9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Kurti thotë se dialogu me Serbinë nuk mund të drejtohet nga një person i delegjitimuar si Thaçi

Më të lexuarat

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot është pritur nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ku shprehu qëndrimet e VV-së në lidhje me procesin e dialogut, duke theksuar nevojën për një raport dhe vlerësim mbi 33 marrëveshjet e arritura deri më sot me Serbinë.

Përmes faqes zyrtare Vetëvendosje bën të ditur se në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe në Itali si dhe për politikat e BE-së për Kosovën dhe rajonin.

Ndër të tjera, Kurti shprehu gjithashtu edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me procesin e dialogut duke theksuar nevojën për një raport dhe vlerësim mbi 33 marrëveshjet e arritura deri më sot me Serbinë, pasi, siç tha ai, “nuk mund të ketë demokraci pa llogaridhënie, dhe nuk mund të ketë llogaridhënie pa raporte”.

“Ai më tej shpjegoi nevojën për një platformë me parime dhe objektiva të qarta për Kosovën, platformë e cila do mund të nxirrej përmes zhvillimit të një dialogu të brendshëm me aktorët e ndryshëm socialë, ekonomikë dhe politikë në Kosovë. Për më shumë, u theksua fakti që dialogu me Serbinë nuk mund të lejohet të drejtohet nga një person i delegjitimuar si presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka shfrytëzuar dialogun për interesa personale në dëm të Kosovës”, thuhet në postimin e VV-së.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje sqaruan se si zgjedhjet janë zgjidhja që do të mundësonte tejkalimin e krizës institucionale të krijuar në Kosovë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e vendit.

Ndryshe, udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe Ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini në Bruksel.

Ata do t’i konfirmojnë Mogherinit përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për dialog me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit