5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Historia e djalit dhe mbretit treguar nga Profeti a.s

Më të lexuarat

Profeti Muhamed a.s thotë:

“Përpara jush ishte një mbret që kishte një magjistar. Kur magjistari u plak, i tha mbretit: “Unë jam plakur dhe ditëve të mia po u vjen fundi, prandaj më dërgo një djalosh që t’i mësoj (trashëgoj) dijen time mbi magjinë.”

Mbreti i dërgoi djaloshin dhe magjistari i mësoi magjinë. Kurdoherë që djaloshi shkonte tek magjistari, gjatë rrugës ai pushonte pranë një murgu dhe dëgjonte me admirim fjalët e tij.

Një ditë, kur po shkonte tek magjistari, ai kaloi nga murgu dhe u ul të bisedonte me të. Kur vizitoi më vonë magjistarin, ai e dhunoi pse ishte vonuar. Për këtë shkak, djaloshi iu ankua murgut. Murgu i tha: “Sa herë që të kesh frikë nga magjistari, thuaji që ishe i zënë me njerëzit e tu që s’të lanë të largoheshe. Dhe sa herë që të kesh frikë nga njerëzit, thuaju atyre që ishe i zënë (i angazhuar) me magjistarin që s’të linte të largoheshe.” Për njëfarë kohe, djaloshi bëri pikërisht këtë.

Pastaj, në rrugë u shfaq një krijesë e tmerrshme që nuk i lejonte njerëzit të kalonin. Djaloshi tha: “Sot do të mësoj kush është më i zoti, magjistari apo murgu.” Prandaj ai mori një gur dhe tha: “O Allah! Nëse veprat dhe sjellja e murgut është më e dashur për ty se ajo e magjistarit, atëherë vrite këtë krijesë dhe mundësoju njerëzve të kalojnë rrugën.”

Pastaj ai e goditi atë me një gur dhe njerëzit mundën të kalojnë rrugën.

Djaloshi shkoi tek murgu dhe i tregoi për atë që i kishte ndodhur. Murgu i t ha: “Biri im! Sot ti je më i mirë se unë, dhe ke arritur diçka që mund ta shikoj. Ti do të sprovohesh. Dhe nëse të sprovojnë, mos ju trego për mua.”

Kurimi i të verbërve

Djaloshi mund të trajtonte dhe shëronte personat e lindur të verbër, lebrozët dhe sëmundje të tjera. Një këshilltar i mbretit ishte verbuar dhe dëgjoi për djalin. Ai i dërgoi djalit disa dhurata dhe i tha:”Këto dhurata janë për ty, me kusht që të më shërosh.” Djali i tha: “Unë nuk shëroj askënd. Vetëm Allahu i shëron njerëzit. Prandaj, nëse beson në Allah dhe i lutesh Atij, Ai do të të shërojë.”

Ai besoi dhe iu lut Allahut, dhe Allahu e shëroi.

Më vonë, këshilltari shkoi tek mbreti dhe u ul tek vendi ku ulej para se të verbohej. Mbreti e pyeti:”Kush ta ktheu shikimin?”. Këshilltari iu përgjigj:”Zoti im!”. Mbreti i tha: “Unë ta ktheva!” Këshilltari i tha: “Jo! Zoti im dhe zoti yt! Allahu!” Mbreti i tha: “ Ti ke Zot tjetër përveç meje?” Këshilltari i tha: “Po! Zoti im dhe Zoti yt është Allahu!” Mbreti e torturoi atë pa u ndalur derisa ai i tregoi për djalin. Kështu që djalin e gjetën dhe e sollën para mbretit i cili i tha: “Djalosh! A është fuqizuar aq shumë magjia jote sa mund të shërosh ata që kanë lindur të verbër, lebrozët dhe sëmundjet e tjera?”

Djali i tha: “Unë nuk shëroj askënd! Vetëm Allahu mund të shërojë!”

Mbreti i tha: “Unë!”

Djali iu përgjigj: “Jo!”

Mbreti e pyeti: “Ke Zot tjetër përveç meje?”
Djali iu përgjigj: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu!”

Për këtë arsye, mbreti e torturoi atë derisa ai i tregoi për murgun. Murgu u soll para mbretit dhe mbreti i tha: “Braktise fenë tënde!”

Murgu refuzoi dhe mbreti urdhëroi t’i sillnin një sharrë të cilën ia vendosën murgut në mes të kokës dhe e sharruan.

Pastaj ai u drejtua këshilltarit të tij që dikur ishte i verbër duke i thënë: “Braktise besimin tënd!”

Ai refuzoi, prandaj u përball me të njëjtin ndëshkim si murgu. Një sharrë iu vendos në mes të kokës dhe ia sharruan trupin në dy pjesë.

I mbrojtur nga Zoti

Pastaj përpara mbretit u soll djaloshi, dhe mbreti i tha: “Braktise besimin tënd!”

Ai refuzoi ta bënte këtë, prandaj mbreti e dërgoi në majë të një mali ku mblodhi shumë njerëz. Ai u tha njerëzve: “Ngjituni me të mbi mal, derisa të arrini në majën e tij, pastaj shikoni nëse do ta braktisë besimin. Nëse nuk e braktis hidheni nga maja e malit.”

Ata e dërguan në majë të malit dhe ai tha: “O Allah! Më shpëto prej tyre ashtu siç dëshiron ti.” Mali u drodh dhe ata ranë në humnerë ndërsa djali u kthye në këmbë tek mbreti.

Mbreti i tha: “Ku shkuan njerëzit me të cilët të dërgova në majë të malit?” Djaloshi u përgjigj: “Allahu më shpëtoi prej tyre!”

Më pas, mbreti urdhëroi disa njerëz ta hipnin atë në një anije dhe ta dërgonin në mes të detit, duke iu thënë: “Nëse e refuzon besimin e tij, kursejani jetën, përndryshe mbyteni.”

Ata e dërguan në det dhe ai tha: “O Allah! Më shpëto prej tyre ashtu siç ti dëshiron.” Si rrjedhojë e pranimit të lutjes së tij, ata të gjithë u mbytën në det.

Pastaj djali u kthye tek mbreti që i tha: “Ku përfunduan shoqëruesit e tu?” Djali u përgjigj: “Allahu më shpëtoi prej tyre.”

Pastaj ai i tha mbretit: “Nuk do të jesh në gjendje të më vrasësh derisa të bësh siç do të të urdhëroj unë. Nëse bën siç do të të urdhëroj, do të jesh në gjendje të më vrasësh.”

Mbreti e pyeti: “Çfarë duhet të bëj?” Djali i tha: “ Mblidhi të gjithë njerëzit në një vend të lartë dhe më lidh në trungun e një peme. Pastaj merr një shigjetë nga të miat dhe thuaj: “Në emër të Allahut, Zotit të djalit! Nëse e bën këtë, do të jesh në gjendje të më vrasësh.”

Mbreti bëri pikërisht këtë. Ndërsa vendoste shigjetën në hark, ai e lëshoi atë duke thënë: “Në emër të Allahut, zotit të djaloshit!”

Shigjeta e qëlloi djaloshin në kokë. Ai vendosi dorën mbi plagën e shkaktuar nga shigjeta dhe vdiq.

Njerëzit thanë: “Ne besojmë në Zotin e djaloshit!”

Pastaj iu tha mbretit: “E shikon çfarë ndodhi? Ndodhi pikërisht ajo të cilës ti i frikësoheshe? Të gjithë njerëzit besuan tek Allahu, Zoti i djaloshit.”

Prandaj mbreti urdhëroi që të hapeshin hendeqe në hyrje të rrugëve dhe kështu u bë. Brenda tyre u ndezën zjarre dhe mbreti tha: “Kushdo që braktis besimin e tij, lëreni të lirë. Kushdo që refuzon, hidheni në zjarr.”

Njerëzit filluan të përpëliteshin në flakë, derisa i erdhi radha një gruaje që kishte foshnjën e saj në gji. Ajo fillimisht hezitoi të hidhej në zjarr, derisa foshnja foli duke i thënë: “Bëj durim nënë, sepse ti je duke u sakrifikuar për të vërtetën.” (Transmeton Ahmedi)

Burimi: aboutislam.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit