9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Frymëzim nga Profeti: Muslimanët amerikanë mbledhin fonde për riparimin e varrezës së vandalizuar hebraike

Më të lexuarat

Pas përdhosjes së një varreze hebreje në Seint Ljuis, në një incident ku më shumë se 150 gurë varresh u përmbysën apo u dëmtuan, dy aktivistë muslimanë amerikanë nisën një fushatë të mbledhjes së fondeve për riparimin e tyre.

“Përmes kësaj fushate, ne shpresojmë të dërgojmë një mesazh të përbashkët nga komunitetet hebreje dhe muslimane se nuk ka vend për këtë lloj urrejtjeje, përdhosjeje dhe dhune në Amerikë”, shkruhet në faqen zyrtare të fushatës së mbledhjes së fondeve. “Ne lutemi që kjo të rivendosë ndjesinë e sigurisë dhe paqes për komunitetin hebrejo-amerikan që pa dyshim, është tronditur nga kjo ngjarje”.

Brenda pak orësh deri të martën pasdite, faqja kishte tejkaluar qëllimin e saj për mbledhjen e 20 mijë dollarëve.

Tarek El-Messidi, që inicioi fushatën së bashku me kolegen e tij aktiviste, Linda Sarsour tha se kur ai u njoh me lajmin e vandalizimit të varrezës Chesed Shel Emeth në periferinë e Seint Ljuis, iu kujtua një histori me Profetin Muhamet, i cili ishte ngritur në këmbë kur kishte kaluar një procesion funeral hebre. I pyetur se përse e kishtë bërë këtë, ai kishte thënë: “A nuk është ai një shpirt njerëzor?”.

“Historia shërben edhe për të treguar më shumë se çdo gjë humanizmin e Profetit… ne duhet ta risjellim këtë histori në jetë dhe të tregojmë se çdo person meriton të prehet në paqe”, thotë El-Messidi. “Kjo është një mënyrë e mirë për të treguar respekt dhe për të nderuar kushërinjtë tanë hebrenj”.

Përmes organizatës së tij jo-fitimprurëse “Celebrate Mercy”, El-Messidi ka vendosur si mision jo vetëm të edukojë njerëzit me mësimet e Profetit, por gjithashtu të mbledhë mbështetjen e muslimanëve “për t’iu përgjigjur së keqes me të mirë”. Si lider kombëtar musliman në Knoxville në Tenesi, ai ndihmoi në fushatën e drejtuar prej muslimanëve për mbledhje fondesh për viktimat e sulmit terrorist në San Bernandino, në vitin 2015 që në fund rezultoi me mbledhjen e më shumë se 215 mijë dollarëve.

Në vitin 2012, pas sulmeve mbi ndërtesat diplomatike në Bengazi ku mbeti i vrarë edhe ambasadori amerikan Chris Stevens dhe tre amerikanë të tjerë,  El-Messidi apeloi muslimanët të shkruajnë letra ngushëllimi ndaj familjes së Stevens dhe i dorëzoi 8 mijë letra të tilla motrës së ambasadorit, Ditën e Falënderimeve.

Që kur krimet e urrejtjes kanë shënuar një rritje të konsiderueshme pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, si komuniteti musliman ashtu edhe ai hebraik në Shtetet e Bashkuara kanë qenë në shënjestër, institucionete  tyre janë kërcënuar, e njerëzit e tyre janë tallur e ngacmuar. “Duket të jetë një përvojë e përbashkët që i ka sjellë më afër ata me shenja solidariteti ndaj njëri-tjetrit”, thotë El-Messidi.

“Kjo është vërtetë një çështje humane”, thotë ai. “Por, me këtë cikël të tmerrshëm pas zgjedhjeve, diçka e bukur ka dalë prej gjithë frustrimit të krijuar, pasi muslimanët dhe hebrenjtë kanë forcuar lidhjet për të qëndruar në krah të njëri-tjetrit  përballë kësaj urrejtjeje. Politika nuk mund të hyjë deri në humanizmin tonë bazë; unë shpresoj se kjo do ta rrëzojë atë mur dhe do na sjellë më afër njëri-tjetrit”.

Për të vënë në dukje këtë pikë, El-Messidi ndau një mesazh që ai e kishte marrë nga një grua me emrin Barbara:

“Ju më ndihmuat të shëroja dhimbjen në zemrën time. Unë jetoj në Los Anxhelos, po kam lindur dhe jam rritur në Seint Ljuis. Unë kam njerëz të mi të familjes të varrosur në atë varrezë dhe m’u thye zemra kur pashë përdhosjen e vendit të fundit të prehjes për disa nga njerëzit e mi më të dashur. Shpirti juaj i dhembshur dhe i butë më jep shpresë se ne mund të kemi respekt dhe tolerancë të ndërsjelltë përkundër ndryshimeve tona dhe humanizmit që na bashkon. Zoti ju bekoftë!”.

El-Messidi thotë se ka qenë në komunikim me drejtorin e varrezës i cili pritet t’i dërgojë vlerësimin e saktë të dëmit. Nëse mblidhen fondet e nevojshme, ai thotë se do ta mbajnë pjesën e mbetur për ta përdorur për përballjen me urrejtjen anti-semite.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit