Erdogan: Turqia nën një ofensivë të madhe, duhet të jemi të fuqishëm

0

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të martën se Turqia është nën një ofensivë shumë të madhe nga brenda dhe jashtë vendit…

 

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të martën se Turqia është nën një ofensivë shumë të madhe nga brenda dhe jashtë vendit.

“Një sulm tepër i madh po bëhet ndaj Turqisë nga brenda dhe jashtë vendit. Ky sulm nuk po kryhet për arsye se jemi një vend i pafuqishëm; përkundrazi, sepse jemi një shtet i fortë dhe sepse po fuqizohemi akoma më shumë”, theksoi ai gjatë një takimi në Kompleksin Presidencial me të zgjedhurit lokalë.

Kreu i shtetit turk vuri në pah se kushti i parë i suksesit është garantimi i rendit, qetësisë, sigurisë dhe mirëqenies brenda vendit; ndërsa shtoi që pikërisht këto nuk u interesojnë atyre, që nxisin organizatat terroriste për të sulmuar Turqinë sikur të punonin me turne.

“Ata kanë shfrytëzuar dhe po shfrytëzojnë për këtë qëllim të gjitha mjetet e mundshme, me në krye tentativën për grusht shtetit të 15 korrikut. Edhe pse emrat e tyre formohen nga germa të ndryshme, pavarësisht se retorizmi i tyre duket sikur nuk është i njëjtë, kundër Turqisë vepron përherë e njëjta organizatë. Ne i quajmë organizatë terroriste të gjitha këto së bashku, kurse terroristë emërtojmë anëtarët e tyre. Që të gjithë janë armiq të shtetit, kombit dhe popullit tonë”, tha lideri turk.

Erdogan nënvizoi se po ndjekin me ibret sesi ato vende, të cilat deri dje vendosin në plan të parë luftën kundër DAESH-it, sot kanë mbërritur deri në atë pikë, saqë gati nuk e marrin nën mbrojtje këtë organizatë terroriste.

“Projektet, të cilat zbatohen plotësisht me planifikime mbi letër dhe pa marrë në konsideratë strukturën historike, fetare, etnike dhe kulturore të rajonit, po rrëzohen një nga një. Pikërisht brenda këtij kaosi, Turqia po përpiqet që të bëjë më të mirën edhe për veten, edhe për vëllezërit e saj. Turqia është e detyruar që luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha operacionet për këtë në rajonin e saj t’i kryejë vetë, me mundësi kombëtare dhe me bijtë e saj. Ata që nuk e kuptojnë dhe kundërshtojnë këtë situatë, do të thotë se mbyllin sytë ndaj së vërtetës. Çështjet si miqësia, aleanca, marrëdhëniet e mira, solidarizimi dhe bashkëpunimi gjejnë përgjigje të ndërsjellë vetëm nëse jeni të fuqishëm, përkundrazi ato mbeten vetëm në fjalë. Për këtë arsye, si Turqi, duhet të jemi të fortë. Duhet të jemi të fortë si vend dhe si qeveri”, siguroi ai.

Zgjidhja e vërtetë – vijoi Presidenti Erdogan – është përqafimi i Sirisë dhe i Irakut me rendin e qetësinë, pasi Turqia preket direkt nga çdo zhvillim në këto dy vende.

Në fund, kreu i shtetit turk theksoi se tashmë është zbuluar që pjesës dërrmuese të shteteve, të cilat influencojnë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi zhvillimet në rajon, nuk duan t’ia dinë aspak për qetësinë e popujve të Irakut dhe Sirisë.

 

Nuk ka komente