16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Islami me pak fjalë

Më të lexuarat

Ndër pyetjet e shumta të neve besimtarëve, njëra pa dyshim, zë vendin e parë. Të gjitha të tjerat vijnë më pas dhe renditen sipas prioritetit.

Kjo pyetje është, në fakt, një përmbledhje e më shumë nën-pyetjeve, por të gjitha vijnë në të njëjtën.

Çka është Islami?

Për çka ne besojmë?

Cili është përkufizimi i fesë sonë?

Cili është kuptimi dhe përmbajtja e fesë sonë?

Ne mendojmë se kjo është pyetja kryesore, për të cilën të gjithë ne që besojmë, duhet ta dimë përgjigjen. Dhe ne, këtë pyetje nuk duhet t’ia bëjmë vetes çdo ditë. Është e mjaftueshme, që vetes t’ia bëjmë vetëm një herë në jetë. Dhe gjithsesi, që ta mësojmë përgjigjen e duhur. Sa më parë, aq më mirë. Sa më parë që e mësojmë përmbajtjen, përkufizimin dhe thelbin e fesë sonë, aq më parë do të jemi në gjendje t’i përfshijmë horizontet e saj të pashqyrtuara.

Përgjigja për këtë pyetje mund të jetë e thjeshtë dhe komplekse. Nga njëra anë, gjithçka që një gjeni musliman deri më tani ka prodhuar në rrugën e arritjes së qëllimit hyjnor, në atë që Zoti e ka urdhëruar dhe ndaluar, bën pjesë në përgjigjen për këtë pyetje. Por kjo është një qasje që kërkon njohuri dhe përpjekje të mëdha. Dhe këto të dyja, nuk janë karakteristikat e numrit më të madh të anëtarëve të Umetit. Prandaj, na duket më e arsyeshme ta kërkojmë një përgjigje më të thjeshtë. Dhe ajo do të ishte: esenca e fesë sonë, kuptimi i fesë sonë është – çdo ditë, çdo moment të jemi “MË AFËR ME ZOTIN, MË MIRË ME NJERËZIT.” Këto janë ato tetë fjalët magjike. Dhe krejt jeta jonë mund të vendoset mbi këto tetë fjalë. Çdo gjë që Zoti i Lartë na ka urdhëruar ose ndaluar, përfundimisht është me këtë qëllim. Së pari, do të thotë ngritja jonë vertikalisht, ndërsa së dyti, shtrirja jonë horizontalisht. Ne e falim namazin për të qenë më afër Zotit të Lartë, ndërsa me njerëzit më të mirë. Me këtë qëllim agjërojmë, e përmbushim detyrimin e zekatit dhe haxhit, ndajmë lëmoshë, etj. Gjithashtu, kur lexojmë Kuran, kur bëjmë dhikër, përsëri ne këto i bëjmë për hir të konsolidimit dhe përparimit tonë në këto dy rrugë kryesore.

Nuk ka simpati të vërtetë ndaj njerëzve dhe gatishmëri për sakrificë për të mirën e përgjithshme, pa afrim ndaj Allahut, as nuk është e mundur, që afërsia e vërtetë me Zotin, të mos rezultojë me altruizëm dhe bamirësi. Pra, e para është kusht për të dytën; e dyta është e pamundur, të paktën jo në krejt pastërtinë dhe madhështinë e saj, pa të parën. Prandaj ne kemi nevojë për ibadetet. Këtu mendojmë në ibadetet si rituale formale, sepse ibadet është gjithçka me të cilën Zoti ynë është i kënaqur dhe që na afron tek Ai. Prandaj ne kemi nevojë për rituale formale (namaz, agjërim, haxh, dhikër, lexim i Kuranit), për të na mbajtur në kondicion shpirtëror, në afërsi me Zotin; dhe kjo afërsi e krijon atë, pa të cilën është e pamundur të jesh besimtar i vërtetë në këtë mjedis të vërtetë, horizontal.

Dhe kur ta mësojmë këtë mësimin e parë, kur përgjigja e pyetjes së parë na bëhet krejtësisht e qartë, vjen koha për pyetjen e dytë të rëndësishme. Dhe kjo pyetja e dytë ndryshon dukshëm nga e para. Të paktën nga pikëpamja e domosdoshmërisë së përsëritjes së vazhdueshme të saj. Dhe ajo është:

“Ku jemi ne sot në rrugën tonë shpirtërore në krahasim me dje, dhe ku do të jemi nesër në krahasim me sot?”

Këtë pyetje duhet secili t’ia bëjë vetvetes çdo ditë, madje shumë herë në ditë.

A jemi sot më afër Zotit të dashur se sa dje, dhe a jemi sot më të mirë ndaj njerëzve sesa një ditë më parë?

A kemi bërë sadopak ndonjë përparim?

Nga cila anë është drejtimi i lakores së kursit tonë të jetës?

Është e nevojshme që të shfrytëzojmë kohën për ta rritur dinamikën në forcimin dhe plotësimin tonë shpirtëror. Le të shikojmë përreth dhe të flasim me veprat tona. Edhe ashtu, fjalët janë të pavlefshme, nëse nuk pasohen me vepra. Veprave nuk u nevojiten fjalët si mbështetje.

Burimi: preporod.com//

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit