyre. Allahu na dhëntë suksese!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit