4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Leximi i Kuranit me para

Më të lexuarat

Në temën e mëparshme është diskutuar çështja e arritjes së shpërblimit të leximit të Kuranit të vdekurve dhe kuptuam se është një çështje në të cilën ka mospajtim.

Ata të cilët kanë thënë se kjo nuk është e saktë, do të thotë se shpërblimi i dhuruar nuk i arrin të vdekurit. Është mjaftë e kuptueshme se këta dijetarë ta kenë ndaluar që ndokush të lexoj Kuran për të vdekur me pagesë. Pasi, derisa kjo nuk lejohet pa para (vullnetarisht), atëherë është më primare që kjo të jetë e ndaluar të bëhet me para.

Por, atë që duhet të kuptojmë, gjithashtu, është edhe ajo se ata të cilët kanë thënë se dhurimi i shpërblimit i arrin të vdekurit, edhe ata kanë ndaluar që  të huazohet lexues me para për t`i lexuar të vdekurit. Kjo çështje tek ata kthehet në atë se, nuk perceptohet kjo vetëm me arritjen e shpërblimit të vdekurit, respektivisht  me mos arritjen e tij. Me fjalë të tjera nuk do të thotë se nëse lejohet dhurimi i shpërblimit, lejohet edhe huazimi i lexuesit me para. Ky dallim është më se i domosdoshëm të bëhet, pasi realisht janë edhe dy çështje të ndryshme.

Qëndrimi i pothuajse të gjithë dijetarëve të cilën thonë se shpërblimi i leximit të Kuranit u arrin të vdekurve janë të mendimit se nuk është i saktë leximi i Kuranit me para, gjegjësisht që të merret me qira (me pagesë) lexues që të lexoj, pastaj atë shpërblim t`ia dhuroj të vdekurve, ashtu si e bënë ai që e lexon vullnetarisht (pa pagesë).

Kurse ata pak dijetarë që lejojnë leximin me para të vdekurve, shumë prej tyre nuk e thonë këtë duke pasur pikënisje se të vdekurit i arrin shpërblimi i leximit që i dhurohet nga lexuesi, por ata e kanë për qëllim që të vdekurit i bënë dobi vetë leximi sikurse të sëmurit kur t`i këndojmë Kuran gjatë rukjes. Pra këto dy çështje janë të ndara në mes vete. Prandaj edhe shumë nga ata (që lejojnë leximin me para) kushtëzojnë që ky lloj i leximit të bëhet në prezencën e trupit të vdekur qoftë i shtrirë apo në varr, pastaj që leximi të bëhet në prezencën e personit që e bën pagesën dhe që në fund të leximit të pasohet lutja për të vdekurin[1].

Karafi, një nga dijetarët e medhhebi Maliki thotë: “Ajo që vlen të thuhet në këtë rast është se nuk ekziston mospajtim se atyre u arrin bekimi (bereqeti) i Kuranit, e jo shpërblimi i saj”[2].

Gjithashtu, ata për këtë edhe kur sjellin argumentet e lejimit të leximit të Kuranit për të vdekur, i sjellin ato argumentet që lejojnë marrjen e parasë për leximin e Kuranit gjatë rukjes (shërimit me të sëmurit me lexim të Kuranit).

Sido që të jetë, mendimi se lejohet leximi i Kuranit me para për të vdekur është jo i saktë dhe në kundërshtim me bazat esenciale në të cilat ndërtohet kjo fe. Dhe pa marrë parasysh se kush mund të jetë thënës i këtij qëndrimi, (edhe pse është një numër mjaft i vogël dhe ata këtë e kanë bërë me kushtëzime të shumta) është e papranuar. Adhurimet (ibadetet) që kryhen vetëm për hir të Allahut dhe në të cilat adhurime kërkohet kulminacioni i sinqeritetit, siç është leximi i Kuranit, në këtë assesi nuk lejohet përfitimi material.

Allahu i Lartësuar thotë:

“وما امروا الا ليعبدوا الله مخلصين له الدين حنفاء ويقيموا الصلاة ويؤتوا الزكاة وذلك دين القيمة”

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, përveç që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij…[3]

Gjithashtu thotë:

“ولا تشتروا باياتي ثمنا قليلا واياي فاتقون”

“Dhe mos i shitni ajetet e Mia (Kuranin) me një vlerë të paktë”[4].

Prandaj në këtë çështje duhet të jemi rigoroz dhe të mundohemi ta ndërkrejmë atë që është e përhapur te muslimanët e thjeshtë, posaçërisht ata të cilët nuk dinë të lexojnë vetë, mendojnë se është e kërkuar nga ata fetarisht të paguajnë lexues që do tu lexojnë të vdekurve të tyre. Me një informim të saktë dhe ofrimin e mënyrave të sakta me të cilat ata do të mund t`u dedikojnë të vdekurve të tyre shpërblime, si lutja për ta, pastaj sadakaja me forma të ndryshme të saj, etj., e ngremë vetëdijen tek ata në lënien e veprimeve që janë të përhapura tani.

Alaudin Abazi

16.02.2007

[1] Prandaj edhe ky qëndrim është më shumë i njohur te disa maliki dhe shafi që nuk e shohin se të vdekurit i arrin shpërblimi i leximit të Kuranit, por ata e lejojnë leximin  me para duke e konsideruar se kjo është formë e rukjes. Shih: “Nihajetu muhtaxh”, Rumejli, vëll. V, f. 293, “Ehdhu mal ala amal kureb”, Vëll. Ii, f. 524.

[2] “Furuk”, Karafi, vëll. III, f. 193. Do të thotë mëshira, bereqeti, qetësia që zbret gjatë leximit të Kuranit, i ndihmon të vdekurit, e jo se ai ka dobi nga shpërblimi i leximit që do t`i dhurohej atij. “Ehdhu mal ala amal kure”, vëll. II, f. 524.

[3] Suretu Bejine, 5.

[4] Suretu Bekare, 41.

Ajo që vlen të theksohet është se dijetarët që janë më rigoroz në ndalimin e leximin e Kuranit me para janë dijetarët hanefi. Shumë nga ulematë hanefi që shtjellojnë këtë çështje tërheqin vërejtje se kjo është e ndaluar dhe duhet t`i largohemi.

Për të kuptuar se sa ishin të ashpër dijetarët e medhhebit hanefi në këtë, sjellim faktin se fakihu Muhamed Barkevi (926-981h) ka shkruar një libër me titull “Inkadhu Halikin”-“Shpëtimi i të shkatërruarve”, ku shtjellon problematikën e leximit të Kuranit me para[1]. Vetë titulli i librit jep të kuptohet se sa e rrezikshme është kjo praktikë. Më vonë do të sjellim disa pjesë nga ky libër, por së pari do të citojmë disa thënie nga disa libra të tjerë hanefi autoritativ dhe shumë të njohur.

Në librin “Ihtijar”, i cili llogaritet nga librat më autoritativ të hanefive thuhet:

“Nëse (i vdekuri) porosit (lë testament) që nga pasuria e tij të paguhet  dikush t`i lexoj Kuranin në varrin e tij, ky testament është i papranuar (batil), pasi është në kuptim të marrjes me qira[2].

Kurse Ibën Ebil Iz Hanefi në librin  “Sherhu Tahavije”, faqe 672 thotë:

“Sa i përket marrjes me qira (me pagesë) të njerëzve për të lexuar Kuran, pastaj dhurimin e këtij shpërblimi të vdekurve. Këtë nuk e ka praktikuar askush nga të parët tanë e as nuk ka urdhëruar askush nga imamët e fesë (dijetarët), e as nuk e ka lejuar dikush këtë. Marrja me qira vetëm me qëllim të leximit është e ndaluar dhe në këtë nuk ka mospajtim, por mospajtimi është në atë se a lejohet marrja me qira (me para) për t`ia mësuar (Kuranin) dikujt (shkrimin apo përmendësh), apo diçka e ngjashme, në të cilën përfitohet ndonjë dobi nga dikush tjetër. Shpërblimi i arrin të vdekurit, vetëm nëse vepra është për hir të Allahut, kurse në këtë rast (kur lexohet me para) adhurimi nuk është i dëlirë me sinqeritet (pra është i përzier). Për këtë, shpërblimi i fituar nga kjo nuk konsiderohet nga të cilat i dhurohet të vdekurve. Prandaj nuk ka thënë askush se lejohet të marrim me qira dikë të agjërojë, të falet dhe t`i dhurojë shpërblimin e kësaj të vdekurit”.

Por nëse i jep (para) dikujt që lexon Kuranin, ua mëson të tjerëve, e mëson për vete (dhe bën nijet për të vdekur). Nëse ua jep këtyre si ndihmesë, atëherë kjo mund të llogaritet nga sadakaja për të vdekur dhe kjo lejohet[3].

Kurse Ibën Abidin njëri nga dijetarët më të njohur dhe të respektuar në librin “Hashijetu Ibën Abidin” i cili llogaritet edhe referencë e rëndësishme e medhhebit hanefi thotë:

“Ekziston konsensus (ixhma) tek umeti se njeriu nuk ka shpërblim për një vepër ku nuk ka sinqeritet të pastër, pasi ajo është rrethana motivuese për adhurimin e cila manifestohet me qëllim dhe vendosmëri. Kjo nuk gjendet në atë që ne po e diskutojmë (pra leximi me para), prandaj edhe nuk ka shpërblim.”[4]

Gjithashtu thotë:”Marrja me qira (me para) në këtë (leximin e Kuranit) është e pabazë dhe është risi (bidat) që nuk e ka vepruar askush nga halifët e drejtë[5].

Kurse fakihu i sipërpërmendur Muhamed Barkevi në hyrje të librit “Inkadhu Halikin”-“Shpëtimi i të shkatërruarve” sqaron se qëllimi i shkrimit të librit është largimi i muslimanëve nga kjo praktikë e keqe dhe e ndaluar. Ai thotë:

“Ky libër është shkruar me qëllim të anulimit të asaj që është e përhapur nëpër të gjitha vendet, e njohur te njerëzit dhe të devotshmit, se Kurani i lartmadhëruar dhe Furkani[6] fisnik, i zbritur nga Zoti i botëve, të cilin nuk e prekin vetëm se të pastrit, ta konsiderojnë si formë për të mbledhur dhe përfituar pasuri të kësaj bote dhe rrugë për t`i shitur ajetet e Allahut me një vlerë të ultë. Të tillë janë ata që e zëvendësojnë atë që është e mirë më atë që është e ultë (e pavlerë) dhe ata janë si mbledhës të krëndeve gjatë natës së errët[7]. Nuk dallojnë të dobishmen nga e rrezikshmja. Mjerë për ta çfarë lexojnë (Kuranin me para) dhe mjerë për ta çfarë fitojnë…”[8].

Nuk do të sjellim thënie të tjera, pasi mendojmë se këto mjaftojnë edhe pse për këtë kanë folur shumë dijetarë dhe ka çfarë të përcillet, por do të mjaftohemi me kaq.

Në fund e ritheksojmë se vërtet leximi i Kuranit me para është një traditë jo e mirë dhe duhet t’i largojmë muslimanët nga kjo. Obligim parësor në këtë është që hoxhallarët që e praktikojnë këtë apo që e shohin të lejuar ta kenë parasysh se janë duke përkrahur një thënie për të cilën nuk kanë pasardhës të denjë dhe të zgjedhin thënien e cila është konform mësimeve të dëlira islame. Vërtet me një sinqeritet dhe informim të saktë të opinionit nga ana e tyre, do ta bëjnë këtë praktikë të harruar në shoqërinë tonë[9].

Alaudin Abazi

23.02.2007

[1] Librin mund ta gjeni në faqën elektronike  www.yasaloonak.net. Dhe është e botuar me autentifikim të dr. Husamudin Afane, prof. në Universitetin e Kudsit, ku në parathënien e librit profesori sqaron edhe mendimin e tij se kjo praktikë është e ndaluar, prandaj duhet të largohen muslimanët nga ajo.

[2] Ky citim, gjithashtu është përmendur në librin: “Sherhu Tahavije”, vëll. II, f. 672.

[3] Pra nëse muslimani i jep para atij që mëson Kuranit si kërkuesit të dijes etj., dhe këtë e bën nijet si sadaka për të vdekur, kjo lejohet.

[4] “Hashijetu Ibën Abidin”, vëll. V, f. 35

[5] “Hashijetu Ibën Abidin”, vëll. V, f.35.

[6] Emër i Kuranit.

[7] Pra nuk di se çfarë është duke grumbulluar.

[8] “Inkadhu Halikin”, parathënia e librit.

[9] Muhamed bin Salih Uthejmin në një rast, kur fliste për disa gjëra të përhapura te muslimanët e thjeshtë në vendin e tyre, se si i ndryshuan dijetarët dhe informimi i saktë, ai thotë: “Kur ne kemi qenë të vegjël nuk dinim se kurbani bëhet për të gjallët, pasi të gjitha kurbanet i bënin vetëm për të vdekurit. Por tani, me falënderimin e Allahut, njerëzve u erdhi dija dhe kuptuan se kurbani në esencë është për të gjallët.”(“Sherhu mumti”, vëll. V, f. 375). E solla këtë citim pasi na jep të kuptojmë një çështje me rëndësi e ajo është se hoxhallarët me dituri të saktë duhet të jenë ata që duhet të ndryshojnë praktikat e përhapura te populli i thjeshtë. Dijetarët janë ata që e kanë këtë përgjegjësi, kurse arsyetimi se kjo praktikë ka shumë kohë që është e njohur te muslimanët dhe nuk ka mundësi të largohet, është i pavend. Ne nëse jemi të përpiktë dhe u japim dije të shëndoshë atyre, gjithashtu edhe shkallëzim në metodologji, atëherë do të arrihet të ndryshohen këto. Shembulli më konkret është kjo për të cilën flet edhe vet ky dijetar, ku tregon se më herët muslimanët e atyre vendeve e kanë perceptuar se kurbani është një rit (adhurim) cili kryhet vetëm për të vdekur, por me kalimin e kohës dhe shpjegimin e dijetarëve kuptuan se kurbani në esencë është për të gjallët. U përmirësua ky botëkuptim i gabuar tek ata.

Gjithashtu edhe problemi i leximit të Kuranit për të vdekur me para është një praktikë që shumë nga muslimanët e thjeshtë e mendojnë se është një nga ritet më të theksuara të Islamit. Apo nëse dikush dëshiron ta prezantojë veten se është fetar, argumenton se për nënën apo babanë e paguan dikë të lexojë Kuran, posaçërisht Jasin çdo Ramazan dhe kështu me radhë. Por, nëse u ofrohet atyre dije e shëndoshë dhe u sqarohet se kjo është e ndaluar, atëherë edhe ata me kalimin e kohës do të largohen nga këto praktika.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit