16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Iftari dhe syfyri

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut, i Cili robërve të Vet u ka përgatitur shpërblime më të mira. Atë e lavdëroj dhe e falënderoj për begatitë e Tij të pandërprera dhe dhuntitë e njëpasnjëshme. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin për Pejgamberin e Tij, të dërguar mëshirë për botët, udhëzim për të gjithë njerëzimin, paqja qoftë për familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që i ndjekin ata deri në Ditën e Gjykimit.

S’ka dyshim se Ramazani e ripërtërin imanin në zemrat, në shpirtrat nxit cilësi të mira, në të e ringjall ndjekjen e modelit tonë, të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, paqja e Zotit qoftë mbi të, në veprat dhe fjalët e tij, në veprimin e gjërave të detyruara dhe ato të rekomanduara, në largimin nga të ndaluarat dhe ato të urryerat.

Derisa po e përjetojmë këtë muaj të bekuar dhe kuptimet e së mirës janë ekzistuese, muslimani agjërues përpiqet në kërkimin e udhëzimit të Pejgamberit tonë, Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe ta marrë atë si model.

Ramazani dhe agjërimi kanë vepra karakteristike që kanë nevojë për ndalesa e ndalesa. Për t’u ndalur me disa nga këto karakteristika të Ramazanit dhe agjërimit, janë edhe këto që kanë ardhur nga i Dërguari ynë, Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të, lidhur me iftarin dhe syfyrin:

Ndalesa e parë:

Syfyri është ngrënia përfundimtare në pjesën e fundit të natës për agjëruesin. I Dërguari i Allahut është kujdesur për të si dhe ka udhëzuar në përkujdesjen dhe zbatimin e tij. Ai, këtë ushqim e quante ushqim i begatshëm. Shënon Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Hani syfyrin sepse ai është ushqim i begatshëm.”[1]

Përsëritja e kësaj begatie ka ardhur në udhëzimin e të Dërguarit, paqja e Zotit qoftë mbi të, të cilin e shënon Buhariu,  Muslimi dhe të tjerët se Pejgamberi ka thënë:

“Hani syfyr sepse në të ka begati.”[2]

Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerët shënojnë se Pejgamberi i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Syfyri është përplot bereqet. Pra mos e leni, po edhe në qoftë një gllënjkë ujë, sepse Allahu i Lartësuar i mëshiron ata që hanë syfyr dhe melaqet e Tij luten për ta.”[3]

Ia vlen vëlla musliman që ta synosh këtë begati, e cila vjen – e Allahu është më i dijshmi – nga aspekti i të qenit ushqim në kohën e vlefshme, kohën e zbritjes së Allahut të Lartësuar në qiellin e kësaj bote, thirrjen e Tij robërit e Vet besimtarë që pendohen, kërkojnë falje, kërkojnë ndihmë dhe luten që t’u përgjigjet lutjeve të tyre, që t’ua pranojë pendimin e atyre që kërkojnë pendim, t’ua falë atyre që kërkojnë falje si dhe t’i ndihmojë ata që kërkojnë ndihmë.

Një ndër aspektet e begatisë: Në shumicën e rasteve kjo kohë nuk është kohë e dëshirës për ushqim dhe pije, por dëshiruesi i agjërimit ha diçka nga ushqimi dhe pija duke iu përgjigjur dëshirës së Allahut të Lartësuar dhe duke iu bindur të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të. Këto, konsiderohen ndër cilësitë më të rëndësishme të besimtarit të vërtetë, respektivisht përgjigjja ndaj Allahut të Madhërishëm dhe ndaj Pejgamberit të Tij.

Prej aspekteve të begatisë gjithashtu: Që të forcohet agjëruesi për agjërim, në mënyrë që ta kryejë atë me vitalitet dhe fuqi, ashtu siç e ndihmon atë edhe në kryerjen e adhurimeve tjera. Prej fakteve që shfaq gjurmët e begatisë së syfyrit është edhe: Ndjekja e udhëzimit të Pejgamberit tonë Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, në të, ngase prej udhëzimit të tij është vonimi i syfyrit deri në pjesën e fundit të natës. Buhariu dhe Muslimi shënojnë se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Njerëzit do të mbesin në të mirë përderisa e nxitojnë iftarin dhe e vonojnë syfyrin.”[4]

Ky vonim nuk nënkupton edhe tejkalimin e limitit në mënyrë që njeriu të hajë kur të dëgjojë ezanin e deri në përfundimin e tij, siç është e njohur kjo praktikë tek shumica e masës së gjerë.

Ia vlen për ty vëlla musliman që ta kërkosh këtë mirësi, e veçanërisht në këtë kohë të begatshme, në të cilën është bashkuar madhështia e ditës dhe madhështia e muajit që të përfitosh këtë dhuratë madhore nga Allahu i Lartësuar. Ndaj, pas të zgjuarit tënd, pas përmendjes së Allahut dhe pas pastrimit tënd, ditën tënde e çel me dy rekate, ose më tepër namaz, për hir të Allahut të Lartësuar, e lut Atë me çka dëshiron nga nevojat e tua të kësaj bote dhe të botës tjetër.

Ndalesa e dytë:

Prej karakteristikave të Ramazanit dhe agjërimit është bërja iftar me rastin e perëndimit të diellit dhe kjo bëhet pas vërtetimit të perëndimit të diellit. Prej Sunetit është shpejtimi i tij, ashtu siç është përmendur në hadithin e mësipërm:

“Njerëzit do të mbesin në të mirë përderisa e nxitojnë iftarin dhe e vonojnë syfyrin”[5], dhe ky iftar të çelet me hurma të freskëta, nëse nuk gjen, atëherë me hurma të thata, nëse nuk gjen atëherë me ujë, duke u bazuar mbi atë që shënojnë Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu nga Enesi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të: “Bënte iftar me hurma të freskëta para se të falej. Nëse nuk gjente hurma të freskta, përdorte hurma të thata. Nëse nuk gjente as ato, pinte disa gllënjka ujë.”[6]

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, dhe të tjerët shënojnë nga Selman bin Amir, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Kur të bëjë ndokush iftar, le të bëjë me hurma, sepse ajo është begati, e nëse s’gjen dot, atëherë me ujë, sepse uji është i pastër.”[7]

Me rastin e gëzimit në kohën e iftarit, për të cilin ka paralajmëruar Pejgamberi i Allahut me plotësimin e agjërimit të agjëruesit çdo ditë, duhet që të mos neglizhohet nga falënderimi i Dhuruesit dhe shpeshtimi i lutjes me çeljen e iftarit. Shënon Ibën Maxhe dhe të tjerët se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Agjëruesi me rastin e bërjes së iftarit ka një lutje, e cila nuk i refuzohet.”[8]

Ndalesa e tretë:

Këto dhunti madhore; plotësimi i agjërimit të asaj dite, realizimi i gëzimit të iftarit, për të cilin Pejgamberi i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë:

“Agjëruesi i ka dy gëzime: Një gëzim me rastin e bërjes së iftarit dhe gëzimi tjetër kur ta takojë Zotin e tij.”[9]

Përgjigjja e lutjeve të agjëruesit me rastin e bërjes së iftarit, të gjitha këto dhunti kanë nevojë për një ndalesë me vetveten me një meditim dhe përsiatje, me qëllim që ta falënderojë Zotin e tij për këto, i Cili, i ka dhuruar dhe begatuar me këto begati dhe të tjera. Prej kërkesave të këtij falënderimi: Ripërtëritja e sinqeritetit për hir të Allahut të Lartësuar në adhurimin e agjërimit dhe në çdo adhurim tjetër, mirënjohja ndaj Tij, lutja permanente që t’i vazhdojë këto begati madhore, mosveprimi i asaj që kundërshton ligjin e Tij kundrejt këtyre dhuntive. Allahu i Lartësuar thotë:

“Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” (Bekare, 152)

Gjithashtu Ai thotë:

“Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’ua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.”(Ibrahim, 7)

Dhuntitë vazhdojnë duke falënderuar.

Ndalesa e katërt:

Prej gjërave që duhet potencuar sa i përket çështjes së iftarit dhe syfyrit: Muslimani duhet të përpiqet ta kërkojë të lejuarën dhe të mirën në çdo pasuri që e fiton, të përpiqet në format e fitimit të lejuar si dhe në rrugët e shpenzimit të kësaj pasurie.

Përgjegjësia e tij është e madhe, përfundimi i tij është shumë i rëndësishëm. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të merremi dhe të ushqehemi me gjëra të mira, ndërsa i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, na ka lajmëruar duke thënë:

“Vërtet Allahu i Madhërishëm është i mirë dhe nuk pranon vetëm se te mirën. Allahu i urdhëroi besimtaret me atë që i urdhëroi pejgamberët, duke thënë: O ju të Dërguar, hani atë që është e lejuar dhe bëni vepra te mira, po ashtu tha: O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë, pastaj përmendi njeriun që ka udhëtuar gjatë, flokëshprishur dhe i pluhurosur që ngre duart lart duke thënë: O Zoti im! O Zoti im! Ndërkohë që haja e tij është haram, pija e tij është haram, është ushqyer me haram, si mund t’i përgjigjet Allahu lutjes se tij!?”[10]

Ndaj, ki kujdes vëlla musliman që të fusësh në brendinë tënde një kafshatë të ndaluar ose pije të ndaluar, sepse kjo paraqet pengesë për lutjen, sepse ajo nuk pranohet, ndërsa ndikimi i saj kalon edhe tek familja dhe pasardhësit e tu, dhe kësisoj ndërton shtëpinë tënde mbi haramin, Allahu na ruajttë!

Ndalesa e pestë:

Muslimani kur ha shujtën e iftarit dhe të syfyrit me fëmijët dhe familjen e tij ndërkohë që hanë ushqime dhe pije më të mira me gëzim, hare dhe kënaqësi duke falënderuar dhe lavdëruar Allahun e Lartësuar për të mirat që i ka furnizuar. Muslimani duhet, duke qenë në këtë gjendje, t’i kujtojë vëllezërit e tij muslimanë në të gjitha anët e globit, të cilët nuk gjejnë një hurme për të bërë iftar, një copë bukë për t’i ushqyer fëmijët e tyre as një gotë qumësht për t’i ushqyer të vegjlit e tyre.

Vëllai im musliman, le të jetë agjërimi dhe iftari yt një nxitës për t’i kujtuar vëllezërit e tu. Përpiqu sa ke mundësi me qëllim që të marrin pjesë vëllezërit e tu në prodhimet dhe ushqimet tua, t’ua zgjasësh dorën e ndihmës dhe përkrahjes në kohën më të shpejtë të mundshme, kurse shpërblimi të paraprin me lejen e Allahut të Madhërishëm:

“Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Muzemmil, 20)

Ndalesa e gjashtë:

Prej domethënieve të imanit që ka paralajmëruar Pejgamberi, paqja e Zotit qoftë mbi të, lidhur me ushqimin e syfyrit, të cilat duhet të thellohen në shpirtrat: Kundërshtimin e ithtarëve të Librit në agjërimin e tyre. Imam Muslimi dhe të tjerët shënojnë nga Amr bin el-As, kënaqësia e Allahut me të, se Pejgamberi ka thënë:

“Vija ndarëse ndërmjet agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit është ngrënia e syfyrit.”[11]

Edhe në kohën e ngrënies dhe pirjes duhet kundërshtuar idhujtarët dhe ithtarët e Librit dhe kjo çështje – respektivisht kundërshtimi i jobesimtarëve – konsiderohet parim prej parimeve drejt të cilave ka udhëzuar Islami, e ka paralajmëruar muslimanin nga prishja e tyre dhe ecjen sipas popujve të tjerë në veprimet dhe mënyrën e jetesës së tyre, e lëre më adhurimet dhe traditat e tyre. Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”[12]

Krenaria e Umetit musliman, fitorja e tyre, respektimi i popujve tjerë ndaj tyre ka qenë atëherë kur ata punuan sipas asaj që ka ardhur Pejgamberi i Zotit, në çështjet e besimit, adhurimeve dhe legjislacioneve dhe kur ndien se atë që e bartin nga kjo fe është sipër popujve tjerë, për faktin se me të është e Vërteta e zbritur nga Allahu i Lartësuar, ndërsa të tjerët nuk posedojnë veçse dëshirat e njerëzve dhe filozofitë e mendjeve njerëzore.

Ky është një parim madhor – respektivisht krenaria e Umetit musliman me atë që bart nga kjo fe -, a thua Ramazani do të ngjallë në shpirtrat tanë këtë parim, ta mësojmë atë, kuptojmë e më pas ta praktikojmë në të gjitha çështjet e jetës sonë, të voglat dhe të mëdhatë, të krenohemi me fenë tonë, në aspektin e  besimit dhe sjelljes, legjislacionit dhe metodologjisë së jetës, në mënyrë që t’i rikthehet Umetit musliman krenaria, madhështia dhe dominimi?

Çdo individ musliman agjërues nga agjërimi i tij ka pikënisjen e zbatimit të këtij parimi madhor në çdo çështje prej çështjeve të kësaj bote, refuzon çdo imitim dhe përngjasim me jobesimtarët në çështjet madhore dhe hollësitë. I sheh popujt, u është dobësuar krenaria me fenë e tyre, i kanë verbuar ideologjitë e devijuara, zakonet e shtrembëruara nga Perëndimi dhe Lindja, duke menduar se ata kanë përparuar me vetveten dhe shoqërinë e tyre në përparim të lartë, kurse nuk e dinë se e kanë shkrirë personalitetin e tyre, janë zmbrapsur me shoqëritë e tyre dhe janë bërë të përulur, pasues nuk kanë ndonjë vlerë e peshë.

O ju muslimanë të nderuar! Le të mësojmë nga shkolla e Ramazanit krenarinë me fenë tonë, pavarësinë e personalitetit tonë, lartësimin me kapjen tonë pas legjislacionit të Zotit tonë. E lus Allahun e Lartësuar të na bëjë mendjemprehtë në fenë tonë dhe ta kuptojmë atë, të na dhurojë sinqeritet në fjalë dhe vepra. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Shënon Nesaiu, 4/147, nr. 2164.

[2] Shënon Buhariu 4/139, nr. 1923.

[3] Ahmedi, 3/44 dhe 5/370.

[4] Buhariu, 4/197, nr. 1957. Muslimi 2/771, nr. 1097.

[5] Buhariu, 4/197, nr. 1957. Muslimi 2/771, nr. 1097.

[6] Shënon Ebu Davudi, 1/719 nr. 2356, Ahmedi, 4/17, Ibën Huzejme nr. 2065 dhe Tirmidhiu 696.

[7] Shënon Tirmidhiu, 3/46, nr. 658. Ibën Huzejme 1699, Ahmedi 4/17-18.

[8] Ibën Maxhe, 1/557, nr. 1753.

[9] Shënon Buhariu, 3/118, nr. 1904, Muslimi 2/807, nr. 1151.

[10] Shënon Muslimi, 2/703 nr. 1015.

[11] Muslimi, nr. 1095.

[12] Ebu Davudi nr. 4031.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit