Nuk i duhet avokati për t’u mbrojtur nga Dick Marty!

0
48

Edhe pse Brukseli po nxit hetimet për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi, në këtë fazë nuk do të angazhojë avokat për t’u mbrojtur nga akuzat e senatorit zviceran, Dicka Marty. “Kryeministri nuk e sheh të arsyeshme që në këtë fazë të angazhojë avokat mbrojtës ndaj akuzave të Martyt”, ka thënë për KTV-në zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në Shqipëri, të martën Komisioni i ligjeve miratoi me konsensus të plotë në tërësi projektligjin i cili i hap rrugë hetimeve në Shqipëri për trafikim organesh. Projektligji në fjalë “Për rregullimin e marrëdhënieve juridiksionale në çështjet penale me Task-Forcën hetimore speciale të EULEX-it”, pritet tashmë t’i kalojë Kuvendit ku pritet t’i jepet vota përfundimtare në seancën më të afërt, votim i cili kërkon shumicë të cilësuar votash.

Marty ka akuzuar kryeministrin e Kosovës për përfshirje në “trafikimin organesh njerëzore” gjatë kohës sa ishte udhëheqës politik i UÇK-së. Por këto akuza janë hedhur poshtë nga të gjitha forcat politike në Kosovë dhe Shqipëri. Raporti i Martyt është vlerësuar i pabazuar në fakte, prova apo realitet, dhe politikisht i motivuar nga Serbia dhe Rusia.

“UÇK-ja luftoi për çlirimin e vendit. Gjithë bota e di kush ka bërë gjenocid. Raporti i Dick Martyt ka për qëllim ta kriminalizojë luftën për liri, po ashtu ta dëmtojë imazhin e Kosovës për t’i penguar njohjet dhe ta dëmtojë imazhin e Shqipërisë”, kishte deklaruar Thaçi pas publikimit të raportit.

Hetimet me të njëjtat akuza janë kryer tre herë deri tani nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, përfshi edhe OKB-në, por që të gjitha kanë ardhur në përfundim se nuk ka fakte që e përfshijnë UÇK-në në trafikim organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë, për çka fillimisht kishte ngritur dyshime ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla Del Ponte, bazuar në thashethemet e Serbisë. /kohaislame/