7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Madhësia e mjekrës dhe a lejohet shkurtimi i saj

Më të lexuarat

Urdhrat e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem tregojnë qartë se mjekra duhet të kursehet tërësisht. Veç kësaj, i Dërguari salallahu alejhi ue selem dhe shokët e tij kishin mjekra të plota dhe të mëdha.
Nuk ka transmetime autentike të cilat tregojnë se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka shkurtuar mjekrën e tij. Megjithatë, ka raportime autentike prej një numri sahabësh, veçanërisht Ibn Omeri, Ebu Hurejra dhe Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me ata të gjithë, të cilat tregojnë se ata kishin shprehi të prisnin atë që kalonte gjatësinë e një grushti.

Gazaliu në librin e tij El-ihja’ ka thënë: “Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth madhësisë së mjekrës; disa prej tyre kanë thënë se nuk ka të keqe nëse njeriu e shkurton atë që kalon gjatësinë e një grushti, kështu vepronte edhe Ibn Omeri dhe disa nga tabiinët dhe e ka pëlqyer një gjë të tille Sha’biu dhe Ibn Sirini, kurse Haseni dhe Katadeja e kanë urryer duke thënë: “Lëshimi i saj (duke mos e prekur) është më i dashur, sepse i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Lëshoni mjekrat.”(El-ihja 2/254)

Neveviu në lidhje me thënien e Gazaliut thotë: “Ky është mendimi i Gazaliut, kurse e vërteta është se urrehet që të merret nga ajo, mirëpo duhet lënë ashtu siç është, duke u argumentuar me hadithin sahih, ku i Dërguari salallahu alejhi ue selem thotë: “Lëshoni mjekrat.” (El-mexhmu’ 1/321)

Buhariu transmeton nga Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kundërshtoni mushrikët (idhujtarët), pra lëshoni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet.” Buhariu 10/291, Muslimi 6/155 dhe të tjerët.

Pastaj shton Buhariu dhe thotë: “Kur Abdullah bin Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, shkonte në haxh apo umre, ai kishte shprehi ta mbante mjekrën e tij me grusht dhe të shkurtonte çkado që tejkalonte grushtin e tij.” (Buhariu 10/334)

Mubarekfuri ka thënë: “Ata të cilët e lejojnë shkurtimin e asaj që kalon nga mjekra gjatësinë e një grushti dhe argumentojnë me argumentin e Ibn Omerit kanë argumentim të dobët sepse hadithet e sakta të cilat urdhërojnë lëshimin e mjekrës (duke mos e prekur atë) e kundërshtojnë thënien e Ibn Omerit. Për këtë shkak nuk bën të argumentohet me to, duke i pasur argumentet e vërteta dhe të cilat i ka thënë i Dërguari salallahu alejhi ue selem dhe është e urryer që të merret diçka prej saj. Allahu e di më së miri.”
Pastaj thotë: “Ka thënë El-Kermani: “Ndoshta Ibn Omeri me shkurtimin e mjekrës së tij në haxh apo umre ka dashur që t’i bashkojë mes rruajtjes dhe shkurtimit që është përmendur në ajet, ku Allahu i Lartësuar thotë kur flet për haxhilerët: “…t’i rruani flokët e kokave tuaja dhe t’i shkurtoni”, prandaj ai rruante flokët dhe shkurtonte mjekrën (atë që tejkalonte grushtin e tij).” (Tuhfetul Ahfedhi 8/47)

Pra, nga këtu e shohim se po bie ndesh transmetimi i Ibn Omerit me veprën e tij dhe dihet në lëmin e Usuli Fikhut se nëse bie ndesh transmetimi i një sahabi me veprën e tij, atëherë merret transmetimi dhe lihet anash vepra e tij.

Po që se marrim transmetimin e Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, do të kuptojmë se shkurtimi i mjekrës lejohet vetëm në haxh apo umre dhe jo gjithmonë, sepse Ibn Omeri e ka shkurtuar mjekrën kur ka shkuar në haxh apo umre, sipas transmetimit që cekëm më lart.

Pra, në veprën e Ibn Omerit nuk ekziston se shkurtimi i mjekrës lejohet në çfarëdo kohe e sidomos nuk ekziston asnjë argument që e lejon që mjekra të shkurtohet më shume sesa ajo që tepron nga grushti i dorës. Kurse disa dijetarë që thonë: “Ai që nuk e rruan mjekrën është larguar nga mëkati, sado pak që e mban atë (mjekër).” Ky mendim është i gabuar, sepse, siç e cekëm, nuk ka asnjë argument që tregon se lejohet shkurtimi i mjekrës, përveç hadithit të Ibn Omerit, dhe ai e lejon që të shkurtohet ajo që tepron nga grushti i dorës (në haxh dhe umre) dhe nuk e lejon të shkurtohet më tepër.

Pra është e vërtetë se rruajtja e mjekrës është mëkat më i madh sesa shkurtimi i saj, pra më mirë është që të lëshohet mjekra sesa të rruhet e tëra. Kjo i ngjan asaj sikur të pyetet një dijetar se cili është mëkat më i madh, pirja e një gote verë apo e një shisheje. Sigurisht që do të përgjigjet se pirja e një shisheje është mëkat më i madh, mirëpo nuk do të thotë se edhe pirja e një gote nuk është mëkat.

Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shkurtimi i mjekrës është në kundërshtim me urdhrin e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Lëshoni mjekrat”. Pra, ai që dëshiron ta pasojë urdhrin e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem dhe ta pasojë udhëzimin e tij, mos të marrë nga mjekra asgjë, sepse prej udhëzimit të të Dërguarit salallahu alejhi ue selem është që të mos merret asgjë nga mjekra. Ky është udhëzimi edhe i të Dërguarve të mëparshëm. (Fetava ibn uthejmin 11/126).
Shejh bin Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ai që argumentohet me veprën e Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai gjatë haxhit shkurtonte nga mjekra atë që tepronte nga grushti i tij, kjo nuk është argument sepse ky është vetëm mendim i Ibn Omerit, kurse argumenti qëndron në transmetimin e tij (d.m.th hadithin që e transmeton Ibn Omeri, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kundërshtoni mushrikët (idhujtarët), pra lëshoni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet.”(Buhariu 10/291,Muslimi 6/155 dhe të tjerët), dhe jo në mendimin e tij. (Fetava ue mekalat esh-shejh ibn baz 8/370).

Eroll Nesimi
15.8.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit