14 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Tallja me mjekrën dhe me fenë

Më të lexuarat

Me fitre (natyrshmërinë) të deformuar, të cilën shumë muslimanë bashkëkohorë e posedojnë, ata miratojnë rrugët e jobesimtarëve dhe nuk pranojnë udhëzimin e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem! Ata e stolisin veten me mjekra të rruara mirë dhe turpërohen nga pjesëmarrja në funksione dhe takime të rëndësishme qoftë edhe me një mjekër të vogël. Ata çmojnë pamjen e një njeriu të rruar dhe e urojnë atë që posa është rruar! Ata urdhërojnë farefisin, fëmijët dhe vartësit e tyre që t’i rruajnë mjekrat, duke pohuar se mjekra është shenjë e të qenët i çrregullt, i prapambetur dhe përtac! Ata tallen me mjekrën dhe me secilin që e lëshon atë!
Me këtë veprim ata tallen me një pjesë me themel të fesë islame, e ky veprim është kufër. Nëse ata nuk e dinë këtë, atëherë janë tejet injorantë rreth fesë së tyre.

En-Nesefiu ka thënë: “Injorimi i çështjeve të fesë është kufër si dhe të tallurit me çështjet e fesë është kufër.”
Transmeton Muhammed Zekerijja el Kandehlevi se Tehanuvi ka thënë: “Ai i cili këmbëngul në rruajtjen e mjekrës dhe thotë se kështu është më mirë dhe mendon se lëshimi i mjekrës është turp dhe nënçmim dhe i injoron ata të cilët kanë mjekra apo tallet me ta, ai nuk ka mundësi ta ketë imanin e tij të shëndoshë, duhet që automatikisht të pendohet tek Allahu i Lartësuar dhe ta ripërtërijë imanin e tij si dhe nikahun me gruan e tij (për shkak se ka bërë kufër). Ai duhet ta dojë pamjen e të Dërguarit të tij salallahu alejhi ue selem dhe të ketë dëshirë që pamje të tillë të ketë ai dhe të gjithë muslimanët.” (Wuxhub ifail-lihje, f. 57)

AbduRrahman AbdulHalik ka thënë: “Të tallurit me mjekrën, namazin, mbulesën e femrave, xhamin, Qaben apo me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem është kufër. Të tallurit me çdo gjë që ka ardhur nga Allahu i Lartësuar, si p.sh. urdhëresë a ndalesë, është kufër. Gjithashtu të tallurit me një musliman për shkak të Islamit të tij është kufër dhe kjo nuk duhet të ndodhë nga një musliman asnjëherë.” (El haddul fasil bejnel iman vel kufër, f. 43.)
Allahu i Lartësuar thotë për qafirët: “Mëkatarët ishin ata të cilët i përqeshnin ata që besuan. Dhe kur kalonin (besimtarët) pranë tyre (idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit.” (El-Mutaffifin 29-30)

Ka mundësi që njeriu të bëjë kufër duke u tallur me një njeri për shkak të Islamit të tij, për shkak se si p.sh e ka lëshuar mjekrën. Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Në luftën e Tebukut në një ndenjje disa sahabë thanë: “Nuk kemi parë më të dashur për ushqim, më rrenacak dhe më frikacakë kur takohen me armikun sesa shokët e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.” Një njeri i tha: “Ke gënjyer, ti je munafik (hipokrit) dhe do t’i tregoj Pejgamberit salallahu alejhi ue selem) për këtë që ke thënë.” Dhe i tregoi Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, kurse ata u arsyetuan duke thënë se: “Ne vetëm jemi tallur me ta” dhe kjo ishte shkak i zbritjes së ajeteve: “Hipokritët kanë dro se do të zbritet ndonjë kaptinë që do të nxjerrë në shesh atë që kanë në zemrat e tyre. Thuaj: “Ani, talluni!” All-llahu do ta zbulojë atë që i frikësoheni. E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm jemi mahnitur e dëfryer”. Thuaj: “A me Allahun, Librin dhe të Dërguarin e Tij talleni? Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi (shpallët se) besuat, keni mohuar. Nëse një grupi nga ju i falim, grupin tjetër e dënojmë, ngase ishin kriminelë.” (E-Teube 64-66)

O ju që po talleni me ata që kanë mjekra, “A me Allahun, Librin dhe të Dërguarin e Tij talleni?” Vallahi ju keni bërë kufër pasi keni besuar, “ju pasi (shpallët se) besuat, keni mohuar.”

Pra, të tallurit me një musliman për shkak të fesë së tij është kufër sepse tallja me të është tallje me ligjin e Allahut të Lartësuar, tallje me Islamin. Allahu i Madhëruar thotë: “E sot, (në Ditën e Gjykimit), ata që besuan do të tallen me jobesimtarët.” (El-Mutaffifin 34)

Allahu i Madhëruar i quajti qafirë ata të cilët talleshin me besimtarët. I Madhëruari thotë: “Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan.” (El Bekare 212)

Komisioni i Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva (El-lexhnetu daime lil buhuthil ilmijje uel ifta’) ndër të tjerat është pyetur: Disa nga të çmendurit thonë: Sikur të ishte mjekra e mirë, nuk do të dilte tek organi gjenital, Allahu i shëmtoftë! Pra cili është hukmi mbi këta persona?

Komisioni i Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva është përgjigjur:

Ai i cili e krahason mjekrën me qimet që dalin tek organi gjenital ka bërë mëkat të madh, i cili e nxjerr nga feja islame, sepse të tallurit apo të përqeshurit me diçka që ka ardhur në Kuran apo Suneti është kufër i cili e nxjerr njeriun nga Islami. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “A me Allahun, Librin dhe të Dërguarin e Tij talleni? Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi (shpallët se) besuat, keni mohuar.”

Dhe së fundi, e lus Allahun e Madhëruar që të na udhëzojë në rrugë të drejtë dhe të na mbrojë nga konfliktet e humbura!

Përgatiti: Eroll Nesimi
29.8.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit