Kosova me Bord për Politikat e Gjuhëve

0
40

Standardet e garantimit të aplikimit të gjuhëve të komuniteteve janë në përputhje të plotë me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian. Kështu tha sot Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi duke bërë në inaugurimin e Bordit të Politikave të Gjuhëve.

Në inaugurimin e këtij bordi, shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi ka thënë se themelimi i Zyrës së Komisionerit për Gjuhë është i një rëndësie të veçantë, posaçërisht për Republikën e Kosovës si shtet më i ri, i ndërtuar mbi bazën e shumë etnicitetit me përkushtim maksimal të respektimit dhe garantimit të të drejtave të komuniteteve.

Ai ka thënë se është hapur konkursi për komisionerin dhe pritet që ky proces të përmbyllet me sukses, kurse, “po sot, është inauguruar Bordi për Politika të Gjuhëve, i cili do të jetë përgjegjës për të siguruara mbështetje institucionale për zhvillimin, zbatimin dhe fuqizimin e politikave për gjuhët”, tha Kryeministri.

I pari i ekzekutivit të vendit ka thënë se katër vite kanë kaluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se pjesë e pandashme e projektit të shtet ndërtimit dhe vizionit tonë të Kosovës shumetnike në integrimin e komuniteteve, ka qenë dhe do të mbetet plani i Ahtisaarit.

Sipas tij Qeveria e Kosovës ka bërë arritje të dukshme në garantimin ligjor të të drejtave të komuniteteve, për çka mund të thuhet se është model për vendet e rajonit dhe gjerë. Këto të drejta janë të garantuar me dokumentin më të lartë juridik, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Standardet e garantimit të aplikimit të gjuhëve të komuniteteve në Kosovë janë në përputhje të plotë me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe legjislacionit evropian ku komunitetet me përqindje modeste të popullsisë kanë të drejtën e aplikimit të gjuhës të tyre në nivel qendror e lokal”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se të gjitha shërbimet dhe dokumentet publike që ofrohen në institucionet qendrore duhet të dorëzohen në të dyja gjuhët zyrtare. 
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Slobodan Petrovic ka thënë se Grupi punues ka përfunduar punën në rregulloren e re dhe ka vënë rekomandimet për të përkrahur formimin e zyrës funksionale të gjuhëve.

Ai ka kërkuar nga të gjithë që të punohet në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve./kohaislame/