Gazetari norvegjez që ishte në luftën e Kosovës: Mjekët e UÇK-së nuk kishin kapacitete që të transplantonin organe

0

Gazetari norvegjez Paul Refsdal, i cili ka qenë edhe me UÇK-në gjatë luftës së fundit në Kosovë ka thënë se pretendimet për transplant organesh nga ana e UÇK-së janë gjepura.

“Është nonsens, sinqerisht. Edhe nëse do të donin ta bënin, nuk i kishin kapacitetet. Doktorët që punonin me UÇK-në nuk ishin në gjendje të transplantonin organe”, ka thënë Refsdal, gjatë një interviste për “Tonight Ilva Tare”.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjen e gazetares rreth asaj se pse ka kaluar kaq shumë kohë dhe asnjë nuk e thotë këtë, që ishin aq të varfër në kushtet që kishin saqë nuk kishin mundësi të bënin transplant organesh.

“Carla del Ponte nga OKB thotë që kemi arsye ta besojmë këtë. Ajo është pak e pabesueshme, gjithashtu ka thënë gjëra për Sirinë si për shembull, rebelët kanë përdorur armë kimike kur nuk ka asnjë provë për këtë. Është shumë e vështirë për t’u përballur me këtë. Serbët kanë mite që i besojnë vërtetë, si për shembull ata janë viktimat dhe jo persekutorët. Ata janë viktimat dhe kanë një influencë të madhe sepse i përsërisin shpesh këto mite por kjo puna e transplantit të organeve është idiotësi, ua garantoj dhe nëse arrini të provoni se kjo ka ekzistuar mund ta merrni mëlçinë time dhe ta shisni”, ka thënë më tej Refsdal.

Ai ka folur edhe rreth përvojave të tij në luftëra, me luftëtarët, me kauzat që ata besojnë.

Dhe në pyetjen nëse ai mendon se bota do të ketë ndonjëherë paqe, ai është shprehur pesimist.

“Do të isha i lumtur të shihja një botë të paqtë”, ka thënë ndër tjerash Refsdal. /Oranews/