16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Ftohja, si ta njohim dhe luftojmë

Më të lexuarat

Kollë, temperaturë, hundë të zëna. Çdo vit preken mijëra vetë. Por nuk ka as ilaçe as vaksina. Sepse ata që shkaktojnë këtë gjendje janë qindra agjentë infektivë. Aq dinakë sa e fitojnë gjithmonë betejën…
Brenda pesë vjetëve do të kemi një vaksinë kundër ftohjes. Kjo është fjala e John Dingle, nga “Western Reserve University” në SHBA. Por kjo nuk do të jetë një vaksinë, shton fituesi i çmimit “Nobel” për mjekësinë John Fenders, “për një kohë shumë të shkurtër do të nxjerrim një ilaç, një antiviral në gjendje të shkatërrojë sëmundjen”. Do të ishte një skup, nëse këto profeci nuk do të ishin bërë që në vitin 1956. Ka pasur gjithmonë interes në gjetjen e medikamenteve që do të mund të frenonin të ftohtin, të paktën pjesërisht, por deri tani askush nuk ka dalë me ndonjë gjetje të duhur. E vetmja këshillë është të ruhesh sa më shumë dhe të konsumosh në periudhat e krizës sa më tepër agrume. Kryesisht përdorimi i vitaminës C mendohet se është parandalues. Por deri më sot vaksina në gjendje të parandalojnë temperaturën, kollën dhe dhimbjen e fytit nuk janë gjendur. Sytë e skuqur, hundët e zëna, temperatura që hipën gjithmonë e më shumë, na kujtojnë gjithmonë se ftohja është më e fortë se të gjithë ne. Vlerësimet e ndryshme tregojnë se çdo i rritur sëmuret mesatarisht deri në katër herë në vit me simptomat e ftohjes, ndërsa një fëmijë deri në dhjetë herë. Në javët e kaluara virologët e Universitetit të Milanos regjistruan më shumë se 60 mijë raste të reja në të gjithë Italinë, 30 mijë prej të cilave vetëm fëmijë. Në muajt e ardhshëm, priten më shumë se një milion raste. Për më tepër impakti ekonomik i sëmundjes llogaritet miliarda euro. Por si ka mundësi që shkenca e drejtuar nga njeriu ka ecur kaq lart dhe nuk ka arritur të krijojë dot një ilaç kundër ftohjes? Sipas mjekëve, ajo që ne e quajmë ftohje është në të vërtetë një sindrom preciz, që nuk duhet ngatërruar me gripin, i shkaktuar nga një numër shumë i madh virusesh. “Mund të flasim për ftohje kur kemi sekrecione nazale, kemi teshtima, dhimbje fyti, kollë dhe bllokim të rrugëve të tjera të frymëmarrjes që mund të japin pasoja të tjera, si për shembull sinoziti”, shpjegojnë ata. Por ata që përcaktojnë këtë lloj infeksioni janë qindra agjentë të ndryshëm infektivë të grupuar në tri familje kryesore: rinovirus, coronavirus, adenovirtus. Një studim anglez i publikuar në “British medical Bulletin” tregon për shembull se rinoviruset janë më shumë se 100 lloje, përgjegjës për 60 për qind të ftohjeve në rang global. Dy janë coronaviruset që shkaktojnë 15 për qind të infeksioneve dhe të paktën 47 adenoviruset. Kur mendoni që po ia hidhni ftohjes mos u gëzoni shumë, sepse një tjetër mund t’ju godasë sakaq. Shkaku për këtë është lloji i virusit. Antitrupat që zhvillon organizmi kundër të ftohtit të parë nuk mund të të mbrojnë nga një virus i një lloji tjetër. Gjatë dimrit qarkullojnë shumë lloje virusesh, mjaftueshëm për të të mbajtur mbërthyer në të gjitha ditët e vitit. E ndërsa ata janë të llojeve të ndryshme, simptomat i kanë thuajse të njëjta dhe ne shpesh kujtojmë se na është rikthyer të ftohtët e jo se kemi marrë një virus tjetër. Po ashtu në shqyrtim duhen marrë edhe viruset e para gripit apo ato të rrugëve të frymëmarrjes. Po ashtu është parë se disa lloje bakteresh si mykoplazma dhe klamidia shkaktojnë ftohjen te fëmijët dhe te të rriturit. Një numër shumë i lartë agjentësh infektivë që organizmi nuk është në gjendje të krijojë imunitet, kështu që çdo vit prekemi nga të njëjtat shqetësime si të një viti më parë, por të shkaktuar nga viruse të ndryshme. Megjithatë sot për ftohjen dimë pothuajse gjithçka.
Ndjeshmëria ndaj viruseve

Të gjithë njohim njerëz të cilët sëmuren shumë rrallë ose asnjëherë, që e kalojnë stinën e ftohtë pa pasur problemet që ka zakonisht pjesa më e madhe e popullatës. Këta njerëz nuk është se nuk e marrin infeksionin, por çështja është se nuk i kanë simptomat e njohura. Këta persona përbëjnë një rast shumë interesant studimi. Në sistemin tonë imunitar ka shumë të panjohura dhe ndër to mund të jenë edhe ato që kanë të bëjnë me aftësinë e disave për të mos u sëmurur, sikurse edhe me gatishmërinë e të tjerëve për të pritur me krahë hapur çdo infeksion. Një pjesë e madhe e infeksioneve virale nuk prodhon sëmundje. Ky quhet edhe koncepti ajsberg i infeksionit. Ato nuk shfaqin simptoma dhe kalojnë pa u vënë re. Zbulimi i shkaqeve të reagimeve të ndryshme ndaj infeksioneve është një fushë shumë interesante e gjenetikës që po lëvrohet dhe ende nuk ka përgjigje për shumë pika të mbetura enigmë.
Simptomat

Në hundët e njerëzve ka disa sekrecione hundore që shkaktohen nga të ftohtët. Simptomat e të ftohtit janë teshtitjet, kolla, rrjedhja e hundës, apo bllokimi i saj që shkaktohen nga një kompleks kimikatesh që vihen në punë nga sistemi ynë imunitar, të cilat veprojnë në enët e gjakut, gjëndrat dhe receptorët nervorë. Ato janë pjesë e kundërpërgjigjes inflamatore ndaj infeksionit. Brandykina, një peptid, është një nga këto kimikate dhe është propozuar që të luajë një rol dominant në situatat e të ftohtit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit