9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Nga Murat M. ALIU: Sfida e Turqisë përballë terrorizmit

Më të lexuarat

Gjatë këtyre dy viteve të fundit, Turqia po përballet ndoshta me situatën më të vështirë që prej shpalljes si shtet i pavarur në vitin 1923, pra, me sulmet terroriste që kanë arritur përmasa shqetësuese. Ca nga këto sulme janë të ndërlidhura drejtpërsëdrejti me situatën në Siri dhe Irak, kurse një pjesë e tyre me situatën e brendshme të Turqisë, me luftën shumëvjeçare me organizatën terroriste PKK. Kjo në fakt do të thotë që Turqia është në shënjestër të terrorizmit.

Sot terrorizmi nuk është problem vetëm i Turqisë, por i gjithë botës. Terrorizmi sot po dridh themelet e shteteve europiane, të cilat pas Luftës së Dytë Botërore disi u rehatuan në aspektin e sigurisë kombëtare. Terrorizmi i sotshëm, i cili shpërfaqet në mënyrë sistematike dhe individuale, dallon shumë nga ai i kufizuari nihilist i shekullit të 19-të dhe i viteve ‘70. Problemi themelor i terrorizmit të sotshëm janë dimensionet e tij të pashpjegueshme; në këtë kontekst, diçka që është e pashpjegueshme është dhe e paparandalueshme.

***

Organizata terroriste PKK, me strategjinë e vet të re, pra, me kryerjen e sulmeve terroriste brenda hapësirave të banuara me civilë, synon ta dëshmojë veten si aktore relevante dhe përcaktuese në politikën e brendshme të Turqisë,  dhe, për pasojë, ta detyrojë shtetin turk të bëjë kompromis në luftën ndaj saj. Qëllimi final i PKK-së është realizimi i idesë pankurdiste, krijimi i një shteti të madh të Kurdistanit si një hap i parë i subjektivizmit historik të kurdëve në këto hapësira.

Pyetja që shpeshherë po parashtrohet në lidhje me strategjinë e re të organizatës terroriste PKK është se nga e fiton potencën dhe guximin për këtë gjë. Përgjigjja më logjike e kësaj pyetjeje është se fuqinë dhe guximin kryesor PKK-ja po e fiton nga faktorizimi në luftën kundër DEASH-it në Irak dhe Siri, e si rrjedhojë ka fituar mbështetjen e parezervë të SHBA-së dhe të shteteve europiane. Armatosja e PKK-së nga SHBA-ja dhe qendrat e tjera të fuqisë, hapja e zyrave të PKK-së dhe PJD-së në Moskë, marrëdhëniet e mira të PKK-së me Iranin, organizimi i mirëfilltë i shoqatave të lidhura me PKK-në në Europë, janë disa nga faktorët që e nxisin këtë organizatë për kryerjen e sulmeve terroriste.

Përveç PKK-së, Turqia po përballet edhe me sulmet terroriste të militantëve të organizatës terroriste DEASH. Për dallim nga sulmet e PKK-së, sulmet e DEASH-it në fakt paraqesin një reaksion sociologjik ndaj hegjemonisë së vlerave liberale të botës perëndimore. Lufta qytetare në Siri, destabiliteti në Irak dhe vakumi i krijuar në pjesën juglindore të Turqisë u ka lejuar militantëve të DEASH-it kryerjen më të lehtë të akteve terroriste brenda Turqisë. Po ashtu, një faktor tjetër shtytës për kryerjen e sulmeve terroriste të DEASH-it në Turqi janë operacionet ushtarake që Turqia po i zhvillon kundër kësaj organizate në Siri dhe Irak. DEASH-i në njëfarë mënyre ndjehet i “tradhtuar” nga Turqia, e cila është renditur krah për krah me “armiqtë” e Islamit, pra, me shtetet perëndimore.

***

Për momentin, shteti i Turqisë akoma nuk ka një strategji të qartë për parandalimin e këtyre sulmeve, që veçmas në perceptimin e qytetarëve filluan të normalizohen dhe standardizohen. Shikuar nga këndvështrimi normativ, kjo situatë shpërfaq dobësitë e Turqisë dhe të institucioneve përkatëse në kontekstin e mungesës së aftësive për t’u garantuar sigurinë qytetarëve.

Përveç kësaj, është shqetësues fakti që si DEASH-i dhe PKK-ja, si organizatat më të rrezikshme terroriste, kanë një taban të caktuar sociologjik. Fakti që në zgjedhjet e fundit parlamentare të 1 nëntorit 2015, partia kurde HDP, e cila haptazi e mbështet PKK-në, fitoi rreth gjashtë milionë vota, vërtet është shqetësues. Po ashtu, sipas një ankete të realizuar në mars të vitit 2016, DEASH-i gëzon mbështetjen e rreth tetë për qind të qytetarëve të Turqisë.

Dhe, së fundi, përveç viktimave njerëzore si pasojë e sulmeve terroriste, Turqia është duke u përballur me probleme strukturore ekonomike dhe financiare, me rritjen e nacionalizmit dhe  polarizimit akoma më të theksuar.

Ekspertët në të ardhmen paralajmërojnë pakënaqësi ndër qytetarët e Turqisë si pasojë e inflacionit të lartë, të shkaktuar nga zhvlerësimi i lirës kundrejt dollarit dhe euros. Po ashtu ekziston edhe shqetësimi për një konflikt ndëretnik, në kuptimin që qytetarët të marrin në dorë drejtësinë. Pas sulmeve terroriste të kryera nga PKK-ja para dy javësh, me ç’rast humbën jetën disa dhjetëra policë dhe civilë, shumë qytetarë të përkatësisë etnike turke dolën në rrugë dhe reagimin e tyre e manifestuan duke djegur objektet partiake të partisë kurde HDP. Po ashtu, kjo situatë ka shkaktuar një polarizim të skajshëm mbi baza etnike, fetare dhe ideologjike. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit