12.9 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Gjuha dhe sjellja konspiracioniste dëshmi e pafuqisë – Fitim Zekthi

Më të lexuarat

Gjuha dhe sjellja konspiracioniste dëshmi e pafuqisë

Fitim Zekthi

Në periudhën mes dy luftërave botërore, në SHBA u zhvillua një debat i mprehtë dhe i thellë mbi sfidat e demokracisë, mes Walter Lipman-it dhe John Dewey-it. Debate të kësaj natyre, mbi rreziqet e sistemit politik demokratik janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen sepse vazhdimisht shoqëritë janë përballur me bjerrje të formave të ndryshme, madje edhe me rënie të ndryshme të sistemit politik.

Lipman-i, një publicist shumë i njohur, politolog dhe studiues i politikës, e konsideroi demokracinë si një sistem politik që do të kishte përpara kohë shumë të zymta. Për të demokracia do të përballej me pamundësinë e qytetarëve për të zgjedhur politikanët dhe qeverinë që mbron më mirë interesat e tyre dhe të vendit të tyre. Duke qenë se demokracia, sipas tij, varet plotësisht nga zgjedhjet e njerëzve, atëherë një rëndësi themelore ka dija, njohja që duhet të kenë qytetarët.

Në fillimet e tij, pas rënies së sistemeve tradicionale dhe pas revolucioneve në Angli, SHBA dhe Francë, teoria politike mbronte idenë se qytetarët, duke qenë të informuar – si pasojë e lirisë që krijon vetë demokracia – do të kenë mundësi të zgjedhin mirë dhe drejt. Për Lipman-in kjo nuk ishte e saktë sepse (siç u provua dhe po provohet vazhdimisht) më shumë informacion nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë pjesëmarrje e mençur apo e ndriçuar në jetën publike. Më shumë informacion mund të çojë në më shumë zhurmë, në më shumë militantizëm dhe në më shumë injorancë.

Lipman-i tha se “ideali demokratik konsistonte në një ambient ideal dhe në një klasë politike të përzgjedhur”. Në atë kohë, ambienti në SHBA sipas Lipman-it ishte i mbushur me padrejtësi dhe krim, me racizëm dhe lëvizje politike të shumta dhe çështjet për të cilat duhet të kishin informacion votuesit ishin të shumta. Lipman-i tha “simpatitë e mia janë të gjitha me qytetarin sepse atij i është vënë një detyrë e pamundur, një barrë e pambajtshme sepse i kërkohet të jetësojë këtë ideal të paarritshëm. Edhe unë që e kam detyrë studimin e politikës, njohjen e çështjeve dhe të ambientit nuk gjej kohë, nuk mund të bëj atë që pritet prej meje për teorinë e demokracisë, që do të thotë se unë duhet të njoh se ç’po ndodh dhe të kem një opinion të vlefshëm mbi çdo çështje apo pyetje që ka të bëjë me qeverisjen dhe vetëqeverisjen e komunitetit.”

John Dewy e pranoi sfidën apo rrezikun e madh me të cilin përballej demokracia. Dewy ra dakord me Lipman-in se ambienti është kompleks, se çështjet janë të ndërlikuara dhe se përgjigjet nuk mund të jenë kurrë të thjeshta. Përgjigjet e thjeshta për çështje të ndërlikuara apo për ambiente të ndërlikuara janë gjithmonë të rrezikshme. Ata të dy u ndanë tek zgjidhja. Lipman-i mendoi që të krijohet një byro, një agjenci e cila të bëjë të mundur që njerëzit, publiku, votuesit të merrnin informacionin e duhur dhe të pajiseshin me njohjen e duhur pasi politikanët dhe partitë do të përpiqeshin t’i fusnin në zhurmë, t’i zhysnin në emocione dhe t’i gënjenin. Lipman-i iu tremb shumë edhe rolit të medias e cila nuk do ta bënte punën e saj dhe lajmet apo informacionet e saj do t’i shërbenin asaj që synonte politika. Dewy e quajti të gabuar zgjidhjen e Lipman-it. Ai tha se kjo zgjidhje do të sillte ose teknokraci, ose oligarki. Dewy tha se njerëzit, votuesit mund të kishin njohjen e duhur në qoftë se komunikimi në komunitete do të ishte i vazhdueshëm, njerëzit do të ishin të organizuar dhe do të bënin jetë komunitare. Ai tha se njohja mund të vijë vetëm nga bisedat e vazhdueshme të qytetarëve me njëri-tjetrin në jetën komunitare ku ata ndanin vlera politike dhe morale të përbashkëta. Nëse ky komunikim do të thyhej, nëse bisedat mes qytetarëve në jetën komunitare do të zhbëheshin, atëherë gjërat që do të ishin vërtet keq.

Pavarësisht zgjidhjes që dha secili, e rëndësishme është se ata e panë pamundësinë e njohjes nga qytetarët dhe nga votuesit si rrezikun më madh të sistemit politik. Politikanët dhe qeveria do ta përdornin këtë pamundësi të qytetarëve për t’i manipuluar ata. Kjo gjë kishte ndodhur edhe më herët, kjo gjë ndodhi më vonë në masë edhe më të rëndë.

Mes llojeve të shumta të sjelljeve politike dhe diskurseve të ndryshme politike që janë përdorur për të shfrytëzuar këtë pamundësi të qytetarëve për të pasur njohje është edhe ai konspiracionist, i ekzistencës së një komploti të madh dhe në shkallë të gjerë ndaj një politikani, një partie, grupi shoqëror, një kombi, një shoqërie etj.

Gjuha konspiracioniste, përdorimi i komplotit si mjet politik bën saktësisht atë së cilës iu trembën më shumë Lipman-i dhe Dewi, bën shpengimin e thjeshtë të një gjëje të ndërlikuar, shpjegon një lidhje ekstremisht të shkurtër, një gjendje që shpjegohet me analiza serioze mbi veten, mbi faktorët politikë, mbi faktorë socialë apo psikologjikë, mbi raportin e fakteve me njëri-tjetrin dhe mbi raportin, në radhë të parë, të “fakteve” me të vërtetën etj. Duke qenë një shpjegim i thjeshtë mbi një gjendje apo një mori rrethanash dhe faktorësh, ajo përthithet dhe hyn shpejt në mendjet e njerëzve.

Gjuha konspiracioniste përdor në mënyrë të shkëlqyer jo vetëm pamundësinë e qytetarëve për njohje, por edhe kapacitetin e saj për t’u përhapur në mënyrë mimetike, në mënyrë të shpejtë mes njerëzve. Me anë të mimetizmit kjo gjuhë bie tangent në kokat e njerëzve si në një reaksion zinxhir, pa i dhënë mundësi të mendojnë për të sepse ajo është një shpjegim i thjeshtë për diçka të komplikuar. Duke përdorur pamundësinë e njerëzve për njohjen e nevojshme, i bind se ajo është e vërteta.

Richard Hofstader, një historian i njohur amerikan, ka bërë ndoshta studimin më të rëndësishëm mbi mënyrën se si kjo lloj gjuhe konspiracioniste, që flet për një armik të madh dhe të rrezikshëm që ka bërë një komplot, është përdorur për shumë kohë. Hofstader-i bën edhe shpjegimin më të jashtëzakonshëm se cila është arsyeja që politikanët e përdorin këtë gjuhë.

Richard Hofstader përmend si një moment të rëndësishëm të futjes së këtij rreziku në debatin politik apo publik librin e Adam Weinshaupt, një profesor gjerman në universitetin e Ingolstad-it në Bavari. Weinshaup ishte një mendimtar iluminist i cili shkroi mbi domosdoshërinë që shoqëria njerëzore të udhëhiqet nga racionalizmi, të çlirohet nga feja etj. Vepra e tij mund të konsiderohet më shumë si një vepër utopike që kërkonte vendosjen e njeriut nën sundimin e arsyes.

Weinshaupt-i mendohet se është i pari që ka përdorur edhe fjalën “iluminizëm” dhe vepra e tij ishte tipike në frymën e asaj që më vonë njihet si iluminizëm. Qeveria e Bavarisë e përzuri dhe ai u vendos në Gotha. Ai e shkroi veprën e vet iluministe në vitin 1776, pak vite përpara Revolucionit Francez. Një vit më vonë, në SHBA, John Robinson shkroi librin me titull “Prova të një komploti kundër feve dhe qeverive në Europë të zhvilluara në shoqëritë e masonëve dhe të Iluminatit…”. Robinson-i ishte një shkencëtar skocez i cili mendonte se kishte një komplot mason në Europë. Në libër Robisnon-i fliste për një komplot të madh që kërkon të shkatërrojë fenë, traditën dhe shoqërinë. Ai i atribuoi një rol të madh në komplot vetë Revolucionit Francez dhe e cilësoi atë si një vepër të komplotistëve. Ai tha se komplotistët synojnë shkatërrim të shoqërisë, do të prodhojnë një ilaç që kur spërkatet në fytyrë, nuk i lejon gratë të mbeten shtatzëna, se ata duan një shoqëri ku ndiqen kënaqësitë dhe qejfet etj. Pas një viti këtë libër e lexoi Jedidiah Morse, një pastor protestant në Boston, i cili mbajti një predikim në kishë kundër komplotit. Kaq u desh që për komplotin të flitej në të gjithë kishat e Massachusetts dhe më pas të gjithë bregut lindor të SHBA-së (që atëherë ishte gjithë SHBA-ja).

Nisi kështu një lëvizje kundër masonerisë, kundër komplotit. Komploti preku fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 1800. Kandidatët për president në një garë shumë të hidhur akuzuan njëri-tjetrin se donin të shkatërronin fenë, se donin të shkatërronin Amerikën etj.

Pasi kaloi dallga antimasone (komploti mason kundër fesë), konspiracioni gjeti strehë tek antijezuitizmi. Në vitin 1835 u botua një libër i shpikësit të alfabetit mors, Samuel Finley Morse, ku fliste për një konspiracion katolik që kërkonte të pengonte mënyrën amerikane të jetesës, shpirtin protestant në ekonomi dhe në kuptimin e lirive, kërkonte të pengonte frymën e individualizmit që ishte pjesë e stilit amerikan. Kjo gjë do të bëhej, sipas Morse-it, nga jezuitët të cilët udhëtonin në gjithë Amerikën dhe paguanin para, paguanin njerëz për kauzën e tyre në mënyrë që të rrëzonin qeverinë e SHBA-së dhe të vendosnin në krye dikë nga familja mbretërore Hapsburge e Austrisë. Edhe kjo teori hyri në politikë. Ajo u përdor nga garues për kongres, nga garues për zyra të ndryshme, përfshirë gazetarë, studiues, shkrimtarë dhe artistë të cilët e bënë atë pjesë të rëndësishme të debatit publik.

Gjuha konspiracioniste është përdorur në mënyrë masive në vitet e pas Luftës së Parë Botërore gati në të gjitha vendet. Në Gjermani Hitleri fliste për një komplot hebre kundër Gjermanisë, fliste për kontroll të Gjermanisë nga hebrenjtë, për kontroll të bankave, të mediave, të universiteteve, të biznesit etj. Hitleri fliste për kontroll nga hebrenjtë të qeverisë franceze, të qeverisë angleze etj.

Musolini fliste po ashtu për komplotin që i ishte bërë Italisë nga Franca dhe Anglia, fliste për komplotin që i ishte bërë Italisë nga “Elita e shitur” politike e vendit, për komplotin që kërkonte të mbante kokulur popullin dhe shpirtin italian i cili sipas tij dikur kishte drejtuar botën nëpërmjet perandorisë romake.

Për komplot është folur në SHBA nga senatori Mc Carthy i cili akuzonte për komplot komunist që kërkon të rrëzojë SHBA-në. Mc Carthy shihte kudo një armik dhe një komunist. Për komplot të armiqve, për komplot të borgjezisë kanë folur Lenini, Stalini, Enver Hoxha, Fidel Kastro etj. Ata kanë “zbuluar” shumë komplote dhe komplotistë, shumë agjentë që i shërbejnë armikut.

Për komplot të “elitës”, për komplot të korporatave dhe agjendave antikombëtare dhe globaliste, për komplot të Sorros, sot flasin Le Pen, kanë folur Salvini, Wilders, Hagendorm, Orban, Marjorie Green etj. Ka gati kudo në botë sot politikanë që përdorin gjuhën e komplotit, konspiracionizmin si një mjet politik bazë.

Në një analizë të hollësishme që iu bën këtyre sjelljeve politike dhe kësaj gjuhe konspiracioniste Richard Hofstader jep arsyet pse politikanët e përdorin këtë gjuhë, arsyet pse politikanët apo liderë të ndryshëm e përdorin këtë gjuhë. Këto arsye janë kudo të njëjta. Hofstader thotë se vëren se të gjithë këta politikanë, duke bërë shpjegimin e thjeshtë të gjërave komplekse, kanë një stil politik, drejtojnë lëvizje politike antiintelektualiste. Ata nuk duan të rrethohen nga intelektualë, nga njerëz të ditur që kanë kurajën të vënë në diskutim gjërat, të kenë mendim kritik dhe të kenë kurajë ta kërkojnë të vërtetën përtej shpjegimeve të thjeshta dhe klisheve.

Hofstader-i thotë se arsyeja pse këta politikanë marrin teoritë konspirative dhe i përdorin për të shpjeguar realitetin ka të bëjë me faktin që ata shoqëria nuk i pranon. Ata e dinë që shoqëria nuk i pranon dhe reagojnë ndaj mospranimit që iu bën atyre shoqëria duke i hedhur shoqërisë teori konspiracioni me idenë se ato janë mjeti ideal për të shfrytëzuar pamundësinë e njerëzve për njohje. “N.q.s. shoqëria do t’i pranonte, ata nuk kishin arsye pse të përdornin teori konspiracioni”, thotë Hofstader. Hofstader e quan këtë stil politik “stil paranojak”.

Hofstader thotë se në garën për president në vitin 1800 ose në luftën kundër masonëve që prodhoi libri i Robinson-it askush nuk mund ta dinte kurrë se si Revolucioni Francez u bë me koordinim të fshehtë, se ai synonte shkatërrimin e feve dhe të shoqërive dhe prodhimin e shoqërisë së re nëpërmjet këtij komploti ku morën pjesë forca të fshehta masonësh dhe Iluminati nga gjithë Europa. Kështu që njerëzve iu dha ky shpjegim i thjeshtë. E njëjta gjë me luftën kundër jezuitëve në vitin 1835.

Gjuha konspiracioniste e Hitlerit, e Musolinit, për të ardhur në një kohë më të vonë, më moderne, ishte një gjuhë që shprehte nevojën për të përdorur pamundësinë e njerëzve për njohje, që shprehte edhe mospraninim e tyre nga shoqëria. Në fillim ata kanë qenë shumë jopopullorë. Musolini vuajti para, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore për protagonizëm politik, për të marrë në kontroll partinë komuniste dhe nuk ia doli dot. Më pas themeloi partinë e tij (mori një parti të themeluar nga Dietrih Eckart) e cila fillimisht ishte jopopullore. Hitleri ka marrë vetëm 2,6% në vitin 1928 kur kishte gati 8 vjet jetë politike.
Senatori Mc Carthy nuk kishte mbështetjen që donte. Marine Le Pen nuk ka mbështetjen që do. Salvini, Wilders, Greene, etj. nuk kanë mbështetjen që duan. Orban-i pasi ra nga pushteti me Fidesz-in në fillim ishte shumë jopopullor. Iu deshën vite që të arrinte aty ku është sot. Duhet thënë edhe që gjuha e Orban-it nuk përkufizohet nga konspiracionizmi dhe konspiracionizmi nuk është shpjegimi i tij kryesor pse është në qeveri.

Në Shqipëri gjuha konspiracioniste është e pranishme në mënyrën e saj dhe ka marrë një zhvillim të rëndësishëm që nga vitin 2021. Ish-kryeministri Berisha që nga shtatori i vitit 2021 flet për një komplot kundër tij nga kryeministri Rama, nga Xhorxh Soros, nga zyrtarë të blerë të qeverisë amerikane. Ish-kryeministri Berisha, ndonëse i ka ndryshuar rrugës arsyet pse sipas tij u shpall non grata (fillimisht sepse ai mbrojti Kosovën), ka vijuar me gjuhën e fortë të konspiracionit. Ai ka thënë madje se konspiracioni ka qenë me tri faza dhe synonte shkatërrimin e opozitës. Pra Rama, në bashkëpunim me Soros-in, kanë blerë vendime të qeverisë amerikane dhe të sekretarit të shtetit Blinken për të shkatërruar opozitën.

Në fillim Rama, sipas Berishës, ka marrë peng kryetarin e opozitës Basha, më pas bleu vendimin e Blinken dhe më pas, me bashkëpunimin e Bashës, urdhëroi nxjerrjen nga politika të Berishës. Berisha e di mirë që njerëzit nuk kanë asnjë mundësi të verifikojnë apo të kenë njohje mbi ato që ai thotë. Berisha e di se ato janë shpjegime të thjeshta për një gjë të komplikuar. Berisha e di se, në mënyrë mimetike, ajo që ai thotë do të përhapet. Berisha e di edhe se e vërteta nuk është konspiracioni që ai ka prodhuar.

E gjithë kjo gjë bëhet sepse ai e di që shoqëria nuk e pranon atë. Për këtë arsye, ai hedh konspiracion në mënyrë që ajo të përpëlitet në përtypjen e tij. Si çdo lëvizje tjetër që përdor konspiracionin ajo është paranojake në stil, flet për armik, sheh kudo armiq dhe është antiintelektualiste. Lëvizja e Berishës është tërësisht antiintelektualiste. Të qenët një lider politik dhe një lëvizje politike që sillet duke përdorur gjuhë konspiracioniste për shkak se nuk e pranon shoqëria, kjo dëshmohet nga fakti që ai ka rreth dy vjet që thotë se do të mbledhë popullin dhe do ta derdhë rrugëve për të rrëzuar Ramën. Berisha vazhdimisht thotë se do të zhvillojë protesta madhështore, se do të bëjë revolucionin madhështor, por njerëzit nuk e ndjekin dhe nuk e pranojnë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit