Ndalohet dhe lirohet veprimtari Baki Sulejmani

0
57

Policia e Maqedonisë ka mbajtur për disa orë në stacionin policor të Tetovës, Baki Sulejmanin, aktivistin kombëtar, i njohur si një ndër udhëheqësit e Lëvizjes “Republika e Iliridës”.


Sulejmani i shoqëruar nga dy persona të tjerë ishte ndaluar nga policia rreth orës 15.00 në Tetovë, me arsyetimin se në makinën e tij është gjetur një pistoletë pa leje.
Lidhur me ndalimin e tij ka reaguar organizata për të drejtat e njeriut IGFM, e cila e udhëhequr nga kryetari i saj në Maqedoni, Idriz Sinani dhe sekretarja Lepa Sardeliq, por edhe në bashkëveprim me kryetarin e kësaj lëvizje “Republika e Iliridës”, Nevzat Halili kanë reaguar pranë organeve të rendit në Tetovë, duke kërkuar sqarime për ndalimin.
Sipas familjarëve, tre të ndaluarit në mëngjes kishin shkuar për të marrë material ndërtimor në Kosovë dhe gjatë kthimit janë ndaluar nga policia. Ata janë të bindur se në veturën e tyre nuk ka pasur kurrfarë arme dhe se rasti është i montuar.
“IGFM në Maqedoni është e bindur se ky rast është një montim klasik për shkak të veprimtarisë politike të Sulejmanit dhe aktivitetit të tij për ringjalljen e Republikës së Iliridës, e cila kundërshtohet nga politika aktuale në Maqedoni. Vlerësojmë se është në dëm të Maqedonisë inskenimi i rasteve të tilla që ndjellin mosdurim dhe reagim tek popullata shqiptare. Andaj, kërkojmë që rastet e tilla të mos përsëriten më”, thuhet në reagimin e kësaj organizate me seli në Gjermani.
Të ndaluarit janë liruar rreth orës 1 pasmesnate, pas një procedure të gjatë informative dhe pas reagimeve të shumta për lirimin e tyre./BS/kohaislame