9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Nuk jemi kundër Islamit, por…

Më të lexuarat

PROF. DR. XHAFER SHEJH IDRIZ
Politikani perëndimor i drejtohet thirrësit musliman me fjalët: Ne kemi rezervat tona karshi jush, për faktin se ju nuk jeni besnikë në përcjelljen e imazhit tonë para publikut tuaj, duke na përshkruar si njerëz që jemi kundër Islamit, ndërkohë që e vërteta është se nuk jemi kundër tij.

Thirrësi: Kundrejt cilit Islam nuk jeni kundër? Thelbi i Islamit është dëshmia: La ilahe il-lallah, Muhamedun resulullah (Nuk ka Zot të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Tij) dhe se Kurani është fjala e Allahut. A jeni kundër diçkaje prej këtyre parimeve?

Perëndimori: Sikur t’i besonim të gjitha këto do të ishim muslimanë. Unë nuk thashë: “Ne nuk jemi muslimanë”, por thashë: “Ne nuk jemi kundër Islamit”, që do të thotë se ne nuk jemi kundër atij që i beson ato që përmende, sepse ne si liberalë besojmë se është e drejta e çdo njeriu, që të besojë në atë fe që ai dëshiron, që ta propagandojë atë dhe ta zbatojë atë.

Thirrësi musliman: A mund të kuptoj prej kësaj fjale, se ju ia lejoni të gjitha këto muslimanëve që jetojnë në mesin tuaj? Perëndimori: Po, për aq kohë sa ajo nuk bie në kundërshtim me ligjet dhe vlerat tona. Kështu ne nuk ia lejojmë muslimanit për shembull, që të martohet me më shumë se një grua, edhe pse ia lejojmë –sipas ligjeve dhe traditave tona- që të bashkëjetojë me cilëndo grua apo burrë që dëshiron dhe të bëjë me to atë që ju e quani “paturpësi”, përderisa kjo realizohet me pajtimin e tyre. Ndoshta tani kemi shkuar edhe më larg duke i konsideruar disa gjëra, si shembulli i shamisë, si gjëra që bien ndesh me vlerat tona.
Thirrësi: Pra, Islami ndaj të cilit ju nuk jeni kundër është ai Islam, që sillet brenda kufijve tuaj shekullarë dhe nëse ai i tejkalon ato ju e harroni liberalizmin tuaj. Cili është qëndrimi juaj karshi muslimanëve që nuk janë qytetarë të vendit tuaj, të cilët dëshirojnë ta organizojnë jetën e tyre sipas parimeve të fesë së tyre?
Perëndimori: Duke marrë në konsideratë faktin që ne jemi liberalë, besojmë se çdo popull gëzon të drejtën që ta organizojë jetën e tij sipas parimeve të veta, por ne besojmë se parimet tona liberale dhe vlerat tona, siç është demokracia dhe të drejtat e njeriut, nuk janë vetëm vlera perëndimore, por janë edhe vlera njerëzore. Për këtë arsye ne përpiqemi me të gjitha rrugët paqësore, që vlerat tona të jenë ato mbizotëruese në botë, duke përfshirë këtu edhe botën islame.
Thirrësi musliman: Pra, në botën islame ju jeni kundër gjithçkaje, që bie ndesh me atë që e quani “vlerat tuaja liberale”, edhe nëse janë çështje, të cilat i urdhëron Islami dhe përpiqeni që t’i ndryshoni. Perëndimori: Po, por ne këtë e realizojmë me rrugë paqësore, ku bëjnë pjesë presionet politike, ekonomike dhe mediatike, sepse mendojmë që është në interes të popujve muslimanë, që të përqafojnë parimet liberale, të cilat janë kthyer –siç ju thashë- në parime njerëzore, jo perëndimore.
Thirrësi musliman: Por realiteti tregon që ju nuk i përmbaheni këtyre kufijve –pavarësisht dhunës që demonstrohet në to- por i tejkaloni ato deri në përdorimin e armëve. Perëndimori: Po. Ne e bëjmë këtë për të ndihmuar popullin në një shtet të dobët, që nuk i ka mundësitë për të mbrojtur vetveten kundër agresorëve pushtetarë, ashtu siç vepruam në Irak. Thirrësi musliman: Ke si qëllim të thuash, se të gjitha vendet perëndimore si: Kanadaja, Evropa, Australia, Zelanda e Re etj., u bashkuan për të luftuar Irakun, për të vrarë me mijëra banorë të tij, për ta prishur dhe për ta rrënuar, me qëllimin e vetëm për ta shpëtuar atë nga pushteti i një njeriu të vetëm?!…
Perëndimori: Ju po e teproni në këtë pikë. Tani Iraku është një vend demokratik, që drejtohet nga një president i zgjedhur dhe gëzon shumë liri, të cilat nuk mund t’i gëzonte në periudhën e pushtetit diktatorial. Thirrësi musliman: Atëherë le të lejmë mënjanë pretendimet tona dhe le të dëgjojmë dëshmitë e institucioneve perëndimore.
Perëndimori: Cilat janë ato dhe çfarë thonë?
Thirrësi musliman: Kjo është revista e politikave të jashtme Foreign Policy, e cila në numrin e saj elektronik, që është botuar në muajin Qershor të këtij viti thotë: “Iraku ishte një vend me popullsi të përbërë nga shtresa e mesme, të cilat zotëronin shtëpi, makina dhe shkolla private, por ai u shkatërrua. Në këtë luftë kanë vdekur 4300 forca aleate, 20,000 ushtarë dhe forca të sigurisë irakiane, 90,000 qytetarë kanë vdekur nga luftimet, 50,000 vetë nga shkaqe indirekte, janë vrarë 163 gazetarë dhe kanë humbur rreth 1500 sende me vlerë nga muzetë e grabitur.” Këto fakte i ka përmendur kjo gazetë në numrin e saj më datë 22 Qershor të vitit 2009, por shkatërrimi dhe vdekjet vazhdojnë ende. A do të më thuash, se e gjithë kjo vdekje dhe shkatërrim u bë për të shpëtuar një vend musliman nga një diktator që mbiu nga i njëjti popull? A mund ta pranojë këtë fjalë dikush, që ka qoftë edhe një grimcë mendje? Perëndimori: Mos harro! Edhe pse hedhja e një diktatori ishte një nga elementët që na nxiti për të hyrë në luftë, përsëri ekzistonin shtysa të tjera edhe më të fuqishme për ta bërë diçka të tillë, siç ishte mbrojtja e interesave tona nga kërcënimi i armëve të shkatërrimit në masë, që kishte në dispozicion Sadami.
Thirrësi musliman: Më lejo të them, se kjo nuk ishte një shtysë, edhe pse mund të jetë një alibi për të justifikuar agresionin. Argument për këtë është fakti se lufta vazhdoi, edhe pse një pjesë e madhe e shkatërrimit dhe vrasjeve ndodhi pasi e gjitha bota mësoi dhe pasi qeveria amerikane e pranoi, se Sadami nuk zotëronte armë të shkatërrimit në masë. Perëndimori: Përse të mos e pranojmë se presidenti i ri i SHBA-së fitoi nga slogani i ri për ndryshim dhe se premtoi hapjen e një faqeje të re me botën islame?
Thirrësi musliman: Po! Presidenti i ri e premtoi këtë, por u vërtetua se ndryshimi i tij ishte vetëm me ligjërimin me të cilin i drejtohej muslimanëve dhe të tjerëve. Ai përdor fjalë të ëmbla, por ne nuk mashtrohemi vetëm me fjalë të ëmbla. Po! Ai premtoi tërheqjen nga Iraku, por këtë e premtoi edhe presidenti i mëparshëm, sepse mendonte që misioni i tyre atje mbaroi, por presidenti i ri doli nga Iraku për t’u përqendruar në një vend tjetër musliman, që ishte Afganistani, madje edhe Pakistani. Në të njëjtin numër, gazeta që sapo të përmenda përmend se Karzai, presidenti i vendosur nga amerikanët, si i pari i vendit ka thënë: “Nëse jam kukull për faktin se i njoh meritat e Amerikës, atëherë le të jetë ky emri im.” Gazeta gjithashtu përmend se në luftë kanë vdekur 1,160 forca të aleancës, të paktën 10,000 forca të sigurisë afgane, 11,000 qytetarë për shkak të luftës, 20,000 vetë nga shkaqe indirekte, 6 gazetarë dhe janë grabitur aq shumë sende të trashëgimisë kulturore, sa ministri i kulturës është shprehur: “Afganistani është një muze i madh, që po grabitet pak e nga pak.” Them se kjo ka ndodhur që kur është publikuar ai numër, por lufta vazhdon dhe vetëm Zoti e di sesa do të jenë humbjet e saja përfundimtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit