8.8 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Islami në Sicili, si u çlirua dhe u zhvillua nga muslimanët

Më të lexuarat

Siçilia, ishulli i njohur dhe më i madhi i detit Mesdhe i cili sot është territor i Italisë. Ky ishull për një periudhë kohore mbi 250 vjeçare ka qenë nën sundimin e myslimanëve të cilët depërtuan në ishull nëpërmjet Afrikës veriore.
Nga viti 212H-296H është sunduar nga sundimtarë të shtetit të El-Egalibe.
Nga 296H-336H është sunduar nga sundimtarë të shtetit të El-Fatimijin.
Nga viti 336H-444H është sunduar nga familja Beni Kelb.
Nga 444H-484H provinca të ndara me sundimtarë lokal.
Në vitin 484H myslimanët humbin plotësisht sundimin e ishullit në favor të normanëve në kohën mbretit të tyre Ruggero i parë.
Shkaku se pse e zgjodha këtë temë për të shkruar rreth saj është se para disa kohësh duke kërkuar për një çështje fetare, kërkimi më lidhi me emrin e një shkencëtari të njohur mysliman në fushën e gjeografisë i cili mban llagapin “Babai i Gjeografisë” Al-Idrisi (493H-560H) dhe që ka jetuar në ishullin e Siçilisë. Kjo gjë më kujtoi disa lexime të miat të hershme rreth historisë së ishullit dhe se ky ishull në një periudhë të hershme të historisë ka qenë nën sundimin e myslimanëve, gjurmët e të cilëve gjenden akoma sot e kësaj dite. Studiuesit e konsiderojnë Sicilinë, Andaluzinë dhe anën Egjiptit me Shamin si tre portat më të hershme të depërtimit të civilizimit islam në Evropë para se t’ju shtohej atyre edhe porta e Ballkanit në kohën e osmanlinjve. Shumë dijetarë të islamit mbajnë emra familjesh që tregojnë prejardhjen e tyre nga këto vende. Kështu, para gjithë këtyre fakteve e ndjen detyrë të hedhësh pak dritë mbi këtë periudhë të harruar të historisë sonë.

Si hynë myslimanët në Sicili?
Historia e depërtimit të myslimanëve në Sicili është e lidhur ngushtë me qytetin e njohur të Kajrauanit në Tunizinë e sotme dhe me shtetin e Egalibeve që sundoi Afrikën veriore nga viti 184H-296H.
Kajrauani është qytet i vjetër dhe fillimet e tij si qytet dhe si qendër e madhe i ka në vitin 50H kur e themeloi atë komandanti i famshëm mysliman, tabiini i njohur Ukbe bin Nafi’. Ukbe bin Nafi’ -Allahu e mëshiroftë- është prej komandantëve ushtarakë më të spikatur të tabinëve duke e mbajtur atë post në kohen e katër kalifëve të mëdhenj: Umerit, Uthmanit, Aliut, dhe Muavijes -radiallahu anhum-. Sundimi i Kajrauanit dhe Afrikës veriore ka kaluar në duart e shumë prijësve myslimanë deri sa vjen viti 184H kohë kjo kur sundimi kalon në duart e Egalibeve.

Çliruesit e Siçilisë janë nga prijësit e Kajrauanit të shtetit të Egalibeve.
Në vitin 184 H një komandant mysliman që quhet Ibrahim bin El-Egleb nën vartësinë kalifit Harun Er-Rashidit -Allahu e mëshiroftë- bëhet vali i Afrikës dhe për qendër merr qytetin e Kajrauanit. Ai më pas formon një dinasti që quhet dinastia e Egalibeve. Ibrahimi vdiq në vitin 195H dhe vendin e tij e zuri i biri i tij Abdullah bin Ibrahim bin El-Egleb i cili qëndroi në pushtet deri sa vdiq në vitin 201 H. Pastaj në pushtet vjen vëllai i Abdullahut Zijadetullah bin Ibrahim bin El-Egleb i cili është dhe çliruesi i Siçilisë.
Në kohën e Zijadetullah bin Ibrahim ka jetuar një dijetar shumë i njohur me shumë ndikim në çlirimin e Siçilisë dhe që është Esed bin El-Furat. Esed bin El-Furati -Allahu e mëshiroftë- është nxënësi i imam Malikut -Allahu e mëshiroftë-. Ai në vitin 172H pati një udhëtim për në vendet e lindjes së kalifatit islam dhe mori dije drejtpërdrejt nga imam Maliku në Medine pastaj kaloi në Irak dhe mori dije prej dy pasuesve të imam Ebu Hanifes: Ebu Jusufit dhe Muhamed bin Hasen Esh-Shejbanit -Allahu e mëshiroftë- dhe pastaj kaloi në Egjipt dhe u takua me Ibn El-Kasim nxënësin e madh të imam Malikut -Allahu e mëshiroftë-. Ai pas kthimit të tij u bë mësues i medhhebit të imam Malikut dhe prej duarve të tij doli një tjetër dijetar i këtij medhhebi Sehnun bin Said ku që të dy së bashku kanë pjesë te libri bazë i medhhebit të imam Malikut “El-Mudeuune”. Ja çfarë thotë historiani Imam Dhehebiu: “Përsa i përket librit El-Mudeuueneh origjina e tij janë pyetjet e Esed bin El-Furat që ia ka bërë Ibn El-Kasimit. Pastaj kur Sehnuni shkoi te Ibn El-Kasimi dhe ia paraqiti atij (për së dyti), ai saktësoi shumë prej tyre, i sistemoi ato dhe i ndau në kapituj duke përmendur për shumë çështje të saj edhe argumentet”.
Esed bin El-Furati në vitin 204 H bëhet kadiu i Kajruanit nën vartësinë e Zijedetullah bin Ibrahim bin El-Egleb.

Siçilia në kohën e çlirimit.
Siçilia në këtë kohë sundohej nga bizantët të cilët kishin gjithashtu nën sundim e tyre disa pjesë të Italisë, Greqinë dhe disa ishujt të tjerë si: Maltën, Sardenjën dhe Korsikën. Ndërsa veriu i Afrikës bashkë me Spanjën, ishujt Belearik dhe Qipron ishin në sundimin e myslimanëve. Kreta një ishull tjetër mes Siçilisë dhe Qipros sapo kishte kaluar edhe ky nën sundimin e myslimanëve në vitin 210H (thuhet gjithashtu se ky çlirim ka qenë në vitin 212H dhe Allahu e di më së miri) nën udhëheqjen e Ebu Hafs Umr bin Isa El-Baluti nga Andaluzia.

Shkaku i depërtimit të myslimanëve ne Siçili.
Në librat e historisë përmendet se një komandant bizantin me emër Fimi ka qenë shkak për çlirimin e ishullit duke i ftuar myslimanët të hyjnë në Siçili. Në lidhje me rrethanat që e kanë shtyrë Fimin ta bëjë këtë gjë janë dhënë versione të ndryshme dhe ja disa prej tyre të përmendura në tre libra të ndryshëm:
Ibn El-Ethir (historian i njohur i vdekur në vitin 630H) në librin “El-Kamil fij Et-Tarikh” thotë:
Perandori i Kostandinopojës në vitin 211H emëroi një guvernator për ishullin e Sicilisë me emër Kostandin. Guvernatori kur mbërriti në ishull emëroi admiral për flotën e tij detare një burrë me emër Fimi i cili ishte i trim dhe i vendosur. Ai sulmoi Afrikën dhe qëndroi atje për pak kohë duke plaçkitur dhe marrë robër prej brigjeve të saj disa tregtarë.
Pastaj perandori i shkruan Kostandinit të arrestojë Fimin admiralin e flotës dhe ta dënojë atë. Lajmi mbërrin te Fimi dhe ai i njofton shokët e tij të cilët e ndihmuan të bëjë kryengritje dhe kështu ai niset me anijet e tij dhe pushton Sirakuzën. Kostandini niset drejt tij për ta luftuar por thyhet dhe tërhiqet për në Katania. Atëherë Fimi u nis drejt tij me një ushtri dhe e detyron Kostandinin të largohet në panik dhe shpall veten mbret. Pastaj Fimi emëron një përgjegjës për një skaj të ishullit një burrë me emër Palata mirëpo ai e kundërshton atë dhe në bashkëpunim me guvernatorin e Palermos Mikailin i cili ishte biri i xhaxhai të tij mbledhin një ushtri dhe e mundin Fimin. Fimi bashkë me ata njerëz që kishte hipën në anije dhe shkon në Afrikë për ti kërkuar ndihmë princit Zijadetullah duke i premtuar atij sundimin e ishullit.

Ed-Deuadari (historian i njohur i vdekur në vitin 736H) në librin “Kenz Ed-Durar ue Xhem’ul-Gurar” thotë:
Shkaku i çlirimit të ishullit ishte se princi para Zijadetullahut kishte bërë një marrëveshje me banorët e tij dhe prej kushteve të marrëveshjes ishte që kushdo prej myslimanëve që shkonte atje dhe donte të largohej të mos e pengonin. Zijadetullah merr vesh se ata kishin disa robër të cilët i kishin penguar të largoheshin dhe kështu ai ua paraqet dijetarëve mendimin për çlirimin e saj.

Ihsan Abasi (studiues bashkëkohor i çështjes së islamit në Siçili) në librin “Arabët në Siçili” thotë: Çlirimi ka qenë për shkak të një ngjarje prej ngjarjeve të përsëritura shpesh në rrafshin politik të Siçilisë. Një burrë me emër Fimi ose Euphemius (sipas gjuhës së tyre) ngrihet kundër Kostandinit patriarkut të Siçilisë sepse patriarku deshi ta kapte për ta dënuar sipas urdhrit të qeverisë së Kostandinopojës. Pavarësisht se Fimi lakmonte për pushtet dhe bëri kryengritje në Sirakuzë dhe dështoi dhe u strehua te myslimanët, apo grabiti një vajzë të bukur e cila strehohej në manastir dhe familja e saj u ankua te perandori, apo deshi Omonizën të cilën ia grabiti guvernatori i Siçilisë, ai shkoi për ti kërkuar ndihmë Kajrauanit. Pra pavarësisht se ishte ky shkaku apo tjetri ai realisht shkoi për ti kërkuar ndihme Egalibeve.

Pra të gjithë historianët janë dakord që Fimi është ai i cili i ftoi myslimanët të hyjnë në Siçili edhe pse ata në lidhje me rrethanat që e detyruan atë ta bëjë këtë veprim japin versione të ndryshme.

Depërtimi i myslimanëve në Siçili.
Kjo gjë ka ndodhur në kohën e kalifes abasi El-Ma’mun nëpërmjet guvernatorit të Kajruanit princit të El-Egalibe Zijadetullah në vitin 212 të hixhretit.
Princi Zijadetullah mbledh një ushtri dhe i jep drejtimin e saj dijetarit dhe kadiut të Kajrauanit Esed bin El-Furat.
Imam Dhehebiu thotë: “Esed bin El-Furati ishte luftëtar dhe komandant i Zijadetullah El-Eglebij princit të Kajrauanit dhe ka çliruar një vend që quhet Siçilia. Ai ishte burrë trim dhe mbreti i Siçilisë erdhi kundër tij me një ushtri të përbërë me 150 mijë ushtarë. Disa thonë se e kemi parë Esedin duke mbajtur në dorë flamurin dhe duke lexuar suren Jasin pastaj u vërsul së bashku me njerëzit dhe Allahu i mundi mushrikët. Ata thonë: Esedit kur mbaroi beteja i kemi parë gjakun që kishte rrjedhur nëpër vijën e flamurit mbi parakrahun e tij dhe ishte tharë”.
Ibn Adharij (historian i njohur i vdekur në vitin 695H) në librin “El-Bejan El-Mugrib” thotë: “Në vitin 212H Zijadetullah sulmoi Siçilinë me 70 anije që mbanin 700 kuaj. Kadiu Esed bin El-Furat i kërkon Zijadetullahut për të marrë pjesë dhe ai ia jap atij drejtimin e ushtrisë duke ia miratuar edhe postin e kadiut bashkë me udhëheqjen e ushtrisë. Ai doli bashkë me fisnikët e Afrikës të përbërë prej: arabëve, ushtarëve, barbarëve, andaluzianëve dhe dijetarëve në një mobilizim dhe përgatitje të madhe në muajin Rabij El-Euuel”
Ibn El-Ethir thotë: “Në vitin 212 të hixhretit ushtria e myslimanëve mbërrin në qytetin Mazzara të Siçilisë dhe u ndeshën me Palatën (sundimtarin e ishullit) në një betejë të ashpër të cilën e fitojnë myslimanët duke mundur romakët dhe duke fituar shumë plaçka, pasuri dhe kafshë ndërsa Palata largohet për në Kalabri dhe atje vritet”.
Pra, depërtimi i myslimanëve në Siçili ka ndodhur në vitin 212H nën drejtimin e dijetarit Esed bin El-Furat dhe me mbështetjen e prijësit Zijadetullah El-Eglebij dhe fitorja e tyre mbi Palatën u hapi rrugën për zgjerimin e zotërimeve të tyre në ishull.

Tradhtia e Fimit.
Ibn El-Ethir tregon: “Myslimanët arritën të marrin në dorë disa kështjella në ishull dhe mbërritën te një kështjellë e cila njihet me emrin Kështjella e Kurathit në të cilën ishin mbledhur shumë njerëz. Ata e mashtruan kadiun Esed bin El-Furat komandantin e myslimanëve dhe iu nënshtruan mirëpo Fimi kur i pa, anoi nga ata dhe u dërgoi lajm që të qëndrojnë dhe të ruajnë vendin e tyre. Ata i dhanë Esedit haraçin dhe i kërkuan që të mos afrohej dhe ai pranoi dhe u largua për disa ditë. Ata kështu u përgatitën për rrethim dhe e kundërshtuan Esedin dhe ai e filloi përsëri luftën me ta”.
Përfundimi i Fimit ka qenë në kështjellën e Ennas në vitin 213H dhe ja çthotë Ibn El-Ethir: “Myslimanët arritën te kështjella e Ennas së bashku me Fimin dhe banorët e saj i dolën atij përpara dhe i puthën token para këmbëve të tij dhe i premtuan se do ta bënin prijësin e tyre dhe kështu e mashtruan pastaj e vranë”.

Vdekja e Esed bin El-Furat -Allahu e mëshiroftë-!
Në vitin 213 të hixhretit kur Esed bin El-Furat po mbante të rrethuar Sirakuzën, në anën e myslimanëve ishte shfaqur një epidemi dhe për shkak të saj vdiqën shumë njerëz mes tyre dhe Esed bin El-Furati.
Esed bin El-Furati -Allahu e mëshiroftë- në këtë kohë ishte afro 70 vjeç por megjithatë me besim te Allahu dhe vullnet të fortë mori përsipër një punë shumë të vështirë dhe i hapi dyert e Sicilisë për një epokë të re që do të zgjaste për 250 vjet me radhë.

Sicilia pas Esed bin El-Furatit.
Çlirimi i Siçilisë nuk u bë njëherazi dhe kjo për dy arsye:
E para: Siçilia ishte ishull dhe bizantët i sulmonin myslimanët herë pas here nga deti duke rritur kështu rezistencën e banorëve vendas. Sirakuza, Enna dhe Taormina ishin qytetet që kanë pasur rezistencën më të madhe.
E dyta: Egalibët sundimtarët e Kajruanit të cilët kishin në dorë çështjen e Siçilisë shpesh herë detyroheshin ta ndërprisnin mbështetjen e tyre për luftëtarët në Siçili për tu përballur me trazirat e brendshme në Afrikë.
Në vitin 216 të hixhretit çlirohet Palermo dhe çlirimi i saj u bë shkak për vazhdimin e më tejshëm në plotësimin e çlirimit të ishullit sepse edhe vendi kishte pasuri të vetat por edhe ndihmat nga Afrika u vinin më lehtë.
Në vitin 244 të hixhretit u çlirua Enna që arabët e quajnë Kasrujana.
Në vitin 264 të hixhretit u çlirua Sirakuza nën udhëheqjen e prijësit Xhafer bin Muhamed.
Në vitin 289 të hixhretit u çlirua Taormina që arabët e quajnë Tabermin.
Gjatë kohës së sundimit të myslimanëve në Sicili ka pasur edhe zgjerime në pjesët e tjera të Italisë si Kalabria e cila pothuajse ishte nën ndikimin e tyre. Po ashtu për disa kohë ata ndërhynë në Napoli, Otranto, Brindisi dhe Bari madje Bari u qeveris për 25 vjet prej tyre në kohën e Khulfun El-Berberij. Ata gjithashtu shtinë në dorë edhe Maltën në vitin 256H.
Gjatë kohës së sundimit të tyre pati edhe trazira të brendshme siç ishin ato të ndryshimit të pushtetit nga Egalibët te Fatimijinët pastaj te Beni Kelbët, apo ato pas rënies së pushtetit të Beni Kelbët siç pati sulme të jashtme nga bizantët të cilat ua dobësonin pushtetin.

Rënia e Sicilisë.
Sicilia arriti t’i mbijetojë sulmeve të jashtme derisa në skenë shfaqet një armik i ri dhe ata ishin normanët.
Normanët ishin fise vikinge të Evropës veriore që u dynden në drejtim të Evropës jugore. Ata në nga viti 400H-444H po shtinin në dorë Italinë jugore Pulian dhe Kalabrinë.
Në vitin 444H një kryengritës nga Siçilia me emër Ibn Eth-Thimne pasi dështon në kryengritjen e tij shkon dhe u kërkon ndihmë normanëve dhe ja çfarë thotë Ibn El-Ethiri në librin El-Kamil fij Et-Tarikh:
“Ibn Ethimne kur pa se kryengritësit e tij u shpartalluan i nxitur nga mllefi shkoi t’ju kërkojë ndihmë jomyslimanëve ……. ai shkoi te Rugero dhe i thotë: Të premtoj sundimin e ishullit! Ai i thotë: Nuk kemi mundësi sepse atje ka shumë ushtarë. Ibn Ethimne i thotë: Ata janë të përçarë dhe shumica e tyre ma dëgjojnë fjalën dhe nuk më kundërshtojnë. Kështu ata u nisen me të në vitin 444H për të pushtuar ishullin”.
Normanët më pas filluan të zgjeroheshin në ishull derisa në vitin 484H marrin nën sundim të gjithë ishullin dhe kështu mbyllet epoka islame e sundimit të Sicilisë edhe pse prezenca e myslimanëve në ishull vazhdoi edhe pas rënies së tij. Këtë e tregon shtegtari i njohur andaluzian Ibn Xhubeir që ka jetuar 540H-614H dhe që ka mbërritur në këtë ishull në vitin 580H (dmth: afro 100 vjet pas rënies së sundimit të myslimanëve) në kohen e sundimit të mbretit William i dytë. Ja çfarë thotë Ibn Xhubeir në librin e tij:
“Nuk ka në Missina (qytet i Siçilisë) prej myslimanëve veçse një numër i vogël zejtarësh prandaj dhe një mysliman i huaj –si unë- ndihet i vetmuar. Qyteti më i mirë i tyre është qendra e pushtetit të tyre të cilën myslimanët e quajnë Medine, kurse të krishterët e quajnë Palermo. Aty banojnë myslimanët e civilizuar të cilët kanë xhami, tregje të veçanta dhe kopshte”
Pastaj tregon: “Për sa i përket robëreshave të mbretit……që të gjitha ishin myslimane. Prej gjërave më të çuditshme që më ka treguar shërbëtori i tij Jahja bin Fitjan Et-Tarraz i cili bënte punën e qëndisjes te mbreti: Frënget e krishtera kur hyjnë në pallatin e tij kthehen në myslimane. I kthejnë ato në myslimane robëreshat e përmendura gjë të cilën e bënin në fshehtësi nga mbreti dhe ishin shumë të çuditshme në veprimin e punëve të mira. Ai më tregoi se një herë ra termet në ishull, gjë që e frikësoi këtë mbret mushrik dhe ai kur nxirrte kokën nga pallati i tij nuk shihte veçse njerëz që përkujtonin Allahun dhe profetin e tij prej shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tij. Ata frikësoheshin kur e shihnin atë por ai i qetësonte duke u thënë: secili ta kujtojë të adhuruarin e tij sipas asaj që beson”.
Ai tregon gjithashtu se gratë e krishtera në ishull visheshin si myslimanet: “Veshjet e grave në këtë qytet ishin si veshjet e grave të myslimanëve. Ato flisnin gjuhë të pastër, mbuloheshin dhe vinin perçe në fytyrë”.

Abdullah Nabolli

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit