5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Ngrihet aktakuzë ndaj katolikut Anton Jupa, biznesmenit që shiste mish të ngordhur

Më të lexuarat

Kundër katolikut Anton Jupa që i shiste popullit shqiptar mish të ngordhur, është ngritur aktakuzë për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Prodhimit dhe vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.

Për këto çështje Prokuroria e Prizrenit ngriti sot aktakuzë ndaj katolikut Anton Jupa, po ashtu edhe ndaj tre personave të tjerë – të cilët akuzohen vetëm për veprën penale të “Prodhimit dhe vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.

“Prokuroria Themelore në Prizren pas përfundimit të hetimeve lidhur me dyshimet për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, ka ngritur 4 aktakuza kundër 4 personave të dyshuar dhe kundër personave juridik”, thuhet në njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Prizrenit.

Siç njofton Prokuroria, Jupa dhe tre të tjerët me qëllim kanë shitur mish dhe produkte të mishit, për të cilat e kanë ditur se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve.

Në një artikull të publikuar më 14 mars, Insajderi kishte zbuluar se në Kosovë ishte importuar mish nga firma “Veviba” me seli në Belgjikë, produktet e së cilës kanë patur afat të skaduar prej 12 vitesh.

Insajderi pati siguruar një dokument nga Dogana e Kosovës, i cili dëshmonte se firma “Veviba” kishte eksportuar mish në Kosovë dhe që zbuloi se kompania për importin e mishit “Euro IDA” nga Rahoveci, kishte pranuar mish nga “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Bëhej fjalë për mbi 60 ton mish gjedhi që “Euro IDA” kishte importuar nga firma “Veviba” në tri importe të realizuara ndaras me njëra-tjetrën. Hulumtimi i Insajderit dëshmonte se mishi i dyshimtë i kompanisë “Veviba” ishte shitur papenguar në Kosovë. Madje, mishi i importuar nga kompania “Euro IDA” ishte blerë për vetëm 95 cent për kilogram.

Pas publikimit të atij dokumenti, Jupa kishte telefonuar në redaksinë e Insajderit duke kërcënuar me vdekje ekipin e Insajderit dhe gazetarin që kishte hulumtuar rastin.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, kishte thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës trei ditë pas publikimit të artikullit më 17 mars.

Insajderi kishte denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, ndërkaq gjashtë ditë më vonë Jupa ishte arrestuar në Rahovec nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, më 21 mars të këtij viti u dëshmuan faktet për të cilat kishte raportuar Insajderi. Mbi 1800 kilogramë mish pule me afat të skaduar ishin gjetur në kompaninë “Euro-IDA”, pas një aksioni të bastisjes nga Policia e Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit